Tashmë, është mëse e qartë që Louis Vuitton po kontribuon në shumë gjini të artit, shpeshherë edhe duke i ndërthurur ato. Prurja më e re është një bibliotekë e pazakontë, nën frymën e pop art, e cila do të vijë si një risi fantastike nga gjiganti i modës.
Biblioteka do të çelet në Saint-Germain-des-Prés dhe do të përmbajë një gamë të gjerë librash dhe revistash të cilat kanë si frymëzim Louis Vuitton dhe rrugëtimin e brandit në botën e modës. Për afërsisht 2 dekada, LV ka ndryshuar dhe definuar modën, ndaj është mëse e pritshme që të gjitha arritjet e markës prestigjoze të dokumentohen.
Pasioni për librat, një histori shumë e gjatë
Pasioni i shtëpisë franceze për letërsinë është shumë i hershëm. Faktikisht, Gaston-Louis Vuitton, nipi i krijuesit të labelit, pati lëvruar gjininë e letërsisë për vite me radhë. Më në fund, në vitin 1914, LV çeli një dhomë korrespondence në Champs-Elysées. Një shekull më vonë, rrënjët e letërsisë duket se ngritën krye, duke u bërë bashkë me pop art, për të hapur dyert e një biblioteke të re.