Në botën e modës ekziston një shprehje: “Vetëm një grua e kupton stilin e një gruaje tjetër, ndaj ajo mund të dizenjojë veshjet që i përshtaten”.
Tani, imagjinoni dy gra, të cilat bashkojnë forcat, kreativitetin dhe klasin e tyre, duke themeluar “Attico”, një brand i krijuar nga gratë për gratë.
Gorgia Tordini dhe Gilda Ambrosio kanë patur guximin dhe superfuqinë tipike të gruas dhe nga skicat e zakonshme, ia kanë dalë të dominojnë stilin dhe pasarelat.

Giorgia Tordini dhe Gilda Ambrosio

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

 

 

Jeta
Giorgia Tordini ka lindur në Milano, në vitin 1987 dhe është diplomuar në “IED Design School” në qytetin e lindjes.
Partnerja në biznes e Tordinit, Gilda Ambrosio ka lindur në Napoli në vitin 1992 dhe aktualisht jeton në Milano. E diskutuar shumë për stilin e saj unik, Ambrosio është një prej stilisteve me më shumë influencë në Itali dhe përtej.
Vajzat u takuan nga një mik i përbashkët dhe nisën karrierën e tyre me themelimin e brand-it, pjesëmarrjen nëpër revista botërore dhe veshjen e yjeve të street-style.
Shumë shpejt ato ia dolën të “gjenin gjuhën” e përbashkët në biznes dhe lançuan koleksionin e tyre Vjeshtë/ Dimër në vitin 2016. Ky super bashkëpunim u shit masivisht në të gjithë botën, duke krijuar shtigje të reja për dy mikeshat e talentuara.

Attico, mendësia e re
I krijuar në Shkurt të 2016, “Attico” do të njihte një sukses të paparë, duke u rritur çdo ditë dhe duke pushtuar me rreth 140 showroom-e qyteteve me më shumë influencë në botë.
Dizajneret plotësojnë njëra-tjetrën, pasi Ambrosio përqafon veshjet e qëndrueshme, të cilat tregojnë forcë dhe karakter të pamposhtur, ndërsa Tordini preferon një stil më minimalist dhe klasik.
Magjia e dy mikeve të talentuara nuk mund të mos transmetohej në krijimin e një brand-i unik dhe sigurisht, mega stylish. Ambrosio dhe Tordini u frymëzuan nga fustanet e lirshme, të cilat gratë mund t’i kombinonin lehtësisht gjatë ditës, edhe gjatë natës, për t’u dukur plot stil dhe elegante.
Fustanet slip, materialet velvet dhe satin, të gjitha morën formë në studion e “Attico” (italisht: “attico”, anglisht: “apartament me papafingo”) dhe kështu, nuk vonoi aspak për të tërhequr vëmendjen me një stil të veçantë dhe të pazakontë.
“Attico” është një brand që shpesh i kthen sytë nga stili retro, duke na rikujtuar yjet e viteve 1940, apo siluetat femërore të viteve ’20. Kimonot antike, apo fustanet glamoroze të epokës më të ndritur të stilit, vijnë sërish në versionin modern.

“Ne dëshirojmë të sjellim lirshmërinë në rrugë” do të shprehej Ambrosio në një intervistë, e ndërsa Tordini ka plane të mëdha dhe vizionare, të cilat përfshijnë zgjerimin e “Attico” në një brand i cili bëhet pjesë e stilit të përditshëm, duke shtuar kështu edhe aksesorët dhe bizhuteritë.

Sipas dy dizenjueseve dhe themelueseve të “Attico”, një kimono e veshur mbi një T-shirt dhe e kombinuar me xhinse është një veshje e thjeshtë, por në të njëjtën kohë tërheq vëmendjen e të gjithëve. Çdo njeri do të dëshironte të vishte përditë veshje të rehatshme dhe “Attico” këtë sugjeron, duke i shtuar dozën e duhur të stilit.

Brand-i i jashtëzakonshëm aspiron të na e sjellë modën si një manual dhe më e rëndësishmja, të kthehet në një mendësi, e cila përqafohet nga të gjithë.

Çdo veshje ka si qëllim të na mësojë diçka dhe të bëhet pjesë e pandarë e identitetit tonë.

error: Content is protected !!