Blerim Destani: Sprovat e mia

Aktori i suksesshëm shqiptar, me famë botërore, “stylish boy”dhe mashkulli i adhuruar nga shumë femra,  rikthehet në arenën e protagonsitëve që lënë gjurmë pas çdo interpretimi. Në një rrëfim që të afron me një tjetër dimension, që atij natyrshëm i përket…Të Blerim Destanit ndryshe, krahas chack-ut të regjistrimeve e sheshit të xhirimeve, të djaloshit që veçmas aktrimit, grishet nga pasionet. Ai zbulon detaje nga pushimet e kësaj vere, miqësitë, dashurinë dhe nocionin për femrën ideale…

Prinicipi i sagës së roleve të tij, ka qenë thuajse i njëjti nga njëri interpretim tek tjetri…Dëshira për t’ju bashkuar petkut të aktorit, nuk e ka kushtëzuar të dal jashtë lëkurës së tij, të Blerimit që interpreton jo sepse në dejet e tij rrjedh talenti dhe pasioni për artin, por sepse për të shpalosur mjeshtrin e figurës dhe fjalës, i duhet të cek terrene të njohura më herët për të. Si në rastin e Bekimit tek filmi “Amsterdam Express”, djaloshit fatkeq, i cili duhet të mbijetojë për të siguruar të ardhura të mjaftueshme që do e ndihmojnë për të ndërtuar një jetë tijën. Ky nuk është Blerimi që njohim sot, pasi jeta e aktorit me origjinë shqiptare është në shinat e duhura prej disa vitesh, falë përkushtimit pas çdo protagonizmi kinematografik. A gjithë,  ka veshje të shtrenjta, makina garash dhe orë luksoze, ndonëse ai e di përmendësh  se rrugëtimi nuk ka qenë assesi i lehtë. Ka shkelur herë në gjemba e gurë, e herë është përplasur në terrene të vështira ku i është dashur të sfidojë vetveten për të dal siç thotë ai, më i sigurt, më i fortë. Sepse sfidat kërkojnë energji të pashtershme për t’i superuar, e për të triumfuar si fitimtar…Ky është Blerim Destani në një rrëfim krejt të veçantë, ku e pashmangshme të mos flas për aktrimin, por sakaq zbulon edhe detaje nga pasionet e tij, nga dëshira për të spikatur falë punës së paepur, edhe pse talenti është guri i themelit në çdo sprovë që ka vulën e tij të suksesit. Ashtu, siç pëlqen të nxis dozat e adrenalinës me makinat e garave, shpesh e kaplon ndjesia e ndryshimit të pamjes, herë për shkak të roleve të reja që interpreton, dhe herë për dëshirë personale. Si në rastin konkret, kur shfrytëzoi udhëtimin e radhës drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për një projekt të ri kinematografik, njëherësh edhe për të realizuar një set fotografik me mikun e tij, Fadil Berisha. Fotot ekskluzive shpalosen në faqet e revistës “Elegance”, bashkë me një rrëfim që mund të lexohet me një frymë. Ah, jo pa kast, kemi nënvizuar planet e tij për martesë…Të afërta, ose jo?! Zbulojeni!

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Blerim, pikësëpari të cekim sezonin e verës që lamë pas…Cilat ishin pushimet e tua këtë vit?
Arrita të programoj pak kohë për t’iu bashkangjitur familjes time, e cila ishte me pushime në Turqi. Më duhet të them se vërtetë që e shijuam cilësisht atë pak kohë pushimi, pasi për shkak të angazhimeve të shumta nuk kemi mundësi të jemi të gjithë bashkë në një vend dhe në të njëjtën kohë.

Afërmendsh që për ju artistët, luksi i pushimeve të programuara fashitet sapo përfshiheni në projekte artistike. Të bezdisin, pushimet rastësore?
Le t’i rikthehem pak pushimeve të kësaj vere…Ditët e para, të jem i sinqertë ishin disi të çuditshme për mua, pasi që në mëngjes mund të zgjohesha, ashtu “kur të më dile gjumi” gjë që nuk ndodh kur nuk jam me pushime. Pastaj axhenda e ditës është plotësisht e lirë dhe ky po që ishte  një ndryshim i madh për stilin dhe mënyrën time të jetesës. Fillova të adaptohem  me atë lloj orari…Por, sapo nisi të më pëlqej e gjithë kjo, ditët e pushimit mbaruan dhe mu desh që të kthehem në rutinën e vjetër të përditshmërisë dhe angazhimeve të punës.

Dhe cilat do të ishin pushimet ideale për ju, me cilët persona pranë?
Koha është gjëja më e çmuar që ka çdo njeri, pasi edhe vet jeta lidhet me kohën. Kështu që unë preferoj që kohën time ta shfrytëzoj maksimalisht, prandaj edhe në pushime do ishte ideale që atë kohë ta ndash me dikë që vërtetë  e çmon dhe arrini që atë kohë ta emërtoni si “kohë e kaluar së bashku”.

Së fundmi, keni udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ishte një vizitë punë, ndonjë kontratë e re në horizont, apo thjesht një takim me Fadil Berishën  për të realizuar setin fotografik?
Fadil Berishën e kam mik, dhe e vlerësoj shumë për punën e tij. Por, edhe pse disa herë më ka ftuar që të jem para kamerës së tij në Neë York, për shkak të angazhimeve nuk mund të shkoja. Herën e fundit arrita që krahas vizitës sime për një takim zyrtar që kisha me një producent, t’i shtoj edhe pak kohë për t’u takuar me Fadilin. Dhe kështu mundëm të  realizonim edhe disa foto të çastit.

Roli juaj i fundit protagonist ka qenë në filmin “Amsterdam Express”. Interpretoni një shqiptar në kushte të vështira financiare, i cili duhet të emigrojë në Hollandë për të siguruar fondet e nevojshme që do ndihmojnë në ndërtimin e një shtëpie në vendlindje. Si u ndjeve në petkun e këtij personazhi?
Nuk i kam të panjohura rrethanat e tilla. Pasi fëmijërinë time e kam kaluar  në Tetovë. Por çdo sfidë që ka njeriu në jetë për të arritur më shumë është e njëjtë. Kështu që edhe në rolin e Bekimit u ndjeva mirë, por më duhet të them se kisha edhe bashkëpunim shumë të mirë me kolegët.

Do të cilësosh që kishte përkim mes Blerimit aktor dhe atij individit prej vërteti që përplaset në përditshmëri me vështirësi nga më të ndryshmet?
Aktori përherë duhet të gjej përkimet maksimale me rolin. Mua mu desh që të kthehem pak në kohë dhe të gjej çastet kyçe të rolit që i njoh mirë  dhe nëpërmjet çasteve të tilla e krijova edhe gjendjen emocionale të Bekimit protagonist.

A ka nota realiste si film?
Çdo përballje me sfidat në jetë, njeriun e bën më të fortë, pasi ai detyrohet të dyfishoj apo trefishoj energjinë e tij për t’i tejkaluar ato pengesa.

Dukshëm  ka disa elementë të ngjashëm me “The Wolf of Wall Street”, mirëpo suksesi i këtij produkti kinematografik nuk u provua si duhet për sa kohë që nuk mori një çmim Oscar apo jo?
Unë për vete nuk e kisha të preferuarin tim “The Wolf of  Wall Street”, për të fituar çmimin Oscar si filmi më i mirë…

“Amsterdam Express”, “Dosja K”,  “Koha e Kometës”, janë produksione kinematografike të cilët kanë një bosht që i bashkon mes tyre. Figura komplekse e shqiptarit, e cila shfaqet me problematikat që evokohen nga e kaluara në ditët e sotme…
Do shtoja këtu edhe filmin gjerman “Frauen” (Gratë) ku luaj një shqiptar që quhet Lis, që është komedi dhe pritet të del këtë vjeshtë në kinematë e Gjermanisë. Në çdo kohë, pra që nga e kaluara që e kemi të regjistruar në memorien tonë e deri në ditët e sotme mund të them se kanë ndryshuar vetëm rrethanat, ndërsa reagimet njerëzore janë po ato. Pasi janë këndvështrimet e brendshme në raport me rrethanat. Jam i lumtur që kam arritur që disa figura shqiptare t’i paraqes në kinematografinë ndërkombëtare.