Ku ndodheni tani dhe me çfarë po merreni?
Është ora 5.30 e pasdites dhe ndodhem në shtëpi. Pasi erdha nga puna drekova me fëmijët. Ata filluan detyrat, unë hapa emailin.
Cili është vendimi më i mirë që keni marrë ndonjëherë?
Të bëhem pianiste. Është tipik rasti i thënies: zgjidh një profesion që e ke pasion dhe ti nuk do punosh kurrë. Të luaj në piano, të jap mësim duke folur për muzikën është një gjë kaq e bukur dhe aspak e mërzitshme.
Kur e ndjeni veten më të lumtur?
Ka raste kur lumturia të vjen si dhuratë, por përgjithësisht është arritje. Jam e lumtur kur pas një përgatitje të gjatë koncerti del me sukses, kur njerëzit më takojnë më pas dhe më tregojnë se si muzika i ka prekur në zemër, i ka ngacmuar ndjenja të holla brenda vetes. Jam e lumtur kur ndjej që unë vet përmirësohem përditë.
Kur e ndjeni veten të trishtuar?
Natyrisht që trishtimi është pjesë e ditëve. Trishtohem kur më mungon shumë im atë që nuk jeton më, kur e shoh që nuk është kollaj të merresh më muzikë klasike në Shqipëri, kur nuk i jepet rëndësia dhe vëmendja vlerave te vërteta që ka ky vend.
Çfarë nuk do kishit hedhur kurrë poshtë?
Nëse bën diku një nder shkruaje në rërë, nëse një mik të bën ty një nder shkruaje në gur, më thoshte im atë. Jam mirënjohëse dhe nuk do harroja kurrë një nder, nuk do hidhja poshtë një miqësi.
Kë doni më shumë?
Familjen time, tre fëmijët dhe bashkëshortin tim.