Në eksplorim të vazhdueshëm të destinacioneve të reja, ai është ndër individët që i ka rënë botës kryq e tërthorë. Shumëkush do të zilepsej nga përvojat e tij të udhëtimeve, të panumërta ndër, vite, kjo edhe për shkak të angazhimit të tij profesional. E ndofta pyetja klishe se cilat do të ishin pushimet ideale për të, do të pasohej nga një mori përgjigjesh të molepsura me kujtime të pafundme, aq sa do ishte e vështirë të mund të veçohej vetëm një prej tyre. “Për mua pushimet ideale duhet të jenë diku larg turmave të turistëve, preferoj vende që nuk janë shumë të populluara, që nuk duhet të presësh nëpër radha apo të përplasesh me njerëz kur ecën në rrugë. Destinacioni im i pushimeve duhet te ketë shumë për të ofruar edhe në aspektin gastronomik, preferoj vende që kanë një background kulinar. Është shumë e rëndësishme për mua që kur udhëtoj, të zbuloj gatime edhe pije të reja që preferohen nga banorët vendas. Pa dyshim edhe kultura, atraksionet dhe aktivitetet që ofrohen janë shumë të rëndësishme”, thotë Dalti. Duket se jeta e tij është një udhëtim i përhershëm, me valixhe në dorë e në kërkim të eksperiencave të reja. Gjëja e vlefshme parësore është ajo që vjen në spektrin profesional, përpos kënaqësive personale. Sa i takon destinacioneve të huaja, preferon pjesën e jugut të Francës, regjionin e Provence, që fillon pranë qytetit të Marsejës dhe përfundon në kufi me Italinë. “Regjioni i Provence më pëlqeu jashtë mase shumë pasi ka një larmishmëri zgjedhjesh për plazhe, fshatra të vegjël piktoresk, muze arti, ndërtesa historike, hotele nga bed & breakfast deri tek chain-ët e mëdhenj ndërkombëtare, restorante gastronomike franceze apo edhe restorante franceze me gatim shtëpie, vera të një cilësie superiore edhe më e rëndësishmja ka diell për më shumë se 250 ditë të vitit”, vijon ai. Praktikon shpesh pushimet vetëm, dhe këto duket se janë edhe ndër eksperiencat e vyera për t’u mbajtur mend gjatë. I pakushtëzuar nga miqtë apo familja në mënyrën e organizimit të ditës apo zgjedhjes së vendndodhjes për të kaluar ditë të plota relaksi, ai thotë se të kaluarit e pushimeve vetëm është pavarësi e plotë dhe kënaqësi e vërtetë.