Odeta Nishani: “Jeta ime si Zonja e Parë”

Një rrëfim assesi protokollar, përtej mureve të rezidencës presidenciale…Profili ndryshe i Zonjës së Parë, nga përditshmëria në Bankën e Shqipërisë tek takimet zyrtare. Jeta dinamike dhe aspekti familjar, raporti me dy fëmijët dhe “pengu” për të bijën Fionën. Vlerësimet personale mbi barazinë gjinore,  rolin e grave në politikë dhe kontributi direkt në në këtë fushë. Pasionet, disa “sekrete” të ëmbla dhe aspekti tjetër i jetës presidenciale përmes Znj.Odeta Nishani…

Me gjithë drojën e një interviste që nuk ndodh përditë në aktivitetin e një gazetari, më ngjau se biseda jonë u ravijëzua krejt e natyrshme, sikur të ishim dy individë që njiheshim prej vitesh. Prezantimi u bë në të ashquajturën “zyra e medies”, një hapësirë e munguar deri para tri vitesh se Z.Bujar Nishani të pozicionohej në detyrën e tij të re si President i Republikës së Shqipërisë.  “Dhoma ishte projektuar si ambient ngrënie, por nuk u përdor asnjëherë, ndaj dhe ne e përshtatëm si zyrë për pritje të ndryshme dhe intervista me gazetarë”-më thotë Znj.Odeta Nishani. Një lirshmëri në komunikim, prakticitet në sjellje që zor se mund ta hasësh në të tjerë individë të ngjashëm të sërës së saj që ndërveprojnë në funksione zyrtare e protokollare. Zonja e Parë Odeta Nishani është modeli i femrës që i ç’bën barrierat me të panjohurit, o të themi të njohurit e rastit, sepse feminiliteti dhe klasi i saj ta imponojnë këtë kriter. Kësisoj ka ditur të menaxhoj situata të ndryshme, bashkë me ngjarjet e papritura që i kanë transformuar tërësisht jetën, si në momentin idilik të tri viteve të shkuara ku ajo do të bëhej Zonja e Parë e Shqipërisë. Pa kurrëfarë hezitimi, tregon se stili protokollar i dikton vetëm disa aspekte të jetës, por jo të gjitha…Sepse ajo ka zgjedhur të mbetet sërish Odeta Nishani, ashtu siç edhe preferon ta quajnë. Përtej çdo caku pozitash politike apo zyrtare, normat dhe karakterin e vet nuk është cytur ta ndryshojë për asnjë arsye. Sepse dimensionet e protagonizimit të saj janë të ndryshme: nga roli i bashkëshortes dhe Zonjës së Parë, tek ai i nënës së dy fëmijëve, Ersit dhe Fionës, i femrës me stil që pëlqen të ndjek tendencat e modës, por që komoditetin e ka primar, i amvisës së shkëlqyer që e konsideron procesin e gatimit si një terapi frytdhënëse, i mikes që nuk beson tek njohjet rishtare por tek raportet e konsoliduara…Plot detaje interesante dhe një profil ndryshe i sendërtuar mes roleve më të rëndësishme në jetën e Zonjës së Parë…

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Të kthehesh pas në retrospektivë, për të kujtuar ceremonialin e marrjes së detyrës së Presidentit të Ri, Z.Bujar Nishani është një nga pikat kyçe çka shënjoi edhe kthesën e fortë në familjen tuaj. Si e përcillni në kujtime këtë moment?
Tashmë po bëhen tri vjet nga ajo ditë dhe të them të drejtën nuk mbaj mend shumë gjëra.  Kjo jo për shkak të kohës, por gjithçka ndodhi krejt papritur dhe isha e befasuar nga kthesa që mori jeta jonë. Telefoni nuk pushonte, miq, të afërm, dashamirës më uronin për detyrën e re të Bujarit. Sytë më mbusheshin me lot gëzimi herë pas here, dhe nuk më kujtohet saktë ora e gjumit, po di që ishte mëngjes…

Në një intervistë të sajën, dhënë për Oprah Winfrey, Zonja e Parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Michelle Obama e përshkruan kështu momentin e ngjashëm me tuajin: “Isha si një kub akulli, e ftohtë nga koka tek këmbë, aq sa do kisha dashur që në ato çaste të kisha veshur një pallto më të trashë dhe çizme të ngrohta”…
Ndoshta, edhe sepse ka qenë stinë dimri në SHBA kur u zgjodh Barack Obama President(qesh).  Ndërsa, këtu ishte verë, po sigurisht momenti i parë ishte tronditës. Zakonisht ne e përdorim këtë fjalë në kuptim pexhorativ, po edhe gjërat e bukura në jetë kur vijnë papritur janë tronditëse.

Fustani i zi klasik zhapone, varësja elegante, fëmijët pranë, ndërsa  Z. President Bujar Nishani mbante fjalimin e tij në foltore përballë personaliteteve nga sfera të ndryshme, si edhe trupit diplomatik i akredituar në Tiranë. Veshja e juaj ishte zgjedhje personale që konfirmonte stilin protokollar apo jo?
Veshja ishte personale, e zgjodha vet. Ceremonia e betimit u bë në datë 24 korrik, temperaturat ishin 40 gradë, prandaj mendova fustan me zhapone. Pyeta protokollin e shtetit , nëse duhet t’i përmbahesha ndonjë rregulli për veshjen time, dhe më thanë thjesht të ishte diçka serioze dhe zhaponeja gjithashtu ishte pjesë e këtij stili. Mbaj mend që pati tek-tuk reagime, po normale gjithmonë ka.

Si ju quajnë njerëzit përgjithësisht: Zonja e parë apo Znj. Nishani?
Shumica znj. Nishani, nëpër aktivitete, dokumenta shkresore dhe në media Zonja e Parë. Vet preferoj më shumë të më quajnë Odeta,  është emri që më ka shoqëruar gjithë jetën dhe ndjehem më mirë me këtë të fundit.

Me postin e ri të bashkëshortit tuaj, shumëçka ka ndryshuar qoftë në Presidencë apo në rezidencën ku jeton familja juaj. Zyra e pritjes për gazetarët dhe medien ishte ide e juaja?
Po, disa gjëra kanë ndryshuar. Janë rregulluar disa ambiente sipas shijes tonë. Oborri i Presidencës  ka një pamje vizuale të bukur dhe me gjelbërim nga bulevardi. Njerëzit e pëlqejnë shumë, bëjnë foto dhe përditë na thonë: sa bukur është bërë. Ambientet e brendshme nuk kanë ndryshuar pasi pak vite më parë ishte rikonstruktuar e gjithë godina. Vetëm një dhomë që ishte ambient ngrënie (e papërdorur asnjëherë) u përshtat në zyrë pritje për intervista dhe takime të ndryshme pune.