“Politika qendron mbi të gjitha profesionet, dhe po nuk u more ti me politikë do të merret ajo me ty”! Bazuar në këtë moto personale të sajën, mbi vendimin për t’ju përkushtuar lëmit të shkencave politike në shkollën e lartë, mbi të gjitha për Zhaklin Lekatarin, qendronte pasioni i madh për informimin, për të cekur nga afër botën e egër të politikës, mënyrën e funksionimit, manovrat e duhura dhe lëvizjet e mënçura, njësoj si edhe gurët e shahut. Por, kontakti i saj i parë dhe i vetëm do të mbetej vetëm ai pas përfundimit të studimeve të larta, ku ajo zhvilloi një intership prej tri muajsh në Ministrinë e Jashtme në Kosovë. “Menjëherë pas kësaj përvoje, jam punësuar në radio, ku aty kam mbuluar sektorin politik të lajmeve. Edhe pse unë u largova nga politika, kjo e fundit nuk u largua nga mua. Vitet e fundit kam punuar në media, në radio, televizion, por dhe me bashkëpunime me revista, portale dhe projekte të ndryshme. Me kalimin e kohës, gjërat filluan të rridhnin në mënyrë shumë natyrale, dhe dëshira për të ecur në këtë fushë, solli bashkëpunime, ide, dhe eksperienca të reja”, thekson Lekatari. Deri më tash, nuk e ka ndjerë në asnjë moment mangësinë e të mos ushtruarit të profilit për të cilin ajo ka studiuar, përkundrazi ndihet e motivuar dhe e plotësuar në drejtimin e ri profesional që e angazhon pikërisht me gjërat që ajo synon më së shumti. “Ndihem e realizuar me punën që bëj. Do të doja që të bëja më shumë, dhe të isha në prodhimtari dhe angazhim më të madh. Por, besoj që puna, angazhimi, përkushtimi por, edhe pak fat janë elementët që të çojnë drejt suksesit. Sot unë jam bashkëautore dhe moderatore e një emisioni ne TV Scan, i cili merret me shitblerjet dhe tregun imobiliar. Jam gjithashtu anëtare e një shoqate joqeveritare dhe kontribuese e një portali online. Ndërkohë, kam projekte dhe dëshira të shumta të cilat dua te realizoj nga ana profesionale. Vështirësitë janë të shumta, duke u nisur nga koordinimi i punës e deri tek problemet më banale. Por, besoj që për të gjithë është kështu, dhe që shkallët e suksesit duan punë, motivim dhe përkushtim. Edhe kënaqësitë janë të barabarta me vështirësitë. Gjithsesi në ditët e sotme, kur bota është kaq dinamike dhe kozmopolite besoj që është e rëndësishme që të rinjtë të jenë multitask në mënyrë që t’i përgjigjen sa më mirë kërkesave të tregut të punës”, përfundon ajo. E bindur se ka bërë zgjedhjet e duhura në jetë, ideja e të qenit larg një profili ku kontributi akademik dhe profesional nuk të çon gjëkundi, e bën atë më produktive dhe të realizuar në cilëndo fushë tjetër që do i jepte të ardhura financiare të qendrueshme, pse jo vlerësim dhe motiv në çdo ditë të re që do të niste angazhimin e saj.