Industria e modës dhe e fashionit në vendin tonë është një skenë e madhe, në të cilën sfilojnë shumë aktorë që mundohen të sjellin artin e tyre të përbërë nga ngjyra, materiale, prerje, kombinime, por mbi të gjitha shumë pasion. Në një intervistë ekskluzive për Elegance, Javi na rrëfen eksperiencën dhe dashurinë e tij për modën.
Ai është i vetmi dizenjues çantash në të gjitha trevat shqipfolëse dhe për këtë meriton një duartrokitje të madhe!
Xhavid Novolani është trashëgimtari i një familjeje të njohur për mjeshtërinë e përpunimit të lëkurës. Pikërisht, kjo krijimtari e përcjellë ndër breza u kthye në asin e tij nën mëngë, sepse krijimtarinë e tij e çoi në një nivel më lartë, duke konkurruar mes emrave më të mirënjohur ballkanas dhe botëror. Në Tiranë e njohin nën logon Jawii Bags, por duhet thënë se fama e tij ka prekur nivele ndërkombëtare, konkretisht në filmin, “Clash of the Vampires”, ai krijoi unazën dhe çantat për aktorët kryesorë. Ajo që e bën edhe më shumë intriguese punën e tij është gjetja me emrat që ai i vendos çantave. Ato kanë të gjitha emra femrash dhe Javi këtë e shpjegon me faktin se frymëzimi më i madh i botës janë ato, gratë dhe vajzat.
Është imazhi i tyre dhe kompleksiteti i figurës femërore që kthehet në muzë për artistin e aksesorëve. Njëkohësisht, i dallueshëm në stilin e tij është inkorporimi që Javi i bën elementit tradicional në punimet moderne, jo vetëm të çanatve, por edhe unazave që dizenjon. Ndërkohë, në treg, potencial i cili ka shprehur shumë interes për punimet e tij është Turqia, brand-e si “Vakko Damat” bashkëpunojnë me Jawii Bags. Ndërkaq, shqiptarët, kryesisht zonjat dhe zonjushat e diasporës, kudo që ndodhen tashmë e kanë një Jawii Bag në garderobën e tyre. Javi, falenderon shumë traditën e tij familjare, por duhet thënë se ai ka studiuar dizajn në Akademinë e Prishtinës, “Evolucion”, ka thelluar kërkimin e tij për përpunimin e lëkurës në Turqi dhe ka punuar për një vit në punishten artizanale të një prej mjeshtrave turkë të përpunimit të çantave të lëkurës, ndaj shumë sekrete të cilat Javi i ka përvetësuar janë përpunimi i gurit të diamantit që ai zotëron. Duhet thënë se guximi, besimi te vetja dhe padyshim talenti janë në ADN-në e Xhavid Novolanit, i cili nuk ndalet dhe na suprizon në çdo sezon të ri!