Interneti është një hapësirë plot mundësi dhe argëtim, por si çdo hapësirë, nëse nuk keni kujdes, “ju bën gropën”. Për përdoruesit e zakonshëm, është e vështirë të mendojnë rreziqet që mund të vijnë prej tij, por nëse të kujtohet, bota është plot me mendje të liga që e shohin internetin si një avantazh që mund të mashtrojnë në anonimat, me qëllim vjedhjen e të dhënave, kërcënimet për qëllime përfitimi ose edhe cyberbulling.
Hapi i parë për t’u mbrojtur është të kuptoni që DUHET të mbroheni. Më pas, të informoheni rreth formave të mbrojtjes.
Ekspertët e Sigurisë së Informacionit të One Telecommunications, Elvis Prifti dhe Bleon Proko ju japin disa këshilla praktike se si të shmangni rreziqet:
Siguria e internetit (internet në shtëpi, shkollë, punë apo wireless publik) varet shumë nga çfarë do të aksesosh.
- Nëse ndodheni në një mjedis ku ofrohet shërbim wireless falas ose u ofrohet shumë personave të cilët nuk i njihni (në shkollë, kafene, mjedise publike), mos tentoni të hyni në asnjë llogari tuajën: as në rrjete sociale, as në llogari ku përfshihen të dhëna personale (të dhëna të shkollës, të dhëna financiare, personale, si psh. e-albania, etj), pasi dikush mund të kapë trafikun e internetit të gjeneruar prej jush dhe të arrijë të marrë fjalëkalimin tuaj. Nëse e keni të domosdoshme të hyni, sepse sapo bëtë një video që duhet ndarë patjetër në Tik Tok, përdorni një VPN (falas ose jo), e cila do të bëjë komunikimin tuaj të sigurt edhe në ambiente me internet publik. Ose, kërkojini mikut që ka numër One t’ju hapë Hotspot, sepse One ka rrjetin më të sigurt.
- Mos përdorni të njëjtin fjalëkalim në çdo llogari! E dimë që është shumë tunduese, por MOS E BËNI! Nëse një sulmues arrin të marrë atë fjalëkalim, BINGO, ai do të ketë akses kudo ku ju e keni perdorur atë.
- Vendosni fjalëkalime të cilat nuk gjenden lehtë. Duhet pasur parasysh që një haker do të tentojë të parashikojë se çfarë fjalëkalimi keni vënë, duke u bazuar në preferencat tuaja. Fjalëkalimet e para që tentohen janë: ditëlindja juaj, nga 1 tek 9 dhe anasjelltas, emri juaj dhe viti i lindjes, etj. Pra, asnjë fjalëkalim që e keni shumë të lehtë ta kujtoni. Dhe nëse mendoni se do të jetë e veshtirë që detajet tuaja të gjenden, kini parasysh që të gjitha këto të dhëna i keni postuar kohë pas kohe në rrjete sociale.
- Mos vendosni çdoooo gjë nga jeta juaj online. Kjo sjell 2 risqe:
o Së pari, dikush mund të marrë informacion rreth jush vetëm duke parë online. Do të dijë lokalin ku shkoni, me kë rrini, kush jeni, çfarë konsumoni, si e keni shtëpinë, etj. Ka pasur raste kur persona kanë treguar, pa dashje, edhe foto të kartave bankare, ose të biletave të avionit, nga të cilat kanë patur pasoja vjedhjesh apo anulimesh fluturimi.
o I dyti, është me postimet e pushimeve. Nëse ju postoni gjatë kohës që jeni me pushime, dikush mund ta shohë dhe të kuptojë se shtëpia juaj është bosh. Sapo i dhatë një ide se si mund t’i nxjerë paratë që të bëjë edhe ai pushime të mira. Kjo ka ndodhur shpesh.
- Pastroni cookies herë pas here sepse fjalëkalimet ruhen në browser dhe mund të gjendjen lehtë nga përdorues të tjerë.
- Bëjini update pajisjeve tuaja (PC dhe laptop-e, telefona dhe tablete). Përditësimet janë një përmirësim si nga ana e performancës, ashtu edhe nga siguria. Përditësoni Windows-in nga 7 në 10, pasi Windows 7 nuk ka më suport dhe për pasojë nuk ka më përditësime. Përditësoni kërkuesin (Google Chrome, Mozilla Firefox, Microsoft Edge, Opera, Safari, etj) sepse tek to kërkoni çdo gjë në internet, prandaj mbajini gjithmonë të përditësuara që të jenë të mbrojtura.
- Mos klikoni në links që duken të dyshimta. Nuk ekziston asnjë princ Nigerian që ofron pasurinë e tij! Prandaj, nëse diçka që ju ofrohet duket shumë e mirë për të qenë e vërtetë, me shumë mundësi nuk është e vërtetë.
- Mos instaloni asnjë aplikacion pa pasur siguri se çfarë është. Edhe nëse ju del njoftim që telefoni juaj do të bllokohet, mos instaloni gjë. Pyesni dikë me më shumë eksperiencë rreth këtij programi, pastaj vazhdoni nëse siguroheni.
- Mos shkarkoni programe të piratuara. CyberPunk është lojë shumë e bukur, por malware që futet tek ai nga dikush tjetër nuk është edhe aq i bukur. Me rritjen e ransomware-eve, ka shumë rrezik që PC juaj të enkriptohet (të dhënat mos të aksesohen dot më nga ju) dhe të kërkohet pagesë nëse do që t’i shohësh më fotot që sapo shkarkove nga celulari, pas kaq shumë kohësh. Dhe mos tentoni te shkarkoni RAM nga internet.
- Për sa i përket pikës më lart, ruani në dy vende të dhënat më të rëndësishme. Një kompjuter me ransomware mund të rregullohet me një riinstalim të sistemit operativ, por të dhënat nuk ju kthehen dot më. Kush rri e shkruan edhe një herë nga e para gjithë punimin e diplomës pastaj?!
- Mos lejoni vëllain ose motrën e vogël të blejë programe vetë në internet. Një fëmijë nuk mund të dallojë një program legjitim nga një malsomeware.
• Si përfundim, aplikoni filtra për më të vegjlit që keni në shtëpi. Ose, pse jo edhe për gjyshërit. Edukojini ata të mos flasin me njerëz që nuk njohin, ose nëse flasin, t’ju tregojnë rreth tyre. Këta persona mund të kërcënojnë ose bullizojnë fëmijët, e ndoshta mund të shkojë edhe më keq. Më mirë parandaloni një risk se sa ta luftoni atë.