Qyteti i tretë më i madh i Zvicrës, që gëlon nga turistët në çdo periudhë të vitit, me dyqane, kafene dhe restorante që të ftojnë të zbulosh shijen e një gastronomie të pasur. Lugano me motin e mrekullueshëm, është destinacioni perfekt për t’u eksploruar.
Çfarë të vizitoni: I pozicionuar në mënyrë të përsosur në një liqen me Alpet në krah, Lugano është vendi që ofron pak nga gjithçka. Provoni eksperiencën e të ngjiturit me teleferik në Monte San Salvatore ose Monte Bre për të shijuar panoramën me diell të liqenit, lumenjve, maleve dhe ndërtesave të shumta në zonë. Këto dy pika strategjike për turizmin, nuk joshin vetëm alpinistët apo të pasionuarit pas sporteve malore, por edhe turistët e thjeshtë që duan të shijojnë natyrën. Vizitoni kishat e qytetit, katedralet dhe Piazza della Riforma, për një aventurë ekspresive dhe të gjallë.
Mund të shijoni bukuritë e liqeneve duke lundruar me varkë, ose mund të ndaloni në një restorant me ushqim të shijshëm, që me gjasë do t’ju mbetet gjatë në mendje. Lugano, qyteti më i madh në rajonin e festës së Ticinës, nuk është vetëm qendra e tretë më e rëndësishme financiare e Zvicrës. Një qendër bankare dhe biznesi, por edhe një qytet parqesh e lulesh, vilash dhe ndërtesash të shenjta. Me dhunti mesdhetare, Lugano ofron të gjitha avantazhet e një qyteti fantastik. Lugano, i rrethuar nga male të shumta që ofrojnë pikëpamje të shkëlqyera nga çdo kënd. Qendra e qytetit historik pa trafik, ndërtesa të shumta në stilin italian të Lombardisë, muzeumet ekskluzive, malet, liqeni dhe një kalendar i mbushur me ngjarje artistike, ftojnë vizitorët të shohin pamjet, të thithin atmosferën dhe të shijojnë “dolce far niente” . Qendra e qytetit me sheshet dhe arkadat e saj të Mesdheut, ka shumë parqe me bimë nëntropikale, si parku Civico në brigjet e liqenit.
Nga shëtitorja liqenore, parku mburret jo vetëm me lulet e kamelias dhe manjolës, por edhe bimë tropikale të panumërta dhe vepra arti moderne. Turistët tërhiqen në këtë qytet të artit dhe arkitekturës sipas standardeve të larta të ekspozitave që organizohen çdo muaj. Në muzeun e artit të Zvicrës, ekzistojnë piktura nga Klee, Jawlensky, Renoir dhe Degas. Gjatë 50 viteve të fundit, rajoni i Ticinos dhe Lugano në veçanti, janë zhvilluar dukshëm në aspektin e arkitekturës. Përfaqësuesit më të njohur të shkollës “Ticino” janë Luigi Snozzi dhe Mario Botta. Marrja e një udhëtimi me varkë në Lugano është një mënyrë e mrekullueshme për të mbyllur ditën. Ekskursione të tjera janë në fshatin e peshkimit të Gandria, deri Monte Lema, Monte Generoso, etj. Rreth Luganos gjenden shtëpi të lashta, arkada elegante, kisha të mrekullueshme me afresket e tyre, shtigje piktoreske me kalldrëm: të gjitha këto fshatra do të mahnitin vizitorin me arkitekturën e tyre të shkëlqyer, pamje që të lenë pa frymë dhe natyrisht më të veçantët, restorantet me kuzhinën e tyre lokale. Këto vende të vogla janë lehtësisht të arritshme nga Lugano me makinë ose autobus, madje disa me traget, duke i bërë ato opsione fantastike të udhëtimit tuaj ditor. Prandaj, mos e lini pa ndërmarrë një aventurë të tillë mbresëlënëse, që do e shndërrojë vjeshtën tuaj në stinën më të paharrueshme për ju! Bëhuni gati!
Liqeni i Luganos
Ndryshe njihet si liqeni i akullt i Luganos! I pozicionuar mes jugut të Zvicrës dhe pjesës veriore të Italisë, pa asnjë dyshim që ky liqen është më i frekuentuari i këtij qyteti dhe në çdo periudhë të vitit i tejmbushur nga vizitorë të shumtë, vendas apo të huaj.
Katedralja San Lorenzo
E rindërtuar gjatë shekullit të 15-të, origjina romake e kësaj kishe ka kuriozuar gjithëherët turistë të huaj që vizitojnë çdo ditë qytetin e Luganos. Arkitektura e rrallë, prania e veprave të vjetra kishtare, është një atraksion më vete për këdo.
Muzeu Hermann Hesse
Është dëshmia e plotë e trashëgimisë së poetit, piktorit dhe novelistit gjerman Hermann Hesse. Në këtë muze gjenden jo vetëm vepra origjinale dhe punime të rralla të artistit, por edhe plot detaje të tjera nga jeta dhe veprimtaria e tij.
Shtegu i ullinjve
Nëse mendoni një ditë të kaluar në zemër të natyrës me pemët dhe ullishtat rrotull jush, ky është vendi i duhur! I njohur për morinë e ullishtave, ju mund të shijoni orë të tëra qëndrimi aty, nën shoqërinë e natyrës.
Parku botanik San Grato
Mijëra lloje lulesh, e shndërrojnë këtë park botanik në një nga destinacionet më të frekuentuara nga turistët në Lugano. Do të ndjeni magjinë e luleve, ngjyrave, aromave sapo të shkelni aty.
Restorant Metamorphosis
Një nga vendet më luksoze për të shijuar një vakt sipas dëshirës suaj! Me vendndodhje afër liqenit të Luganos, shef Luca Bellanca ju mirëpret me standardet më të larta të kulinarisë së Zvicrës, por jo vetëm.
Botega e Verës
Është një nga vendet më të frekuentuara në Lugano, për të gjithë adhuruesit e verërave të mira. Larmishmëri markash, shijesh, dhe një vend ku mund të gjesh verën e dëshiruar për veten, familjen, apo miqtë.
Botega e djathit
Për të gjithë të pasionuarit pas varieteteve të pafundme të djathërave, nga ato me origjinë zvicerane, tek ato italiane, por edhe më gjerë, kjo është botega ku mund të shijoni sipas preferencave llojin e dëshiruar të djathit.
Supa Minestrone
Një nga gatimet tradicionale, që mund të shijohet në kushtet e shtëpisë, ose edhe në çdo restorant të Luganos. Kjo supë përgatitet e gjitha me perime të ndryshme sipas stinës, dhe ka shije fantastike.
Peshk i marinuar
Nuk është një produkt sezonal, por mund të shijohet në çdo periudhë të vitit. Dhe ndër mënyrat më të veçanta, për ta shijuar peshkun në Lugano, është ajo e të marinarit me përbërës të ndryshëm, nga kripa, erëzat, llojshmëria e vajrave, etj.
Vanini Dolce & Caffe
I pozicionuar në një nga pikat strategjike të qytetit, me vizitorë të shumtë që e frekuentojnë çdo kohë, kjo kafene dhe ëmbëltore, duhet provuar nga ju nëse vizitoni Luganon.
Hotel & Spa Sassa
Do të ndiheni të përkëdhelur në çdo moment të ditës, nëse zgjidhni të akomodoheni në hotelin Sassa. Me arkitekturë moderne, me pamje të mrekullueshme që shtrihet para syve tuaj, me dhoma që ofrojnë kushte optimale për çdo klient, si edhe ambiente Spa dhe fitnessi, ky është vendi perfekt për ju.
Çokollatë Laderach
Shija dhe cilësia fantastike, e kësaj çokollate, ndër më të famshmet që prodhohen në Zvicër, e bën kaq të veçantë këtë markë të njohur. Mund të gjendet në disa shije, sipas preferencave, nga luleshtrydhe, tek çokollata e bardhë, lajthitë, etj.