Nëse doni që ditët e 2016-ës, t’ju mbeten gjatë në kujtesë, prenotoni një fundjavë pushimi në Gjenevë të Zvicrës. Një destinacion mbresëlënës, që ofron gjithçka. Nga shopping dhe orët e famshme zvicerane, tek atraksionet turistike si muzeumet, galeritë e artit, sakaq edhe një ushqim të shijshëm dhe djathë të mirë…
Çfarë të vizitoni: Pushimet tuaja, marrin ngjyrime të tjera nëse vendosni t’i kaloni në një qytet zviceran…Gjeneva është vendi i dytë më i madh i Zvicrës, dhe një destinacion kozmopolitan. Gëzon cilësimet e një qyteti ndër më të bukurit e Evropës, për shkak të dy liqeneve Rhone dhe Arve, një nga atraksionet absolute të turistëve, si edhe Alpeve përreth të mbuluara nga dëbora. Ky qytet është baza e shumë organizatave ndërkombëtare, gjithashtu ka restorante shumë të mira dhe plot muzeume. Është qytet i pastër, efikas, dhe i sigurt, sidomos nëse vendosni të largoheni një fundjavë nga shtëpia për të shijuar mrekullitë e tij. I cilësuar shpesh si një destinacion biznesi, Gjeneva është absolutisht një zgjedhje ideale për një pushim të shkëlqyer në çdo stinë të vitit, por sidomos gjatë dimrit. Ofron një gamë të gjerë aktivitetesh argëtuese, restorante ku serviret ushqim i shijshëm, bashkë edhe me pijet tradicionale të zonës. Dyqanet me koleksionet më të fundit të veshjeve, si edhe aksesorë të çmuar, por sidomos orë zvicerane të një kualiteti maksimal. Aventurat që iu presin sapo të mbërrini në Gjenevë, janë ato tipike të mikpritjes, të një vendi që është i gjithi aty për t’u zbuluar nga ju. Parku Kombëtar i zaptuar nga gjelbërimi, sikundër edhe ndërtesa e Kombeve të Bashkuara, janë pikat kyçe të atraksionit për turistët e huaj që duan të zbulojnë një nga një vendet interesante të Gjenevës. Ndaj, mos e mendoni dy herë idenë e një udhëtimi të këtillë, ku veçmas kujtimeve të bukura, ju do të keni shumëçka për të diskutuar me miqtë tuaj rreth mbresave dhe emocioneve që vetëm një destinacion si ky mund t’jua ofrojë. Ne jua bëjmë më të thjeshtë udhëtimin, duke iu ofruar një guidë të plotë me vendet e duhura për t’u vizituar, ushqimet e shijshme për t’u provuar dhe një akomodim perfekt varësisht buxhetit që keni në dispozicion. Pushime të mbara!
Shatërvani Jet d’Eau
Një shatërvan i madh në qendër të Gjenevës, njëkohësisht një nga monumentet më të famshme të qytetit. Mbetet atraksion i veçantë për turistët e huaj.
Katedralja Saint Pierre
E cilësuar si shtëpia e adoptuar e Xhon Kalvin, një nga udhëheqësit e Reformës Protestante, kjo kishë është një nga godinat më të njohura të qytetit zviceran.
Muzeu Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq
Ky muze është aty për të na kujtuar se marrëdhëniet njerëzore janë në fokus të misionit humanitar të këtij muzeu ndërkombëtar të Kryqit të Kuq dhe Gjysmë hënës së kuqe. Ai u hap për herë të parë në vitin 1988 dhe iu nënshtrua një rinovimi të rëndësishëm në vitin 2011.
Muri i reformimit
Në vlerësim të shumë individëve, dokumenteve dhe ngjarjeve që shenjuan Reformën Protestante, ky mur është kthyer në një monument statujash, i cili ndodhet në oborrin e Universitetit të Gjenevës. Bëhet fjalë për statujat e William Farel, John Calvin, Theodore Beza dhe John Knox.
Muzeu Ariana
Është i njohur ndryshe si muzeu zviceran i Qeramikës dhe Xhamit, për shkak të morisë së veprave të artit, afro 20 mijë objekte, të akumuluara në një mijë e 200 vitet e fundit. Koleksionet prezantojnë elementë historik, gjeografik, artistik dhe teknologjik të prodhuara prej qeramike dhe xhami.
Salla e koncerteve, Victoria
Performancat virtuoze të muzikës klasike, e bëjnë këtë sallë koncertore një atraksion për turistët. E ndërtuar në periudhën e viteve 1891-1894 nga arkitekti John Camoletti, kjo sallë i është dedikuar Mbretëreshës Viktoria, dhe është ideuar për nder të saj.
Kështjella Gryeres
Një ditë e shpenzuar në këtë zonë, ku elementët historik ndërthuren me shijen e jashtëzakonshme të prodhimeve të djathit dhe çokollatës, e bëjnë eksplorimin e kësaj kështjelle, një sensacion më vete për çdo turist.
Ora e luleve
Prej 45 vitesh, ora e luleve në Gjenevë, mban vendin e parë si ora më e madhe në botë sa i takon dimensionit dhe varietetit të luleve që formësojnë këtë orë kaq të veçantë.
Sheshi Bourg du Four
Është zemra e Gjenevës dhe sheshi qendror i këtij qyteti. Me një mori dyqanesh, kafenesh e restorantesh, ky shesh cilësohet si epiqendra e qëndrimit për turistët e huaj që duan të zbulojnë më shumë për këtë vend.
Hotel Beau Rivage
Eleganca dhe luksi janë baza e akomodimit të këtij hoteli, në të cilin kanë qëndruar emrat më të famshëm të botës së biznesit, kinemasë dhe yjet e show bizit botëror. Shijojini disa ditë qëndrimi në këtë hotel. Ia vlen!