Vesa Smolica: “Talenti, vetëm njëra anë e medaljes”

Është një prej zërave më të rinj në muzikës shqiptare. Daljet e para publike në skenat prestigjioze të formateve muzikore, në Shqipëri apo Kosovë, janë duartrokitur gjatë, ndërkohë që synimet e saj duket të jenë më afatgjata, për një karrierë sa premtuese, aq edhe solide. “Fillimet e karrierës ishin momentet më të vështira, sidomos në industrinë tonë muzikore kur nuk ke përkrahje,ekip menaxhues apo njerëz që kanë dorë dhe luajnë rol në tregun muzikor. Por, thjesht me kalimin e kohës sa të krijosh reputacion, të tjerët do të besojnë në ty, e kupton se ata do të kthejnë sy e veshë te ti herët apo vonë. Ata njerëz mund të të hapin rrugë për të arritur aty ku do. Unë kam 12 vite karrierë prej ditës së parë që jam ngjitur në skenë  dhe deri sot.  Pavarësisht eksperiencave, projekteve të mia gjatë këtyre viteve, nuk do të thotë se nuk kam më vështirësi, ngase të gjitha i kam arritur vetë pa ndihmën e askujt duke mos e mohuar përkrahjen e familjes. E di që kam edhe shumë rrugë për të bërë sepse nuk kam marrë ende atë që dua dhe më takon”, thotë Smolica. Ishte vetëm 11 vjeç kur filloi gjithçka…hapat e parë në botën e muzikës, deri sa këtë të fundit ajo e kthye në sipërmarrjen më të qenësishme dhe serioze në jetën e saj. Nuk ishte vetëm çështje pasioni, por shumë shpejt kjo u kthye në profesionin e Vesës. Angazhimi i parë ka qenë në instrumentin e pianos, ku ajo vijon të investojë dukshëm, por vetëm kaq nuk mjaftoi. “Doja të më aprovonte dikush i fushës së këngës apo dhe kompozitorë që unë kisha vokal potencial, andaj mora pjesë në spektaklin “Gjeniu i Vogël” i cili ishte kulminacion i fillimit të karrierës në mënyrë profesionale. Më pas fillova të investoj ne bagazhin tim muzikor duke i shtuar atij këngë me të cilat u prezantova disa herë në festivalin Top Fest. Më pas u bëra pjesë e “The Voice of Albania 3”  në të cilën preka finalen, ishte një tjetër ngritje  në karrierën time sa i përket live-it. Karriera ime në muzikë tashmë njeh vetëm ngjitje, ku realizimi i këngëve të reja dhe videoklipeve hit, si edhe bashkëpunimeve dinjitoze me emra të njohur të artit, janë pjesë e profilit tim si artiste e re”, vijon ajo. Si një prej talenteve të reja me goxha karrierë premtuese në muzikë, eksperiencat në spektakle, festivale, mbrëmjet muzikore, bashkë me bandën e saj artistike, si edhe interpretimet live, e kanë forcuar më së miri aspektin e asaj artistik dhe profesional ndër vite.