Krenare Rugova: Nga sëndukët tek pëlhurat luksoze

30 veshje interesante, secila me detaje unike, që e bëjnë koleksionin e fundit të krijuar nga duart e stilistes kosovare, një sipërmarrje të veçantë profesionale që ka marrë vëmendjen e merituar nga bota mediatike, por jo vetëm! Pëlhura origjinale, copa të rralla që duken sikur janë nxjerr nga sëndukët e vjetër të gjysheve, e secili syresh prej tyre përcjell mirëfilli një histori për t’u rrëfyer. Kur këto  krijime mbarten në trup, si veshje që përkojnë me realizime speciale, pjesë e koleksionit të fundit të stilistes kosovare, çdo femër do të ndihej absolutisht e “përkëdhelur” nga eleganca. Në koleksionet e fundit të veshjeve, bie në sy prania e frudave, palëve të korrentit që shtojnë dozat e feminilitetit në look-un e çdo femre që zgjedh të vishet nga brendi i Rugovës. Sensualiteti sakaq, është i dukshëm, dhe përqafohet në çdo veshje të krijuar nga ajo, çka shpalos një përzierje të frymëzuar nga kultura në Paris dhe New York,  sakaq edhe gjithëpërfshirëse me detaje unike të kulturës tradicionale. Shumë prej copave të zgjedhura në koleksionin e fundit të stilistes, përcjellin edhe histori mbresëlënëse, madje disa kanë mbijetuar në nëntokë gjatë luftës, për t’u nxjerrë mandej nga njerëzit gjatë viteve të vështira në Kosovë. Ato u bën më pas pjesë punimeve të Krenare Rugovës, duke luajtur me ngjyrat, kontrastet, ndërsa përmes teknikës së qëndisjes, ato janë shfaqur edhe si modele të guximshme me motive gjeometrike. Brandi KR duket se krijon një harmoni perfekte të historisë, traditës, e ndërthurur me elementë bashkëkohorë.