Verë dhe një libër që njeh skutat e fshehta të trupit tonë

Nuk ka rëndësi nëse jeni në plazh apo kudo, ky libër do t’ju bëjë të harroni gjithçka rreth jush. Ju sugjerojmë një roman krejt ndryshe, fantastik, i cili rreket të eksplorojë lëkurën, në të trija shtresat e saj.

“Ditari i një trupi”
Daniel Pennac/ Çmimi 1000 Lekë

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Ky roman nuk është si romanet e tjera, ai merr formën e ditarit të një njeriu të vetëm, përshkon gjithë jetën e tij, nga mosha 12-vjeçare deri në moshën 87- vjeçare, por nuk rrëfen detajet biografike më themelore.
Ai përqendrohet te trupi i rrëfimtarit: trupi i tij fizik, dhe jo personaliteti që e mbush atë, është heroi dhe subjekti i këtij libri. Qëllimi i rrëfimtarit ishte të vërente dhe të regjistronte të papriturat e shumta me të cilat na përball trupi ynë.
Kështu, ai arriti të përshkruante gjithë evoluimin e organizmit të tij, por jo nga një pikëpamje mjekësore apo anatomike, por në mënyrë intime, duke përfshirë në çdo faqe personazhe, situata, bashkëbisedime dhe mendime që na e bëjnë këtë trup të ngjashëm me tonin. Ne që ndihemi ndonjëherë kaq të vetmuar në trupin tonë, zbulojmë pak nga pak që ky kopsht sekret, në të vërtetë, është një truall i përbashkët. Gjithçka që fshehim është shkruar këtu, e zezë në të bardhë, dhe ajo që shpesh na frikësonte, tashmë kthehet në harè.

Kritika
“Rrëfimtari ia dorëzon ditarit të gjitha disfatat romantike, zaptimet seksuale dhe dështimet, nga fryma e parë tek e fundit. Kjo është shprehja e trupit nëpërmjet penës”. – L’Express

“Mbetet jetësor fakti që nuk kemi thjesht një koleksion fenomenesh fiziologjike, por një personazh, një zë, që na tërheq brenda… Pennac-u ka qenë gjithmonë një shkrimtar argëtues e njëkohësisht i aftë për të krijuar çaste bukurie të rrallë, që të lënë pa frymë; por, më shumë se gjithë këto, ai është thjesht shkrimtari më njerëzor, më bujar dhe dashamirës ndaj qenieve të tjera njerëzore. Në “Ditari i një trupi” ka gjetur një mënyrë të re dhe frymëzuese për ta treguar këtë”. – The Guardian

“Ja pra, historia e fibrave tona, historia e njeriut që e nisi keq, vdiq e u ringjall mijëra herë dhe e mbushi jetën e tij”. – Le Figaro

Fragmente

1. Trupi është një shpikje e brezit tuaj, Lizon. Të paktën nga mënyra si e përdorni dhe si e ekspozoni atë. Por për sa u takon marrëdhënieve që mendja jonë mban me të si thes plot surpriza dhe si pompë jashtëqitjesh, sot heshtja është po aq e rëndë sa ishte në kohën time. Po ta këqyrnim me kujdes këtë çështje, do të vërenim që s’ka njerëz më të turpshëm sesa aktorët pornografikë më të zhveshur apo sesa artistët më të rruar e më të kruar të body art-it.

2. Sa më shumë e analizojmë këtë trup modern, sa më shumë e ekspozojmë, aq më pak ekziston ai. E shumëzojmë me zero, në përpjesëtim të zhdrejtë me ekspozimin tij.