“TheSab Design House” është krijuar dhe ideuar me qëllim krijimin e një linje home decor (ëndërr adoleshence). Unë kam studiuar arkitekturë dhe që femijë kam qenë shumë e talentuar në pikturë dhe vizatim, të cilat u bënë shkas në zgjedhjen për studimet e mia.
Ka filluar nga pasioni, 4 vite më parë si “THESAB” (synimi: një blog arti/design-i/ arkitekture, ku unë ndaja në platformën time inspirime të ndryshme nga artistë, apo designers nëpër botë, miksuar me punë të miat, të cilat i kam prezantuar mjaft mirë nëpërmjet fotografisë. Mund të them që ka qenë profili i parë në Instagram, i kuruar maksimalisht me një temë minimale dhe estetikisht të bukur në vendin tonë. “TheSab design house” nisi me produktin e parë: pjata qeramike handmade, të cilat kanë qenë të konceptuara dhe pikturuara nga unë.
Për mua nuk ishte një produkt i thjeshtë, pasi unë zgjedh të jap nga shpirti im ndjesi në çdo gjë që krijoj. Koleksioni i parë ka qenë i përbërë nga 4 “vajza”: Amara, Valeria, Klara dhe Daisy. Piktura e aplikuar mbi pjata përkonte me karakterin e secilës prej vajzave imagjinare, frymëzuar nga eksperienca të përditshme.
Për momentin e kam stopuar prodhimin pasi jam duke punuar për një produkt me të sigurt, koleksion të ri dhe padiskutim më kreativ e më i pasur. Ishte një provë e parë, e cila rezultoi me sukses dhe u përqafua nga tregu më mirë nga sa e prisja. Po si perfeksioniste dhe e fiksuar pas estetikës, jam duke punuar shumë për t’i sjellë ato në një formë më të mirë dhe praktike, që do ta prezantoj shumë shpejt .
Një tjetër linjë e imja handmade është edhe “UNJEWELRY”, të cilën e kam ndërtuar me po aq dashuri sa çdo gjë tjetër. Për momentin nuk është e disponuesheme, pasi është bërë e pamunduar për mua që t’i ndjek të gjitha projektet njëkohësisht, por do të rikthehet në një moment të dytë.
“Design House-i” nuk përfshin vetëm produktin, por funksionon edhe si një “shtëpi” shërbimesh, të cilat prodhojnë design, si: social media (menaxhimi rrjeteve sociale në një stil unik e inovativ); branding, fotografi dhe interior design.