Në dyqanin e luleve “Belfiore” në Tiranë, të duket vetja sikur je në njërin nga dyqanet plot shije të luleve në Paris apo Vienë, ku ato janë të ekspozuara me kujdes në vazo qelqi mbi disa tavolina të mëdha prej druri, thua se janë vepra arti. “Belfiore” është i vetmi dyqan në Tiranë ku lulet mbështillen me letër të riciklueshme, një metodë standarde që sot përdoret në të gjithë Evropën.
Jeta e Aleksandër Asimit është ndryshe nga ajo “e tokësorëve” të tjerë, sepse është e lidhur fort me lulet, prandaj edhe ditët e tij janë të mbushura plot ngjyra dhe kundërmojnë erë jaseminësh nga ato që të kap hunda vetëm në kopshtet ekzotike. Por, a mjafton vetëm ky “flirt” që ai ka me lulet? Aspak! Për t’i dashuruar ato duhet të kujdesesh, vetëm atëherë përmbushet ajo filozofia e lashtë: kush fal një lule, merr mijëra buzëqeshje. “Gjithçka nisi 17 vite më parë në Greqi, aty nisa të punoj në një dyqan lulesh, por vetëm para 4 vitesh erdhi momenti ku edhe vendosa të kthehem në kryeqytet, i bindur se edhe shqiptarët kishin nevojë për të shijuar emocionet që dhuron falja e një buqete”.
Aleksandri e di shumë mirë se buqeta që po përgatit në dorë ka një mision të dyfishtë, që përmes vetëflijimit të dhurojë emocione apo të lumturojë dikë që e mban në duar. Kjo ka qenë arsyeja që në përgatitjen e buqetave të shtrira, një teknikë e njohur evropiane, ai i mbështjell lulet vetëm me letër të riciklueshme. Edhe pse misioni i një zambaku të bardhë të sapo ardhur nga Hollanda mbaron teksa dhurohet dhe fal buzëqeshje, luleshitësi pohon se të qenit ambientalist nuk është vetëm respektimi i ligjeve të shkruara, por një përulje ndaj ligjeve të pashkruara të natyrës. “Kjo formë paketimi është një standard që përdoret në të gjithë Evropën, por nga ana tjetër është një respekt ndaj luleve, respektimi i asaj që, edhe pse “vdes” rikthehet sërish nga toka gjithmonë përmes së bukurës nëpërmjet një cikli të përjetshëm”- rrëfen luleshitësi. Dëshira në rritje e shqiptarëve për të dhuruar sa më shumë lule për Asimin është një hap mjaft pozitiv dhe këtë ai e ndjen edhe atëherë kur pasi ka krijuar plot fantazi një buqetë merr si kompliment shprehjen “Të lumshin duart”. Dhe sigurisht ata kthehen sërish aty jo vetëm për një tjetër buqetë, por pasi janë kuriozë të shohin se deri ku shkon fantazia e stilimit të një tufe lulesh. “Buqetat me lule janë modë më vete. Lidhet çdo gjë me stinën. Ato i kompozojmë jo vetëm me ngjyrat, por edhe me fruta, gjithçka duke e përshtatur me qëllimin për të cilin ajo është destinuar të dhurohet”. Për të zbuluar sekretin e fundit të atyre që zgjedhin lulet tek “Belfiore”, më të preferuarat për shqiptarët janë trëndafilat dhe zambakët, paksa tradicionalë, por një përçojnë mesazhe të forta në duart e njerëzve të dashur, ku edhe ato dhurohen.