E re dhe plot pasion! Gigliola Haveriku / Këngëtare

Gigliola është një “Kleopatër” e vërtetë dhe nuk i referohemi vetëm look-ut të saj, por edhe talentit të padiskutueshëm në skenë.

Pasioni i saj për muzikën ka lindur që në vegjëli, por që u finalizua me pjesëmarrjen në kompeticionin muzikor ‘’The Voice of Albania!’’. Talenti i saj shumë i vlerësuar nga publiku dhe takimi me Hot Club Tirana dhe anëtarët e saj: Valin Qerimaj (në violin), Ergys Halili (në bateri), Regis Laja (në tastierë) Flavio Lito dhe Arbër Çerri (në kitarë) ishte një hajmali për karrierën e Gigliolës. Hot Club Tirana ishin një bandë e re që kërkonin një vokaliste, ndaj Gligliola plot talent dhe sharm pasuroi grupin. I njëjti stil, vizion dhe pasion luajnë rolet kryesore në jetëgjatësinë e një bande, ndaj grupi i të rinjve gjallon me muzikën live për tashmë 2 vite. Pak Jazz, Gypsyjazz, BalkanJazz, Swing, Blues përbëjnë esencën dhe repertorin e bandës, por janë tejet të hapur edhe ndaj eksperimentimeve me rrymat e reja, sepse muzika nuk ka barriera. Kjo përzgjedhje vjen si rezultat i lirshmërisë që Jazz ofron, si një nga rrymat muzikore që të jep liri, improvizim, energji dhe shumë variacione. Në Jazz këndo dhe lëre ritmin të të rrëmbejë dhe pikërisht këtë bën Gigliola, duke e manifestuar lirshmërinë e Jazz te interpretimi dhe ekspresiviteti në skenë. Mos të harrojmë edhe kiminë që ajo ka me Jazzi-n, skenën dhe grupin!

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Për të gjithë admiruesit e bandës, Hot Club Tirana po punon për të pasur repertorin e tij. Edhe pse në përgjithësi performojnë covera, sigurisht që shtojnë elementet e tyre në cdo këngë. Gjithashtu, së fundmi banda ka publikuar edhe disa video muzikore të cilat me patjetër kërkojnë vëmendjen dhe suportin tuaj nëse Jazz është muzika që ju pëlqen.

Të kënduarit live tregon sa i afirmuar është një artist, si dhe në shprehjen e shumë emocioneve shpirtërore. A tjetërsohet shpirti juaj kur këndoni? Cilat janë ndjesitë që perjetoni?
Performanca Live ka tjetër ndjesi dhe emocione. Përjetimet e tua të kaluara marrin formë dhe shprehen me nota muzikore, ose në raste të tjera ti tjetërsohesh në lëkurën e një personi tjetër, behesh njësh me fjalët dhe tingujt.

Duhet ta jetosh dhe ta ndjesh ti njëherë e më pas ta përcjellësh te publiku, edhe kur ata e marrin dhe e prekin materialin që ti po jep, nuk ka kënaqësi më të madhe.