Nëse nuk ke një llogari në Tik Tok, sërish nuk mund të kesh shpëtuar pa parë një video virale që qarkullon kudo nëpër rrjete sociale. Duhet ta dini se tendenca që ka pushtuar tashmë Tik Tok dhe po përhapet masivisht nëpër të gjitha profilet e bloggers dhe fashion influencers, është ky fushtan i ëmbël me dizenjo luleshtrydhesh.
Në fakt, trendet virale të fustaneve nuk janë aspak të panjohura, pasi mjafton të kujtojmë fustanin me pika që mund ta gjeje te Zara për vetëm 50$. Verën e kaluar, ky fustan ishte kudo në Instagram.
Por le të kthehemi në vitin 2020, ku vera na sjell trendin më të ëmbël, fustanin me luleshtrydhe, i dizenjuar nga Lirika Matoshi, fashion designere me origjinë kosovare, e cila jeton në New York.
Ngjyra pastel dhe krahët e fryrë i japin një prekje shumë delikate stilit të përditshëm të vajzave të modës dhe ka rënë në sy të Tess Holliday, Birdie Philipps dhe shumë personazhe të tjerë të famshëm, që tashmë janë dashuruar me krijimin fantastik të Lirikës dhe shitjet janë rritur me 103% në websitet më të njohura.
E veçanta e fustanit është se përpos butësisë dhe dizenjos unike, fustani duket mirë në çdo trup, duke nxjerrë në pah siluetën e ëmbël dhe feminile. Duket se është një ëndërr prej luleshtrydhesh dhe të gjitha vajzat duken super të lumtura kur e veshin.