Emi Gliozheni, në gjurmët e prindërve

Fakti që pas shumë brezave me radhë, ata vazhdojnë ende të trashëgojnë një ”traditë familjare”, jo vetëm në fushën gjenerale të mjekësisë, por edhe në kuadrin e të njëjtit profilizim, bën të mendosh se kjo është rrjedhojë e natyrshme në çështjen e zgjedhjes së profesionit të jetës. Diçka që e bën veçanërisht të ndihet krenare, por sakaq edhe plot përgjegjësi për t’u përmbushur më tej, në rrugëtimin e suksesit, profesionalizmit dhe karrierës. Emi Gliozheni, është etaloni më i mirë përcaktues në raste të ngjashme me të sajat. Të ecurit në gjurmët e prindërve dhe brezave të mëparshëm, figura të shquara që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në fushën e mjekësisë, e bën atë të ndihet e plotësuar në një aspekt, por edhe e gatshme përpara detyrimeve dhe përgjegjësive që ka ky profesion.