Arkitektura nuk shpik asgjë, por ka fuqinë e jashtëzakonshme që t’i ndryshojë ato. Shpesh i jemi referuar si “një punë shumë e mirë, një e ardhme e sigurt”, duke lënë mënjanë pasionin e arkitektëve, dashurinë e tyre për hapësirën, qytetet, ndërtesat dhe gjithçka që të ofron arkitektura. Arkitektura është padyshim një prej formave më të mira të artit, njëkohësisht shtysa që të bën të mendosh, të frymëzon dhe t’i dhurosh një hapësire fizike një pamje të re.
Një e re plot talente dhe me shumë dashuri për arkitekturën dhe interior design; kjo është Ana, një arkitekte e cila ka mundur ta përkthejë pasionin e saj në një biznes shumë interesant, i dedikuar tërësisht interior design-it.
“Gjyms’Hana” është strofëza e saj ku bën magjinë me hapësirat që i besohen.
Elegance ka shkëputur pak nga koha e saj për një intervistë mbi ëndrrën e arkitekturës dhe sipërmarrjen e saj të suksesshme.
Si lindi pasioni yt mbi arkitekturën dhe cili ishte kontakti i parë me interior design?
Arkitektura është një pasion i hershëm i imi, i ndikuar shumë edhe nga këmbëngulja e tim eti. Vendimin për të qënë arkitekte praktikisht e kam marrë që në moshën 14-vjeçare.
Përsa i përket Interior design, kontakti im i mirëfilltë me të, ka qënë në 2012, kur unë kam nisur të punoj tek “Anoria”, ku edhe jam njohur me sistemet e hijëzimit dhe shtrojet e dyshemesë.
Çfarë të pëlqen më shumë te arkitektura?
Fakti që buron nga shpirti dhe eshte biznes besimi. Unë mendoj se arkitektët janë doktorët e hapësirave, si përshembull urbanistët janë doktorët e qyteteve, e kështu me radhë.
Cili është arkitekti/ja që të frymëzon?
Në fakultet ka qënë Tadao Ando, minimalizmi i tij dhe loja me dritën në veçanti.
Gjatë punës, u njoha me arkitekten e firmës “Coulisse”, Katherina Idema, e cila është gjithashtu një frymëzim më vete.
Për sa i përket futurizmit, Zaha Hadid, është sigurisht e preferuar, madje shprehjen e saj: “Ka 360°, pse duhet të qëndrojmë vetëm në 1?”, e kam kthyer në moto të përditshmërisë.
Cilat janë vështirësitë e të qenurit një arkitekte dhe një interior design-er në Shqipëri?
Unë do të numëroja 3 vështirësi kyesore.
E para, vështirësitë ekonomike, bëjnë që klienti të mos e njohë konceptin e investimit në kohë, dhe të bëjë kompromis me cilësinë në sajë të çmimit.
Së dyti nuk i jepet rëndësia e duhur analizës psikologjike të projektit, dhe përshtatshmërisë së saj me klientin që kemi përballë.
E treta është zbatimi dhe brigadat e punës, që shpesh nuk zbatojnë atë që arkitekti ka hedhur në letër.
Si lindi dhe u zhvillua “Gjyms’Hana”?
Pas eksperiencës dy-vjeçare në Prishtinë si menaxhere dhe arkitekte e një showroom-i, vendosa që hapi tjetër i karrierës sime do të ishte një sipërmarrje personale. Eksperienca e gjatë në fushë, më bënte të njohur dhe me mungesat e tregut. Në një ritëm kaq të shpejt sa jetohet në ditët e sotme, kemi nevojë për biznese që na japin zgjidhje duke na shkurtuar kohë. Këtë bën “Gjyms’Hana”. Duke i mbledhur çdo gjë ka lidhje me interior design, në një vend të vetëm. Siç e thotë edhe slogani: Foleja jote nga A në Z.
Pse ky emër kaq i veçantë? Cila është simbolika e tij?
Ky emër është në fakt mbiemri im. Unë kam një raport shumë të ngushtë me konceptin e trashëgimisë, edhe ky biznes është në fakt trashëgimia e fëmijëve të mij të ardhshëm, jo thjesht një burim të ardhurash.
A është përqafuar ideja dhe si është mendësia e vendit tonë sa i përket interior design-it?
U bë disa vite në fakt, që është përqafuar ideja e mbikëqyrjes së hapësirave me arkitekt. Por gjithsesi ka ende mjaft vend për edukimin e tregut me konceptin e interior design dhe rëndsisë së tij.
“Gjyms’Hanës” i janë besuar disa projekte shumë interesante, por cili është i preferuari yt?
Në fakt është edhe projekti që ka përfshirjen time më të madhe emocionale, që është projekti i dhomës së dy mbesave të mia binjake, që priten të vijnë në jetë gjatë muajit shkurt.
Cilat janë planet e tua profesionale, duke përfshirë sigurisht “Gjyms’Hanën”?
Pas këtij filiali në qendër të Tiranës, me rritjen e “Gjyms’Hana” do të vijë një filial i II-të atje ku janë edhe rrënjët e këtij emri, në Durrës. Më pas, plane edhe më afatgjata, janë rikthimi im në Prishtinë, me një filial të tretë.