Marsela Çibukaj – E rrethuar nga dashuria

Ku ndodheni tani dhe me çfarë po merreni?
Ndodhem në Tiranë, në shtëpi ,duke pregatitur çantën për fundjavën e parë të 2015-ës në plazh me miqtë e mi. Më pëlqen pafund emocioni që më dhuron nisja drejt një udhëtimi qoftë ai edhe i vogël dhe jo shumë larg shtëpisë.

Cili është vendimi më i mirë që keni marrë ndonjëherë?
Të ndjek zemrën, të ndjek atë që ndjeja në vena sa herë që veshët e mi dëgjonin tingull…Pra, të merresha me muzikë dhe ta zgjidhja atë si dëshmitaren e çdo momenti të jetës time.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Kur e ndjeni veten më të lumtur?
Kur jam pranë familjes dhe pranë miqve të mi më të dashur,  kur rrethohem nga dashuria e tyre dhe u shpreh atyre dashurinë time.

Kur e ndjeni veten të trishtuar?
Kur shoh dikë në vështirësi, ose të trishtuar dhe unë nuk kam asnjë mundësi reale dhe konkrete për ta ndihmuar. Ndihem e pafuqishme dhe aty  kuptoj që lumturia ime ka të bëj shumë me lumturinë e të tjerëve që më rrethojnë.

Çfarë nuk do kishit hedhur kurrë poshtë?
Nga ana materiale janë shumë gjërat që s’do kisha hedhur ,si për shembull Radio Iliria-n që kishim në shtëpi kur isha e vogël. Zbulova vonë duke u rritur, që kujtimet duhen ruajtur dhe që gjërat e vjetra ruajnë vlera dhe bukuri që sot shumë pak gjëra të reja dinë të dhurojnë.

Kë doni më shumë?
Motrën time Jonidën, që sot është edhe shoqja ime më e ngushtë. Një raport i veçantë , i thellë dhe shumë i hapur, i pastër. Jam shumë krenare për vajzën e bukur dhe inteligjente që është bërë.

Cila është ajo gjë për të cilën do të thoshit: nuk do ta bëj kurrë?
Të cytja dikë apo diçka për të arritur diku. Më pëlqejnë gjërat e drejtpërdrejta dhe me meritokraci.

Cili është mëkati më i madh për ju?
Nga shtatë mëkatet mund të them me bindje që mëkatoj në tavolinë(qesh). Dëshira për gatimin dhe shijimin e pjatancave më të elaboruara është e parezistueshme për mua. Një pasion i vërtetë(qesh).

Cila është blerja juaj e fundit?
Bileta vajtje/ardhje për Tiranë/Romë për tek familja ime dhe bileta Romë/Bruksel për të shijuar me një nga kushurirat e mia “Karima”, 5 ditë festival “Rock Werchter” ku do performojnë artistët më të njohur botëror.

Cili është qëllimi i jetës?
Ta jetosh ashtu siç vjen, dita ditës, pa pendesa…