Jil Sanders – Djalli vishet “minimal”

E kanë përshkruar si “Mbretëresha e minimalizmit”, sepse krijimet e saj dominohen nga mungesa e ngjyrave apo dekoreve të ekzagjeruara.
Linjat e thjeshta dhe të drejta e kanë shoqëruar në 50 vitet e krijimtarisë së saj duke e kurorëzuar në një vend shumë të rëndësishëm në listën e stilistëve bashkëkohorë sipas “The Guardian”.

Jil Sanders është stilistja gjermane që përmes minimumit të mundshëm në dizajn, sjell në koleksionet e saj këndvështrimin socio-politik për dallimet gjinore, duke i luftuar ato përmes qindra koleksioneve të saj. Vlerësimi për punën nuk ka kaluar pa u vënë re dhe nga shteti gjerman, i cili e ka dekoruar stilisten me urdhrin “Nderi i Kombit”.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Jeta
Heidemarie Jiline “Jil” Sanders, lindur më 27 nëntor 1943, është një fashion dizajner e shquar për stilin e saj shumë të thjeshtë dhe ndikimet nga arti minimalist i arkitekturës gjermane, ku u lind e u rrit. Sot në moshën 74-vjeçare është një ndër emrat më të rëndësishëm të pasarelave të modës ndërkombëtare, ajo është gjithashtu themeluese e shtëpisë së fashion-it Jil Sanders +J.

Fillimet
Sanders themeloi shtëpinë e saj të modës në Rotherbaum, Hamburg të Gjermanisë në vitin 1968 dhe e vetmja gjë që kishte në atë kohë ishte makina qepëse e së ëmës. Koleksionin e parë e krijoi në vitin 1973 për Hoechst, një shtëpi mode lokale jo shumë e famshme në tregun ndërkombëtar dhe materiali që ajo përdori në atë periudhë ishte “trevira”, një copë shumë e dobët por që dukej e jashtëzakoshme në punimet e Jil.
Në vitin 1975 Jil Sanders do të kalonte një periudhë shumë të vështirë sepse industria e modës nuk po e mirëpriste aspak mirë stilin e saj të thjeshtë, kur në atë periudhë gjithçka dominohej nga ngjyrat dhe linjat e forta. Ndaj pasarela e saj në Plaza Athénée gjatë “Paris Fashion Week” të 1985 ishte thuajse një dështim. Kjo situatë e detyroi Sanders të shiste kompaninë e saj në bursën e madhe të Frankfurtit.
Mesa dukej Jil, vërtetoi thënien se fati është i guximtarëve sepse një pjesë e mirë e aksioneve të kompanisë së saj u blenë nga Linda Dresner, e cila ishte një njohëse e tregut dhe industrisë së modës. Kjo do të sillte edhe hapjen e një numri të madh dyqanesh nën siglën e Sanders. Nga Parisi në Londër, gjithçka duket se ndryshoi për stilisten gjermane e cila do të fitonte në fillim të viteve 90 plot 114 milion $, vetëm gjatë javës së modës parisiene.

Prada
Fundi i viteve ‘90 do ta gjente Sanders përpara një oferte shumë të majme të Prada Group. Ata i kërkonin 75% të aksioneve të kompanisë dhe gjithashtu ofertën për të qënë drejtorja kreative e grupit. Sanders nuk mundi t’i thoshte “jo” kësaj oferte që i trokiti në derë, por që do të rezultonte shumë jetëshkurtër.
Vetëm 6 muaj më vonë, pas një konflikti me presidentin e Prada Group, Patrizio Bertelli, ajo do të largohej nga drejtimi i kompanisë. Kjo ngjarje do t’i kushtonte shumë grupit sepse thuajse i gjithë stafi i krijuesve do të linin punën pas ikjes së saj. Sigurisht, kjo histori do t’i kushtonte edhe Jil Sandërs, ku një vit më vonë ajo pësoi një humbje monetare prej afro 30.4 million $ dhe u detyrua të shiste një pjesë të rrjetit të dyqaneve në Londër dhe New York. Gjithçka duket se u zgjidh vetëm pas 3 vitesh kur Bertelli e risolli Sanders në drejtim e Prada Group.

Mendoj se ka gjithmonë kërkesë për dizanjin “puro”, sepse vetëm kur arrin këtë epitet mund të kuptosh se nuk ke fare nevojë për dekore të shtuara.

Jil Sanders

Feminizmi joshës i “J”
Gjatë këtyre viteve, stili “gender-neutral”, pra veshjet pa gjini, ishin kryefjala e krjimeve të saj, që sillnin gërshetimin e delikatesës femërore me një siluetë mashkullore dhe tekstilet luksoze. Kjo ishte rruga që Sanders ndoqi për tri dekadat në vijim, e që duket sikur e kishte parashikuar në një intervistë të 1991, ku për Mirabella ajo shprehej: “Stilistët meshkuj i shohin gjërat shumë dekorativisht duke imagjinuar krijimet e tyre sipërfaqësisht. Ajo që unë kërkoj nga veshjet e mia është komforti dhe stili i mirëpërcaktuar për të shmangur sa më shumë të jetë e munndur dallimin gjinor, që shpesh bëhët i vështirë dhe i dëmshëm për shoqërinë tonë”. Ky citat do ta shoqëronte Sanders deri në 1997 kur për herë të parë do të sillte edhe koleksionin për meshkuj.

Luke dhe Lucie Meier drejtuesit kreativ të shtëpisë së modës

Shekulli i ri
Në mars të 2009, Sanders njoftoi krijimin e kompanisë së saj të konsulimit mbi modën. Kjo kompani menjëherë u bë e famshme në Japoni dhe u bë pjesë e Uniqlo, një markë për të cilën Sanders prodhon linja për vajza dhe djem nën firmën e saj, që tashmë është thjeshtëzuar, siç edhe stili i saj minimalist e kërkon “+J”. Koleksioni i parë do të shihte dritat e pasarelave në 1 tetor të vitit 2009 dhe do të parashikonte tregun Vjeshtë- Dimër të vitit pasardhës. 40 vepra arti për meshkuj dhe 100 për femra do të demostronin edhe një herë se krijimtaria e Sanders thyen çdo paragjykim.