Bota e shijes së Anisa Kadareja

“Është ndjenjë e veçantë të marrësh një ide, ta zhvillosh në biznes plan, financosh dhe më pas ta realizosh në vendin tënd. Nuk është vetëm kënaqësia e suksesit të realizimit të idesë dhe të qenit i pari, por ka të bëjë më shumë me vlerat që përcillen nga ky realizim. Do ta filloja me më të rëndësishmen, vlera e të ushqyerit shëndetshëm për të gjithë klientët e MIA-s. Klientët janë ata që na kanë mbështetur që në ditën e parë, 6 prill 2015, jo vetëm me besimin në misionin tonë, por edhe me këshilla dhe kritika që i ruajmë si thesar dhe mundohemi t’i vëmë në praktikë çdo ditë”, e nis kështu rrëfimin e saj, administratorja e Mia-s,  Anisa Kadareja. Ndryshe ajo njihet si ndër femrat e para sipërmarrëse në vendin tonë, që solli kulturën e të ushqyerit shëndetshëm, me produkte bio, të certifikuara nga ana e cilësisë, dhe mbi të gjitha me shumë vlera ushqimore. Gjithkush nga ne do dëshironte që të ushqehej në mënyrë të këtillë, duke mos e gjetur pa dashur veten në pyetjen e përditshme, se sa e sigurt ishte ajo që kaloi përmes stomakut sot, veçmas shijes. E përpos blerjes, si klient ku mund të drejtohesh në dyqanin e Mia-s, për t’u njohur nga afër me larminë e produkteve që ata tregtojnë, investimi më i ri i tyre është edhe në spektrin online, ku ndjekësit janë të shumtë, dhe vetëm me një klik mund jo vetëm të bëjnë blerjen e dëshiruar, por madje të marrin edhe një orientim për një recetë të caktuar, me aq produkte sa klienti ka blerë.