“Bëj atë që dashuron dhe s’do të punosh një ditë të vetme në jetën tënde”… kjo është një nga ato filozofitë unike dedikuar personave që janë në garë të vazhdueshme me kohën! Dhe nëse dita do të kishte më shumë se 24 orë, ata do e mbushnin atë vetëm me punë, për të marrë gjithmonë sadisfaksionin e dëshiruar. Briken Fejzullai është një personazh i njohur i kryeqytetit, nga ata që mund t’i takosh ditën dhe natën sepse i tillë është angazhimi i tij. Ai delegon rrallë detyra tek vartësit, deri ditën kur ka krijuar besimin e duhur tek ta. Zgjedh që gjërat t’i bëjë vet, në mënyrën e tij duke i qëndruar punës tek koka, 24 orë në 24. “Unë jam një njeri me pasione, dhe për fatin tim, puna që kam zgjedhur të bëj është ajo që dashuroj. Dhe si gjithë njerëzit me pasione, kur dua diçka, krijoj varësi prej saj. Ndodh edhe me punën, në këtë rast. E urrej ditën e diel, sepse është pushim. Domethënë nuk urrej pushimet, por adhuroj punën time”, thotë Fejzullai. Në sferën e sipërmarrjes private dhe atë menaxheriale, për të qenë i suksesshëm nuk duhet vetëm puna, por edhe idetë “avangarde” që të dallojnë nga bizneset e tjera simotra. Mundohet të ideojë gjëra të pakonsumuara në një treg të trafikuar siç është ai i bar-restoranteve. Sepse vetëm kështu do mund të jetë i suksesshëm. “Aktualisht merrem me menaxhimin e “Fusion Dining & Cocktails” i cili është një bar me standarde që do të konkurronin pa asnjë problem me bare të të njëjtit tip në Milano, Tokio apo New York. Ndërsa, para një muaji kemi vënë në jetë një projekt të ri për një pub konceptual, i cili quhet “You, me and Bukowski”. Çdo vend duhet të ketë identitetin e tij dhe kjo është pjesa më e vështirë në punën që bëj. Në të shkuarën kam menaxhuar vende si “Checkpoint Charlie”, “Pepper Lounge” dhe “Mai Tai Resort”, vijon Brikeni. Duket se çelësi i suksesit në punën e palodhur të Brikenit, është ai i ruajtjes së balancave. “Nëse nuk je i qetë, i çlodhur , i lumtur sa duhet, nuk mund të merresh me njerëz të cilët dalin për t”u relaksuar dhe për të harruar problemet e ditës . Hallet e tua duhet të rrinë pas portës, kështu që është mirë të merresh me kënaqësitë e tua vazhdimisht, në mënyrë që të transmetosh pozitivitet”, pohon 34 vjeçari.