Në terapinë e aromave nga Esmeralda Prodani

Duket se jetesa jashtë vendit, e prezantoi me parfumeri të veçanta dhe linja të pa dëgjuara më parë, por që në Evropë asokohe ishin kthyer në trend. Kësisoj ajo u bë kliente besnike e tyre, duke u kthyer në një hulumtuese të vazhdueshme dhe plot pasion në fushën e parfumerisë dhe aromave. Esmeralda  Prodani, tanimë e ka çështje profesionale, për faktin se administron prej vitesh një prej parfumerive luksoze në kryeqytet që njihet si “Maison de Parfum”. “Forca që ato kanë për t’u bërë objekt i një bisede, për të të bërë interesante, për t’u ndier mirë, ngacmimi i humorit dhe gjendjes emocionale, shpesh të jep vetëbesim apo sensualitet. Parfumi evokon ngjarje, kujtime, lidhur me vendin dhe personat. Nëse kujtimi është i këndshëm, sigurisht që ndihem mirë. Parfumi ndikon në gjendjen time në mënyrë të çuditshme”, thotë Prodani.  Dhe përzgjedhja e aromës së duhur gjatë ditës, apo në evente të caktuara ku i duhet të jetë e pranishme, kthehet gati në një “lojë” atraktive, ngacmuese, pse jo! Njësoj si edhe me notat e pentagramit, me parfumet mund të krijosh një sintoni të plotë të gjendjeve emocionale që ato përcjellin sa herë që i sprucon dhe ky efekt bëhet më i dukshëm kur të tjerët ta vënë në dukje! Sakaq ndihesh plot stimë, dhe i motivuar për të eksploruar me të tjera aroma. “Ka raste që në mëngjes më duhet një parfum që unë e quaj “Happy” sepse më bën të lumtur. Një parfum më sensual, ekzotik do të jap ndjesinë e një femre të sigurt dhe joshëse. Një parfum i hedhur gabim ndonjëherë është fatal, përveç dhimbjes së kokës, të shkojnë të gjitha ters. Dhe nuk është i thjeshtë si rrobat që mund ta ndërrosh në çast. Shpesh është vështirë të hiqet. Nëse dua të tërheq vëmendje parfumi im do të jetë Memoir nga Amouage ose Skandal i Roja Dove. Për një parfum sensual do të zgjidhja Portrait of a Lady ose Oud Silk Mood i Kurkdijan”, vijon ajo, duke theksuar se parfumet i ndërron gjithmonë. Asnjë parfum nuk jep të njëjtin efekt përditë. Ai ndryshon shumë në varësi të temperaturës apo lagështisë së ambientit, të gjendjes emocionale, kështu që shfaqet nevoja të kemi më tepër se një parfum mbi komodinë. Është mjaft i ngjashëm me nevojën për të ndërruar veshjen në varësi të motit, humorit apo  rastit. “Momentalisht, po përdor Gardenian e Rojes (mbetem brenda shijes për parfume florale). Është i krijuar me shumë mjeshtëri dhe është pikërisht kjo zgjedhje që  më ofron ndjesinë e freskisë gjatë gjithë kohës së nxehtë”, përfundon ajo.