“Nji mar nji mrapsht” është një emër shumë interesant, një metaforë mjaft e gjetur, e cila të mbetet në mendje. Sigurisht, kemi të bëjmë me një emër të pazakontë në vendin tonë. Cili është kuptimi simbolik dhe pse është përzgjedhur pikërisht ky emër?
Kjo është pyetja e parë që na bëjnë gjithmonë. “NjiMarNjiMrapsht” është mënyra e nisjes së punës me shtiza. Mund ta dëgjosh edhe si një llastik, një çorap, varet nga cila zonë e Shqipërisë është bashkëbiseduesi. Ne jemi nga Shkodra, ndaj emri i dyqanit i përket këtij dialekti. Eshtë e rëndësishme të tregojmë përkatësinë tonë, të mbështetemi te tradita e të mund të marrim më të mirën nga larmia e subkulturave që ka vendi ynë. Eshtë fat i madh që në një siperfaqe të vogël gjeografike, shumëllojshmëria në elemente të ndryshëm të kulturës është kaq e madhe. Kështu që emri i dyqanit tregon shumë, edhe besimin tonë se në jetë jo të gjitha ecin mbarë, ka edhe gjëra që nuk shkojnë, por që nuk mund të bëhen pengesë për të provuar nisma të reja. Një dyqan artizanati në 2014-ën e deri sot, sigurisht nuk është një përvojë e thjeshtë që gjithçka i ecën mbarë, por ja ku jemi, në përpjekje të vazhdueshme për të qëndruar në këmbë me dinjitet.
Si lindi ideja e krijimit të një hapësire të tillë, dedikuar punimeve artizanale?
Nuk kishte një të tillë, e ne jemi me parimin se kur një gjë duhet, mos prit të ta bëjnë të tjerët, por ngrihu e bëje vetë. E keni parasysh tekstin e këngës “Me jetu” të Vlashent Satës? Ja fiks ashtu ndiheshim ne në fillim të vitit 2014-ës, me shumë dëshirë për të jetuar duke bërë atë që na pëlqente e që modestisht, mendonim se mund ta bënim mirë.
Eshtë kohë globalizimi, por ai është monoton e të heq veçantitë që mbart secili prej nesh. Ecën rrugëve e shumë njerëz a mjedise janë të veshur e të arreduar njësoj, udhëton në çdo cep të botës e mund të kthehesh me të njëjtat dhurata që mund t’i kishe gjetur në qendrat tregtare të Tiranës. Jastëkët me copa pasqyrash që na kishin bërë përshtypje në Stambollin e fundviteve ’90, na i vrisnin sytë në pazarin e Krujës, bunkerët e bërë në Kinë ku shpesh edhe “Albania” shkruhej me gabime, dukeshin edhe më mjerane në vitrinat e dyqaneve në Tiranë, sesa ata të mbeturit si relike fushave e maleve të Shqipërisë. Ndjenim se kishte, e në fakt nisëm edhe të takonim shumë njerëz që provonin të bënin gjëra vetë, por s’dinin ku t’i çonin, çfarë materialesh të zgjidhnin. Shpesh ata na thoshin ” i bëj për qejf me çfarë gjej e pastaj ua fal të afërmve e miqve”. Duhet thënë që kjo e jona nuk qe një thirrje e brendshme e mirëfilltë biznesi. Ishte e vazhdon të mbetet një nevojë për angazhim social e kulturor në mbrojtje të gjërave të bukura e njerëzve duarartë që ky vend ka. Fatkeqësisht ende është veç një angazhim individësh, mbështetja e institucioneve nuk është aq sa do të duhej. Ose më mirë të themi, mungon ndjeshmëria, sepse ende nuk është kuptuar se artizanati mund e duhet të jetë një pjesë e fortë e tërheqjes për turistët në vendin tonë, ku përshembull ende gjen gra që punojnë pëlhurë në tezgjah e burra që prodhojnë shajak për qeleshe.
Përse keni zgjedhur të krijoni duke u frymëzuar nga motivet folklorike të Shqipërisë? Është një gjetje e mirë biznesi, apo një frymëzim që vjen natyrshëm dhe gjen strehë te punimet tuaja?
Në fakt punimet e mbështetura në folklor, nuk janë të vetmet që frymëzojnë artizanët tanë e kënaqin shijet e klientëve. Ka edhe shumë e shumë motive të tjera që kthehen në vepra arti e aksesorë funksional a dekorativ për njerëz e mjedise. Eshtë e vërtetë, veç që ato të krijuara mbështetur në elemente të traditës bien me shumë në sy e pëlqehen shumë tek ne. Kjo besojmë se ndodh për disa arsye: larmishmëria e elementëve, lidhja e njerëzve me vendin dhe dëshira për të treguar gjërat e bukura, lodhja e konsumatorëve nga prodhimet në masë, apo edhe deformimet e elementeve të traditës në suvenire të fabrikuara, dëshira për të dhuruar diçka të bukur, të bërë me dorë e që përfaqëson prejardhjen tonë, me fjalë të tjera; tek klientët tanë dhe përzgjedhjet e tyre gjejmë ditë pas dite mbështetje për besimin tonë dhe parimet mbi të cilat e ngritëm këtë dyqan.
Motivi i preferuar, i cili ju lë “dorë të lirë” për frymëzim dhe krijim?
Ka shumë, mjafton të hidhni një sy në galerinë e fotove tona në rrjetet sociale apo të na vizitoni në dyqan. Arti e kultura përthyhen në tavolinat e punës së çdo artizani që sjell më pas tek ne krijimet e tij origjinale.
Si është pritur prej të rinjve kthimi në autencitet dhe traditën tonë të vjetër? Ngjall interes ende tradita, apo shihet një frymë modernizmi e cila në një farë mënyre e ka zbehur magjinë e së shkuarës?
Në këto pesë vite ne kemi bashkëpunuar me thuajse 300 artizanë në gjithë Shqipërinë, por jo vetëm. Të rinj nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Italia, apo edhe Amerika, kanë zgjedhur dyqanin tonë për të sjellë në Tiranë krijimet e tyre.
Të rinjtë kanë qenë surpriza më e bukur e kësaj përvoje. Jo vetëm klientët e shumtë që janë kryesisht të rinj, por edhe artizanët janë arkitektë, studentë të arteve apo edhe të tjerë të rinj që e kanë pasion punën e dorës e që përbëjnë shumicën e atyre që bashkëpunojmë.
Perveç tregëtimit të krijimeve artizanale “Nji mar nji mrapsht” është praktikisht një “sekt” i cili ka mbledhur artistët dhe artizanët e rinj. Sa artizanë numëroni dhe si funksionon tregtimi i punimeve të tyre?
“NjiMar, NjiMrapsht” e nisi përvojën e tij në mbështetje të artizanatit pesë vite më parë, ideuar dhe menaxhuar nga ne, Manjola Lloja Bushati, sociologe e specializuar në fushën e komunikimit dhe Anisa Lloja, arkitekte e specializuar në ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Tashmë jemi të punësuar 3 persona dhe bashkëpunojmë me më shumë se 300 artizanë në të gjithë vendin.
Në fillim me një dyqan të vogël në rrugën “Kont Urani” në Tiranë, me një përvojë sezonale në pazarin e Gjirokastrës, e tashmë me një dyqan të madh në rrugën “Islam Alla”, po në Tiranë, kemi rritur fuqinë e shtuar në mënyrë të ndjeshme numrin e artizanëve me të cilët bashkëpunojmë dhe larminë e artikujve që tregëtojmë.
Duke ekspozuar e tregtuar punimet artizanale të realizuara në Shqipëri, kjo hapësirë që nisi si një dyqan, shërben edhe për të krijuar kontakte mes artizaneve, për të shkëmbyer përvoja e për të nisur bashkëpunime të reja.
Dyqani është tashmë edhe një hapësirë punëtorie. Ne ofrojmë workshope me programe të ndryshme sipas grupmoshave dhe temave, duke nxitur të rinjtë e fëmijët të apasionohen pas punës së dorës.
Interesi gjithnjë në rritje i artizanëve e klientëve tanë është shoqëruar edhe me nismat tona për të qenë më serioze ne raport me ta, duke ndërtuar marrëdhënie korrekte e duke mbrojtur prodhimet e tyre, por edhe duke prezantuar e advokuar për të drejtat e tyre në dalje të ndryshme publike dhe pjesëmarrje në veprimtari tematike. “NjiMar, NjiMrapsht” së fundmi është regjistruar si markë, duke shtuar kështu nivelin e seriozitetit në punën tonë.
Nga ana tjetër, duhet theksuar se kjo përpjekje e jona është vlerësuar jo vetëm prej tyre, por edhe nga institucione të ndryshme.
Media vijon të jetë një partner i fortë i nismës sonë në mbrojtje të artizanatit shqiptar, natyrës dhe traditës. Prandaj, duam të gjejmë rastin t’ju falenderojmë edhe ju për hapësirën dhe vëmendjen që po na jepni me këtë intervistë.
Për ditëlindjen e parë u zgjeruat edhe në qytetin e Gjirokastrës, në pazarin e vjetër. Cilat janë planet e ardhshme? Mendoni të keni një tjetër linjë në qytete të tjera ku punimet artizanale janë një traditë?
Do të donim të ishim në çdo qytet të Shqipërisë, në Shkodër, në Korçë, në Berat, në Sarandë e në vazhdim. Na duhet të punojmë për të gjetur bashkëpunëtoret e duhur pasi nuk mund ta bëjmë vetëm nga Tirana këtë, por me thënë të drejtën, ëndrra jonë më e madhe në rradhë është hapja e një dyqani në Prishtinë. Veç punë, vullnet e bashkëpunetorë të mirë na duhen!