Ato kurojnë imazhin e shumë personazheve publik. Janë profesioniste, me një karrierë të gjatë në Shqipëri, e jo krejt rastësisht identifikohen si tri emra të njohur në fushën e make-upit dhe kozmetikës në vend. Eni Lena, Elona Balaj dhe Linda Guri, rrëfejnë sekretet e ëmbla të një profili pune që i ka bërë për vete, jo dhe aq rastësisht…
Linda Guri, Butik Make Up Forever
Pasioni për të bukurën, është ngjizur qysh herët, e prej 12 vitesh po ecën në shinat e duhura të suksesit. Etja për ngjyrat, format, ka qenë shtysa kryesore që ajo e mori nga i ati, i cili kishte njohuri për pikturën, artin, një profil që ai e vazhdoi më profesionalisht me studimet në Liceun Artistik dhe Akademinë e Arteve të Bukura. Por, Linda Guri nisi fillesat e para në botën e make up-it gjatë gjimnazit, ku filloi të punojë në sallonin New Look Tina, ku aty krijoi hapat e para dhe hapësirat e nevojshme që të zhvillohej si make up artist. “Është një profesion shumë i bukur, të cilin mbi të gjitha e dua dhe e ndjej se gjithmonë kam shumë për të dhënë dhe për të mësuar. Rrjedhimisht çdo ditë ka diçka ndryshe. Është si një botë eksploruese ku gjithë kohës ke dëshirën për të rrëmuar në produktet e reja kozmetike që qarkullojnë, në ngjyrat, në tonet e ndryshme, sofistikim që ka ardhur i dukshëm kohë pas kohe. Prandaj e dua shumë përditshmërinë dhe punën time”, thotë Guri. Por, edhe pse ka një karrierë 12 vjeçare, sërish beson me këmbë në tokë, dhe në një karrierë të sigurt, ku shkallët ngjiten një nga një. “Mendoj që profesionist është një fjalë shumë e gjerë dhe që gjithmonë ka vend për t’u përmirësuar, përditë e më shumë. Unë e kam filluar këtë profesion para 12 vitesh dhe akoma mendoj që është një botë e tërë për make up që nuk mbaron. Ka çdo vit, çdo sezon teknika të reja, produkte te reja”, vijon ajo. Pjesa më e bukur në punën e saj, është kur nis eksperimenton me make up artistik, jashtë normales. Transformimi i jep më shumë doza frymëzimi dhe kënaqësie. Të shumtë janë klientët që gjejnë veten tek shijet dhe stili i saj, besojnë çdo sugjerim të Lindës, andaj dhe ajo nis e zbulon në detaje një botë të tërë plot ngjyra. E krahas, sekreteve të vogla profesionale, e sapo kthyer nga një trajnim i fundit i Make Up Forever, frymëzimi për këtë sezon është nuanca e orkidesë, në të gjitha variantet e ngjyrave. “Viola, e verdha, ngjyrë salmoni, pink, etj, ngjyrat femërore përfaqësojnë këtë sezon pranverë/verë 2016. Dhe nëse doni të jeni IN me tendencat e fundit të make up-it, mos iu ndani këtyre ngjyrave”, përfundon ajo.