Si një nga gazetarët më të njohura të kulturës në vend, ka ditur gjithherët të jetë në fokus të medieve, jo vetëm për shkak të angazhimit profesional. Nismat e fundit, në sferën private, birësimi i një fëmije, si edhe sipërmarrja e re në biznes, janë vendime që duket se i kanë ndryshuar plotësisht kursin e jetës, Fjodora Fjorës
Prej 18 vitesh, është një nga figurat më publike si pjesë e terrenit mediatik shqiptar! Numëron qindra emisione të realizuara me sukses, protagonistë të intervistuar nga ata më të rëndësishmit, tek artistët e rinj. Vet zhanri i gazetarisë që lëvron, nuk i lejon hapësira për të bërë armiq, ndaj me bindje pohon se miqtë janë më të shumtë në listën e raporteve që ajo ka ndërtuar në harkun kohor të këtyre viteve. I ka besuar instinktit në thuajse gjithë vendimet që ka marrë në jetë, duke nisur nga ato që i takojnë sferës profesionale, tek jeta private. Dhe pikërisht për këtë fakt, Fjodora Fjora është duke përjetuar një moment ndryshimesh rrënjësore. Nisma më e re, është ajo në fushën e biznesit, ku pasioni për kuzhinën e shtyu drejt hapjes së restorantit Nami Sushi, vendi më i ri në kryeqytet ku mund të shijosh ushqimet aziatike më së miri. Sakaq, edhe pse një mama single, ajo pohon se vendimet më të mira i ka marrë gjithmonë vetëm, pa zhgënjyer askënd! Si në rastin e birësimit të Alteos, djalit të vogël të Fjodorës, që i ka ndryshuar plotësisht stilin e jetesës gazetares së njohur. Tashmë, përditshmëria dhe jeta e saj është çështje prioritetesh, në fillim fëmija, familja e më pas gjithë angazhimet e tjera. Në këtë intervistë, ajo flet për nismën e re, për marrëdhënien me djalin e vogël, për dashuritë e momentit dhe projektet e ardhshme. Mos e humbisni!
Fjodora, së fundmi jeni përfshirë në një sipërmarrje të re në biznes. Një restorant në pronësinë tuaj. Pse vendosët ta hidhni këtë hap?
Ndoshta mendoj sepse është gjëja që do të doja e kam dashur gjithmonë në subkoshiencën time. Jo fakti të hap një biznes, por të kem një restorant timin. Duke qenë një natyrë që e shijoj ushqimin, gjithmonë kam menduar e dëshiruar të kem një të tillë. Sigurisht që restoranti Nama Sushi është një iniciativë e vogël, minimaliste në stil, por e guximshme në shije. Sepse mendoj që ata që e njohin dhe e duan kuzhinën japoneze dhe aziatike në përgjithësi kanë kultivim në ushqim. Ndaj, vendosa së bashku me një mike timen, që pse jo… le ta bëjmë këtë biznes e të bëjmë sa të mundemi për t’i shtuar Tiranës alternativa të reja dhe të shijshme.
Çështje të guxuari, në një treg të pa stabilizuar dukshëm për nismat e reja, apo prej kohësh e kishit menduar një angazhim të kësaj natyre?
Pikërisht këto ditë Nama Sushi mbush plot një vit që nga hapja e tij. Nuk ishte diçka që e kisha menduar, duhet të them se unë si natyrë jam pak impulsive në vendimet më të mëdha që kam marrë. I besoj instinktit tim, asaj që mendoj se unë e dua e që kam bindjen se ashtu si unë, do tju pëlqejë e do e shijojnë padyshim të tjerëve. Ndaj, dashuria për kuzhinën aziatike, u kombinua me idetë e partneres sime në biznes Alda. Dhe kështu me këmbëngulje dhe instinkt, që këtë mund ta bëjmë dhe t’ja dalim mendoj se diçka kemi arritur të krijojmë.