Misioni i (pa) mundur i Valbona Selimllarit

Në katin e dytë të një apartamenti në fillim të bllokut të pallateve Agimi, Valbona Selimllari ka arritur saktësisht në kohë dhe ka nisur grimin: ka portretin e një pikture të Rilindjes, të cilën sa herë e sheh ke dëshirë ta vjedhësh.

Ajo është me shumë fat sepse i ka të gjitha: e bukur, e famshme dhe inteligjente, një ikonë e përligjur e Miss Albania dhe fituese e Miss Globe. E sikur të mos mjaftonte kjo e përkëdhelura Valbona ndryshe nga shumë prej nesh ka fatin të nisë gjithçka nga e para. Po, po, “Nga e Para”!
Ajo shfaqet si një zanë përrallash duke trokitur në një familje të panjohur së cilës i ofron një mrekulli. Pas katër ditësh shtëpia dhe jeta e kësaj familjeje ka ndryshuar. “Nga e Para” është patenta origjinale e reality show “Extreme Makeover”, licencuar nga Endemol dhe vendi ynë renditet i pesti në botë që merret përsipër nga Anima të realizojë organizimin e këtij produksioni prestigjioz. Gjithçka nis nga zero në një familje, jeta e së cilës ndryshon kryekëput Nga e para…! Ky produksion i “Endemol” dhe “Anima”, sjell një imazh krejt ndryshe, gati të panjohur, që në të vërtetë tregon portretin  e vërtetë të Valbona Selimllarit: humane, e ndjeshme, më reale se asnjëherë tjetër. Valbona rrëfen formulën e emisionit që drejton, sekretet e prapaskenave, marrëdhëniet me arkitektët, momente përzier mes skicash dhe idesh që vijnë plot emocione në ekran me një mision aspak të pamundur: t’i dhurojnë 12 familjeve shqiptare shtëpinë e tyre të ëndrrave…!

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Pas shumë vitesh në ekran shfaqeni në një format i cili duket sikur nuk ka lidhje me Valbonën që jemi mësuar të shohim, çfarë ju nxiti të pranonit?
Në fakt, ju thatë që duket sikur ky program nuk ka lidhje me Valbonën që njohim, por realisht ka shumë lidhje me Valbonën si njeri. Kjo është një nga arsyet që jam këtu dhe përse kam pranuar të jem pjesë e këtij programi. Në fillim kur mu propozua të prezantoja “Nga e Para” nuk pranova, sepse nuk kisha dëgjuar për çfarë bëhej fjalë. Me këmbënguljen e producentes mu desh të dëgjoja historinë dhe që nga ai moment, në pak sekonda pranova. Ky format është shumë njerëzor, shumë social dhe ka lidhje me mua…!

Kjo do të thotë që nuk e kemi njohur Bonën tjetër?
Bona është ajo që shihni në ekran dhe ata që më njohin e dinë këtë, nuk jam një njeri që hiqet si dikush tjetër. Çdo gjë që shihni ka të bëjë me Bonën si njeri, jo me Bonën si prezantuese e një emisioni i cili e sjell ndryshe. Unë nuk jam ndryshe, jam ajo që jam në jetë, e njëjtë me atë që shihni në ekran. Ky emision të jep mundësi të jesh vetvetja, nuk ke nevojë të hiqesh si dikush tjetër, është një marrëdhënie njerëzore dhe unë e përjetoj me ato veti që ka Bona si njeri. Prandaj një nga arsyet që më kanë zgjedhur është pikërisht ajo që jam. Bëhet fjalë për një format reality show dhe producentët donin një njeri të vërtetë, këtë kanë dashur që të reflektoj në program.

Keni gjetur veten në këtë program apo ishte momenti të reflektonit një anë tjetër?
Nuk ka asgjë të qëllimshme dhe nuk e kërkova unë. Mua më kërkuan dhe për fatin tim, ky emision kishte një lidhje me mua. Pra, ishte thjesht një rastësi. Për mua nuk ka problem të jem në skenë apo jashtë saj, sepse përshtatem me çdo mjedis. Fakti që kam kontakte me njerëzit më bën të ndihem komode edhe në këtë emision, pasi komunikimi për mua është pika ime më fortë.

A mund të na shpjegoni si funksionon ky format televiziv?
Ne jemi munduar të gjejmë familje në nevojë dhe si fillim na është dashur të bashkëpunojmë me shoqatat që merren me bamirësi apo nëpërmjet të njohurve tanë për të identifikuar atë që duhet. Momentet e zgjedhjes së familjeve në fillim ishin të vështira, por më pas erdhi një lumë kërkesash në redaksi. Familjet domosdoshmërisht duhet të jenë në nevojë, në të kundërt “Nga e para”, nuk ka se çfarë të bëhet me ta.

Përse “Nga e para…”?
Pasi në shtëpitë e atyre që ne ndryshojmë nuk ekziston asgjë nga ato që kanë pasur dikur, gjithçka është e re, me përjashtim të ndonjë fotografie apo objekti që lidhet me mjedisin e vjetër vetëm shpirtërisht. Ata mbeten të shtangur kur hyjnë brenda, dalin dhe rishikojnë ku kanë hyrë, sepse gjithçka nis nga zero…!

A ka edhe kushte teknike?
Sigurisht. Ka disa kritere teknike që janë zgjedhur nga arkitektët në fillim. Koncepti i formulës së emisionit është që gjithçka të realizohet në 4 ditë. E marrim një shtëpi të hënën dhe të enjten në darkë e dorëzojmë tek familjarët, pra edhe shtëpia ka kritere që teknikisht realizohen brenda 4 ditësh.

Cili është roli juaj në këtë produksion, përpos asaj që shohim në ekran?
Shfaqem në momentin që jap lajmin e mirë. Pra, puna ime nis nga trokitja në derë derisa dorëzoj çelësat.

A jeni e pranishme kur diskutohet apo punohet?
Përzgjedhja bëhet nga redaksia, por më ndodh të jem aty. Kemi një grup arkitektësh të rinj, por të talentuar dhe krijues që kanë bashkëpunuar si ekip dhe më kanë lejuar disa ide… Edhe unë jap mendimin tim, është një punë që e njoh, pasi kam punuar drejtoreshë estetike në televizion. Edhe pse nuk kam mbaruar për pikturë, shpesh pikturoj, pra nuk më mungojnë idetë dhe ata i kanë pranuar ato.

A jeni e përfshirë emocionalisht?
Jam shumë e ndjeshme ndaj këtyre fenomeneve dhe gëzoj vërtet shumë kur bëhet mirë diku. Fakti që puntatën e parë arritëm të jepnim shumë gëzim dhe unë e përjetova atë gëzim 100 përqind brenda meje. Kjo ka të bëjë me mua, vjen nga brenda dhe nuk është e llogaritur. Ky emision ka shumë emocion, prandaj unë e quaj mision, i cili jep shumë gëzim dhe dashuri, e mbi të gjitha i dhuron një familjeje një jetë të re…!

Çfarë ju ka bërë përshtypje nga shtëpitë që keni vizituar?
Kur hyj brenda shtëpive që ne trokasim, të jem e sinqertë, nuk arrij të mendoj që në vitin 2011 ka ende shtëpi të cilat janë mobiluar që në ’80 me pllaka apo dollapë të vjetërsuara. Kur shkuam në shtëpinë e parë, e cila ishte e një familjeje intelektuale, burri profesor dhe gruaja veterinere, pashë një bufe që në atë kohë quheshin 11-mijëshe dhe unë i mbaj mend dhe pse kam qenë fëmijë. Gjithsesi ne nuk jemi shoqatë, por një ekip me një ide të arrirë dhe njerëzore, e cila ka si qëllim përveçse të ndihmojë 12 familje, të japë një mesazh të fortë: ata që kanë mundësi të ndryshojnë, le ta bëjnë.

Shtëpitë e ndryshuara a ruajnë elementin shqiptar?
Shtëpitë janë bërë gati luksoze: hyn brenda dhe sheh arredim me stil, dhoma me dizenjo të ri, një shtëpi të cilën as në ëndërr nuk e kanë parë, por vetëm në filma. Ata presin ndonjë ndryshim të vogël, lyerje apo ndryshim mobiljesh, por ne bëjmë ndryshim thelbësor: prishim muret (nëse ato nuk prishin punë) rishikojmë strukturën e arredimit, për t’i dhënë atyre një shtëpi të denjë për të jetuar.

Një shtëpi ëndrrash?
Po, tamam një shtëpi ëndrrash, së cilës nuk i mungon asgjë. Aty shpenzohen shumë para dhe kjo falë ndihmës së sponsorëve që sigurojnë mobiljet, pajisjet elektro-shtëpiake, deri tek hekurpunuesit që punojnë me dorë metalin enkas për dritaret e kateve të para.

Misioni i “Endemol” në këtë produksion ishte “përmirësimi i stilit të jetës”, sa do të ndryshojë jetën e shqiptarëve ky program?
Ne ju dhurojmë atyre një jetë të re me plot kuptimin e fjalës. Mjafton t’i shohësh se si jetojnë dhe çfarë ndryshimi marrin pas katër ditësh. Të gjithëve u ka rastisur të ndihen në siklet kur ftojnë një mik në shtëpi, sepse nuk kanë kushtet e duhura, prandaj ajo që bëjmë lidhet edhe me socializimin. Kur ata hyjnë në shtëpi shtangen, por edhe ndihen krenarë. Pra, ky emision na kultivon stilin e të jetuarit…!

Cila është marrëdhënia që krijohet me familjarët?
Ne kemi rregulla shumë të forta: izolojmë familjen në një rezidencë, pa i hequr  telefonin dhe i bëjmë të qartë se nëse duan të mësojnë se çfarë ndodh me shtëpinë e tyre, ndërpresim gjithçka. Përzgjedhja e familjeve është e vështirë, sepse nuk mjafton të jesh në nevojë, por ka disa rregulla. Gjithçka fokusohet tek ne, familja dhe shtëpia si objekt, pra e gjitha është një marrëdhënie.

Pas emisionit ka një lloj rikthimi për të kontrolluar si janë gjërat?
Gjithmonë. Ne jemi jo vetëm të obliguar, pasi në nxitim jo çdo gjë bëhet mirë. Por e sigurt është që e gjithë kjo nuk bëhet vetëm për show, pasi misioni është që gjithçka të bëhet në mënyrën më të mirë të mundshme. Gjëra të vogla në një shtëpi që mbaron për katër ditë mund edhe të ketë.

Si e kategorizoni si emision, ka imazh social dhe argëtues?
Mendoj se duke qenë shumë social, ka edhe momente argëtimi të cilat i bëjmë ne dhe i shijon publiku. Përkufizimi i saktë për mua: është argëtues për ne dhe shumë social për publikun, pasi ky është mesazhi që ne përçojmë tek shikuesit.

A është përshtatur formula juaj nga ajo origjinale?
Konsulentët që ndoqën puntatën e parë konfirmuan se ky format mund të përshtatet në bazë të vendit. Pra formati përshtatet në bazë të vendit, duke përfshirë edhe elementin folklorik.

Janë edhe 10 puntata, kërkesat e njerëzve janë prurje të dobishme apo tekanjoze?
Sigurisht, ka edhe nga ato që na bëjnë për të qeshur.