Të lësh një simbol të përjetshëm apo një piercing unik në lëkurë nuk është më një tabu, aq më tepër në Shqipëri. Prej vitesh tashmë, tregu i tatuazheve dhe piercing është kthyer në një prej profesioneve që falin më tepër kënaqësi dhe që padyshim, shqiptarët e admirojnë pamasë. Ndërkohë që arti i të bërit tatuazhe “ka shpërthyer”, është kthyer në një profesion i cili nuk njeh më gjini. Ndonëse më parë ishte shumë e rrallë të gjeje tatuazhiste femra, në ditët e sotme numërohen plot të tilla në Tiranë.
Elegance ka intervistuar Marvin, për të rrëfyer eksperiencën e profesionit të saj në tregun shqiptar.
Si lindi e gjitha? Dëshira për tattto dhe piercing?
E para ka qenë dëshira për tatuazhe, ku nga telajot dhe letrat, mendova ta aplikoja në lëkurë një vepër arti, qoftë vizatim apo skicë. Duke parë edhe adhurimin për piercing, ndryshimet apo moria e zbukurimeve që ofroheshin jashtë shtetit, pse mos të aplikohej edhe në vendin tonë. Kështu, lindi nevoja për një studio profesionale, pasi në tregun shqiptar ekzistonte vetëm shpimi i veshit apo i kërthizës, ku normalisht higjena mungonte dhe një artist piercing nuk ishte prezent, menduam ta sillnim ne një risi të tillë dhe më shumë përparsi t’i japim piercing. Ta ofronim në Shqipëri cilësinë, pastërtinë, sigurinë, risinë e dizenjove e kombinimeve, me fjalë të tjera modelet që aplikohen jashtë shtetit, t’i ofrojmë edhe në vendin tonë, sigurisht, duke iu përshtatur kostos dhe buxhetit që Shqipëria suporton. E njëjta cilësi dhe siguri, në një çmim shumë më të ulët! Ne kemi mundësuar që të mos shkohet më jashtë shtetit, në Gjemani, Zvicër apo edhe Amerikë, por ta dekorojmë trupin e klientëve tanë me të njëjtën cilësi aplikimi edhe në Shqipëri.
Çfarë ka shërbyer si motiv për ta adhuruar punën tënde?
Shtysa më e madhë është arti! Duke qenë se një artist ka përzemër të shprehë kreativitetin në telajo, një artist si unë ka përzemër zbukurimin e trupit me anë të ngjyrave: tatuazheve, si dhe me anë të metaleve: piercing. Kombinimi i tyre më japin kënaqësi, në mënyrë që të dhuroj një imazh ndryshe, ku njerëzit kanë mundësi të kenë një look unik dhe shumë ndryshe të trupit të tyre, në varësi të zonës që dëshirojnë të kryejnë piercing. Fakti që adhuroj tattoo-t dhe piercing më kanë bërë që të kultivoj te vetja dëshirën për të mësuar çdo detaj të mundshëm, risitë e botës së tattoo-ve dhe piercing, dëshirën për të mësuar t’i kombinoj të dyja. Kjo më shtyu të jem edhe tatuazhiste, por edhe pierciere, të kem mundësi të sugjeroj diçka të veçantë dhe ndryshe për klientët e mi. Filozofia e tattoo-ve dhe piercing është unikja, krijimi i diçkaje të ndryshme në trupin tonë.
Cilat janë trendet e piercing gjatë gjysmës së vitit dhe cili trend është i preferuari yt?
Piercing më i kërkuar dhe i preferuar është ai i kërthizës (belly piercing), të cilin mund ta ekspozosh shumë bukur gjatë muajve të verës. Pastaj, një tjetër piercing që unë preferoj është ai që dekoron zonën e veshit, ku disa variante mund të jenë “conch piercing”, “flat piercing”, që janë zona që nuk njihen aq shumë dhe mund të kombinohen shumë bukur me tatuazhet. Një piercing që për mendimin tim është i nënvlerësuar, por është një alternativë shumë e mirë që shkon shumë edhe me tattoo-t, është “microdermal piercing”, i cili kryhet në zona të ndryshme të trupit dhe mundëson një pamje shumë unike.
Cilat janë këshillat e tua për personat që dëshirojnë të bëjnë piercing, por nuk guxojnë?
Piercing nuk është i frikshëm në vetvete. Është thjesht një shpim 1 sekondësh! Nëse kryhet pastër, saktë, higjenik dhe me materialin e duhur, piercing nuk është aspak i frikshëm. Normalisht, do përkujdisin e duhur, nëse mund ta krahasoj me larjen e fytyrës; nëse dëshiron një fytyrë të pastër dhe pa probleme, kujdesesh për të, e njëjta gjë edhe me piercing. Dhimbja është minimale, është pak a shumë si pickim. Specialisti di të kryejë një shpim aq të shpejtë sa dhimbja është e pakonsiderueshme.
Unë sugjeroj të guxoni, të mos keni asnjë frikë dhe barrierë, përkundrazi, zbukuroni trupin tuaj në mënyrën që doni!
Cilat janë avantazhet dhe disavantazhet e të bërit art tattoo dhe piercing në tregun shqiptar?
Duke qenë se jemi studio që kemi sjellë risi në botën e piercing, referuar pastërtisë dhe sterilitetit, ku puna kryhet me mjete një përdorimshme, ku piercing cilësor titanium, joalergjik vjen me një gamë të gjerë përsa i përket spektrit të ngjyrave që titanium ofron, duke prezantuar kështu shumë mundësi zgjedhjeje, mund të them se kemi sjellë një mega risi në Shqipëri, ku kjo “kulturë” e piercing mungonte dhe mund të gjehej vetëm në studio cilësore jashtë shtetit. Ne menduam ta ofronim në vendin tonë diçka të tillë dhe kjo përbën ndoshta një prej avantazheve më të mëdha, që ndikon në mënyrë direkte në suksesin tonë si studio.
Disavantazhet vijnë nga bota e tatuazheve, pasi ka një sërë studiosh të afirmuara dhe të njohura, ndaj ne jemi fokusuar te piercing, pasi shumica mendojnë se nuk merr infeksion nga një shpim i thjeshtë, por faktikisht nuk mund të kryehet nga kushdo, kurdo. Nga çdo lloj shpimi, në çdo zonë të trupit, nëse nuk punohet pastër dhe shpimi nuk kryhet nga mjetet përkatëse dhe të sterilizuara, mund të rrezikohet që prej një infeksioni të thjeshtë, deri te infeksione si HIV. Kështu, shpimet duhet të kryhen nga një studio e specializuar, jo në parukeri, ose shtëpia e dikujt, nuk kemi asnjë siguri higjene. Ne sigurojmë për klientin sterilizim, siguri maksimale dhe mjete njëpërdorimshme dhe sigurisht, një “guidë” higjene me informacion për një shërim sa më të shpejtë dhe të mbarë.