Udhëtimet dhe fotografia janë binomi që përbëjnë pasionin e Lena Nikolaj, e cila pothuajse çdo muaj rrëmben valixhet dhe niset drejt aventurave të reja, në shtigje, vende dhe kultura të panjohura, të cilat shumë shpejt “dokumentohen” në apratin e saj fotografik.
Të njihesh me njerëz dhe peizazhe të reja është padyshim një eksperiencë e jashtëzakonshme, për të cilën do të na flaës më shumë Lena, në një intervistë ekskluzive për Elegance.

Kur u dashurove me udhëtimet dhe “dokumentimin” e vendeve të reja?
Që në vegjëli kam qenë një vajzë kurioze dhe shumë aventuriere, andaj udhëtimi ishte hapi i radhës nga fëmijëria në një adoleshencë me ngjitje nëpër pemë, përfshirje në sporte dhe në situata të tilla të rastësishme. 3 herë jam hedhur me parashutë dhe “bungee jumping”, si dhe shumë aventura të tjera.
Më në fund, në moshën 24-vjeçare u fokusova në studimet dhe punën time në New York dhe kuptova sa pak kisha udhëtuar jashtë Amerikës. Për herë të parë shkova në Las Vegas dhe u njoha me një grup australian i cili kishtë udhëtuar në të gjithë botën për një periudhë 3 mujore. Pikërisht ky ishte momenti kur “aktivizova” fëmijën brenda vetes, e cila donte të vizitonte të gjithë botën dhe më në fund, po kjo dëshirë po realizohej.
Ndjesia që të përshkron kur zbret nga avioni dhe e gjen veten në një vend të ri, në të cilin nuk ke qenë më parë dhe përfshirja në kultura të reja të cilat të prezantojnë mënyra të reja jetese, janë emocione që nuk t’i mëson asnjë shkollë.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Në cilin moment e kuptove se pasioni yt ishte udhëtimi?
Pas 14 viteve udhëtova në Mal të Zi dhe u takova me familjen time, si dhe u njoha me anëtarë të familjes të cilët nuk i kisha takuar kurrë. Gjatë kësaj periudhe udhëtova në Kotor dhe mund të them se është një qytet mbresëlënës. Mendova: “Wow, çfarë po humbas tjetër nga bota?”.

Arti i kujt të frymëzon?
Fotografja ime e preferuar është Aida Dapo Muharemovic. Jam e dashuruar me aftësitë e saj të fotografimit të portreteve. Nuk është vetëm një fotografe e përkryer, por edhe një shpirt shumë elegant, me një stil vintage.

Çfarë të pëlqen më shumë nga puna jote?
Pjesa më e bukur e punës sime është se mund të shkoj ku të dua. WiFi është thelbësor në punën time dhe udhëtimi ka për të qenë gjithmonë pjesë e jetës sime.

Sa shpesh udhëton?
Përpara situatës së Covid-19, udhëtoja pothuajse çdo muaj. Mezi pres të rikthehem sërish në mënyrën e jetesës normale, pasi po bëhet shumë i vështirë qëndrimi në të njëjtin vend. Gjithsesi, edhe në këtë periudhë ndihem shumë e bekuar.

Na trego muzën tënde të udhëtimeve.
Ëndrra ime është të jem si Chelsea Kuaui. Ajo më frymëzon të jem më e sjellshme, e vërtetë, e guximshme dhe kreative. Në fakt, është e vështirë të zgjedh vetëm një person që më frymëzon. Adhuroj gjithashtu edhe Renee Roaming, për vendet e mahnitshme ku ka bërë hiking dhe për faktin se është një mentore fantastike.
Në fund, edhe Christina Galbato, sepse ka udhëtuar në të gjithë botën, gjithashtu është një mësuese dhe businessëoman e suksesshme. Ky kombinim më inspiron tej mase.

Cilat janë gjërat pa të cilat nuk udhëton dot dhe janë gjithmonë në valixhen tënde?
Kremi hidratues dhe tharësja e flokëve, sepse lëkura dhe flokët janë super të rëndësishme.

Cili është qyteti apo vendi yt i preferuar? Pse?
New York! Sepse kam jetuar atje qëkur kam qenë 9 vjeç dhe nuk kam përjetuar kurrë një moment “të vakët”. Sa herë që kthehem nga ndonjë udhëtim, jam shumë e emocionuar të rikthehem në shtëpi. Ka gjithmonë gjëra të reja për të bërë dhe takon njerëz nga e gjithë bota. Mendoj se New York-un duhet ta vizitojnë të gjithë, të paktën një herë në jetë.

Nëse do jetoje në një vend përgjithmonë, cilin do të zgjidhje?
Përfundimisht Hawaii. Së bashku me të dashurin tim, po planifikojmë të zhvendosemi atje në vitet e ardhshme. Më pëlqen shumë ideja e të pasurit një shtëpi të rrethuar me palma, pranë oqeanit dhe ujëvarave. Më pëlqen fakti që është pjesë e Shteteve të Bashkuara, por sërish kultura e tyre është kaq e bukur dhe e patrazuar me atë të pjesës tjetër.

Sipas teje, cili vend është një “parajsë” për fotografët?
Për mendimin tim, India. Nuk kam qenë kurrë atje por duket sikur ka rrëmbyer zemrat e të gjithë fotografëve. Së pari, ka ngjyra fantastike! Kam fotografuar dasma indiane në New York dhe vetëm prej këtyre festave mendoj sa i bukur do të jetë udhëtimi drejt këtij vendi kaq unik. Ka një kulturë shumëngjyrëshe, rrugët janë plot jetë, kulinaria e veçantë, si dhe tempujt dhe pallatet kanë kaq shumë detaje. Besoj se ky udhëtim do të thyejë rekordin tim sa i përket fotove të shkrepura.

Më trego për problemet dhe vështirësitë që has gjatë udhëtimeve dhe fotografimit të vendeve të reja.
Kur kthehem në retrospektivë, besoj se jam me fat që mund të qesh mbi këto ngjarje. Vitin e kaluar, për një muaj jetoja në Vienë së bashku me Ardin, të dashurin tim, pasi bashkëpunonim me “Flixbus” për një udhëtim në vendet e zonës Shengen. Kur po ktheheshim nga Gjermania për në Vienë, autobusi ndaloi në një pikë ku shiteshin sanduiçë. Ardi dhe unë ishim të uritur dhe vendosëm të merrnim një sanduiç. Papritur vumë re se autobusi po largohej me valixhet tona, çanën e shpinës ku kisha laptopin, kamerën dhe pajisje të tjera. Ishim të dëshpëruar dhe nervozë, duke menduar si mund t’i rimerrnim sërish sendet tona. Gjithsesi, e gjetëm mënyrën për t’u kthyer në shtëpi dhe për të marrë sërish valixhet e gjithçka tjetër. Sa shumë gjëra të mësuara nga gabime të shumta gjatë udhëtimeve!

Cila është kafsha më interesante që ke parë?
Ndoshta majmunët në Bali. Janë shumë të këndshëm, por duhet të kesh kujdes nga ato krijesa të vogla dhe dinake.

Të pëlqen të ecësh, të marrësh transportin publik apo atë privat?
Më pëlqen të eci. Duke jetuar në New York, kam mësuar sa e rëndësishme është ecja dhe kudo që shkoj mundohem të shkoj në këmbë. E adhuroj stërvitjen dhe besoj shumë se lëvizja është e rëndësishme për mendjen, trupin dhe shpirtin.

Na trego një eksperiencë të jashtëzakonshme, e cila të ka dhuruar gëzim për një kohë të gjatë.
Ah, janë kaq shumë! Por mund të them se kur kam studiuar Marketing Digjital dhe Fotografi në Bali, kam përjetuar një eksperiencë të paharrueshme, pasi kam mësuar shumë mbi industrinë për të cilën studioja. Kam takuar gjithashtu shumë blogger Instagrami dhe fotografë të mrekullueshëm, për të mos harruar edhe udhëtimet në vendet mbresëlënëse.

Si ka ndikuar Covid-19 në pasionin tënd?
Po filloj me të këqijat, që t’i heqim qafe. Lashë pezull shumë plane udhëtimi, nuk isha e frymëzuar për të shkrepur fotografi, pasi e gjithë bota po lëngonte në një situatë të tillë dhe për këtë arsye, nuk isha shumë kreative.
Përsa i përket të mirave, pas përkujdesjes për veten dhe procesit të “shërimit” gjatë karantinës, kuptova se dëshiroja shumë të hidhja hapa të rinj në karrirën e marketingut digjital dhe jam shumë e emocionuar për këtë.

Kur të mbarojë pandemia, cili vend kryeson listën tënde të udhëtimit?
Australia!

Kultura dhe kulinaria e preferuar?
Shqiptare dhe italiane! Do konsumoja çdo ditë pjata nga këto kultura.

Përpos New York-ut, cili është një tjetër vend që duhet të vizitojmë?
Indonesia, ndoshta mund të duket i mbivlerësuar, por ndjesia është reale.

error: Content is protected !!