Hidden House Leather nuk mund ta fshehë dashurinë për lëkurën

Sipas fjalorit, fjala “lëkurë” mbart kuptimin: material i cili përpunohet dhe rezultati i këtij punimi janë prodhime si: këpucë, çanta, veshje, aksesorë, etj. 

Sipas “Hidden House Leather”, fjala “lëkurë” mbart një tjetër nocion: atë të krijimeve fantastike, të cilat me përkushtimin dhe dashurinë që Domeniko u jep, marrin formën e dëshiruar dhe rrëmbejnë zemrat e klientëve dhe jo vetëm.
Të dashurohesh me një material “të egër” e njëkohësisht kaq të veçantë sa lëkura, është padyshim një art më vete. Për këtë do të na flasë më gjerë Domeniko Limka, artisti i fshehur pas “Hidden House Leather”.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Si nisi ideja e një sipërmarrjeje të tillë?
Duke vazhduar studimet në Tiranë, lindi dëshira për bërë diçka ndryshe. Më tërhoqi pjesa e dizenjimit të logove dhe një pjesë të konsiderueshme të ditës e kam kaluar duke mësuar programe të ndryshme. Duke u marrë me dizenjime, filluan të më pëlqenin mjaft punimet prej lëkure që shikoja në internet.
Më pas, pas shumë kërkimesh, konstatova se në vendin tonë nuk kishte diçka të ngjashme. Aty filloi gjithçka.

Pse “Hidden House Leather”?
Që të krijosh diçka tënden në vendin tonë dhe në kushtet e një studenti, është mjaft e vështirë. Prandaj, teksa isha duke menduar për emrin që do të merte sipërmarrja, gjithashtu mendoja dhe vendndodhjen e punishtes. Arrita në konkluzionin se më e mira ishte të kthehesha në vendlindje dhe të shfrytëzoja një hapësirë të vogël të shtëpisë për të krijuar atë. Mes shumë emrave të menduar, ajo çka i shkonte më shumë përshtat punishtes time “të fshehur” në shtëpi ishte “Hidden House Leather”.

Çfarë ju shtyu të adhuroni dhe përpunoni lëkurën dhe një material tjetër?
Lëkura është material unik, sa i bukur aq edhe jetëgjatë. Të jep mundësinë të krijosh dizajne nga më të ndryshmet, duke mos përdorur asnjë proces mekanik. Doja të realizoja gjithçka me dorë, që te dizenjimi, prerja e materialit e deri te qepja.
Pasi gjeta lëkurat vegetable-tanned (të përpunuara jo kimikisht, të prodhuara në Toskana, Itali), ishte e pamundur të hiqja dorë nga krijimi i sa më shumë produkteve dhe dizajneve të reja. Një lëkurë cilësore jo vetëm krijon produkte cilësore, por gjithashtu lehtëson procesin dhe të fal kënaqësi gjatë punës.

Cilat janë hapat e përpunimit të lëkurës?
Lëkura Vegetable- tanned që kam zgjedhur të punoj është një lëkurë e cila përpunohet jo kimikisht. Një lëkurë gjatë përpunimit kalon në një sërë procesesh që e shndërrojnë atë në lëkurë të punueshme pasi meret nga kafsha. Në mënyrë që ajo të thahet por dhe te ruhet elasticiteti, shume taneri (vende ku përpunohet lëkura), zgjedhim të përdorin lëndë kimike gjatë procedurës ditore, ndërkohë lëkurat “veg-tanned” krijohen dhe marrin trajtën e tyre perfundimtare pas 2 muajsh përpunimi me dorë, me substanca dhe vajra krejtësisht bimore. Kjo i jep dhe një veçori këtyre lëkurave, që është dhe procesi “patina” (ku produkti prej lëkure, në kontakt me rrezet e djellit, me lëkurën e personit që e përdor, vendit ku mbahet etj, tjeterson ngjyrën).
Kështu, këto lëkura vijnë tek unë krejtësisht gati për t’u punuar. Dizenjimi i modelit, prerja, shpimi i vrimave per qepje, qepja dhe shume procese lëmimi, janë hapat që ndjek më pas deri në realizimin e produktit përfundimtar.

Si funksionojnë krijimet, dizenjon e zgjedh klienti apo këtij të fundit i serviren opsione të ndryshme zgjedhjeje?
Kryesisht punimet janë realizuar bazuar në disa modele të cilat zgjedh t’i dizenjoj (në menyrë që të jenë unike nga punimet e tjera të lëkurës). Frymëzohem nga shumë punues të tjerë më me eksperiencë se unë, nga të cilët “vjedh disa detaje”, por kryesisht më pëlqen të punoj me modelet e mia.
Shumë klientë dëshirojnë që të realizoj kuletat e tyre te vjetra por me lëkurën që unë përdor, të cilat gjithashtu i kemi realizuar (sigurisht ato që mund të realizohen me lëkurën që unë përdor).

E mbani mend porosinë e parë? Cilat ishin ndjesitë?
Porosinë e parë e mbaj mend mjaft mirë. Ishte një vajzë nga Tirana e cila dëshironte një portofol ngjyrë kafe (në lëkurën Pueblo), dhuratë për burrin e saj. Në fillim m’u duk disi e pabesueshme pasi ishte dhe fotoja e parë e reklamuar dhe po ashtu sapo kisha krijuar faqen në Instagram (e cila kishte jo më tepër sesa 70-80 persona që ndiqnin Hidden.House.Leather). Ajo porosi më dha shumë forcë për të vazhduar.

Sa e vështirë është të kesh sukses me një sipërmarrje handmade në Shqipëri? A vlerësohet ajo sa duhet?
Edhe pse e ditur shumë kohë më parë, pas situatës së krijuar nga pandemia në vend, qartazi u pasqyrua edhe njëherë fuqishëm se sa e vështirë është jo vetëm të hapësh, por dhe të mbash një biznes me punime dore në vendin tonë (ku fatkeqësisht shumë biznese të tilla u mbyllën). Ne shqiptarët e njohim të bukurën, veçantinë e punimeve handmade, cilësinë, por duhet ta vlerësojmë më shumë.

Përsa i përket pritshmërive tuaja, i ka përmbushur “Hidden House Leather”?
Një pjesë të mirë të logos që kam dizenjuar për “Hidden House Leather” zë shprehja “Remember why you started”. Këtë shprehje e kam vendosur aty që kur gjërat bëhen të vështira, të kujtoj pse unë nisa gjithçka.
Aty gjej dhe përgjigjen për pyetjen tuaj. Gjithçka nisi me dëshirën e madhe për të pasur produkte unike, klientë të kënaqur dhe gjithashtu unë të pëlqeja atë çka bëja. Dhe kështu mund të them “PO”, “Hidden House Leather” ka përmbushur pritshmëritë e mia.

Në përgjithësi, cilat janë reagimet dhe opinionet e klientëve?
Një nga opinionet më tipike është: “duken shumë herë më të bukura sesa në foto”. Shumë klientë, të cilit janë dhe më të preferuarit, ndalen në detaje për të vlerësuar përshembull: qepjen, logon e gdhendur apo inicialet e tyre, e deri tek aksesori i përdorur apo paketimi, etj.
Jam i lumtur që kam klientë të kënaqur dhe që vlerësojnë punimet dhe shërbimin.

Cilat janë planet e së ardhmes përsa i përket “Hidden House Leather”?
“Hidden House Leather” u krijua me shumë pasion, ngadalë, duke mos harruar qëllimin pse u krijua. Në të ardhmen ajo çka synoj, është që me të një njëjtin pasion dhe durim, të vazhdoj të përmirësohem, kjo duke realizuar produkte krejtësisht unike të cilat do të jenë linja e ardhshme që do të mbajë të stampuar logon e “Hidden House Leather”.
Edhe pse fatmirësisht kemi mjaft klientë nga vendet fqinje, një synim i madh është edhe shpërndarja e produkteve kudo nëpër botë.