Një talent me patjetër duhet të ndiqet dhe afirmohet. Pikërisht këtë zgjodhi të bëjë Ronaldi, duke mos “e kufizuar” veten në një instrument, por duke eksperimentuar me shumë prej tyre. Dashuria e parë ishte piano! E bukur, sensitive dhe një art i vertetë, instrumenti tërhoqi vëmendjen e artisitit të ri dhe e mbajti për 7 vite pranë saj. Pas studimit të thelluar të pianos, dashuria e artistit, ndoshta rastësore ose një thirrje e brendshme artistike, u zhvendos në një tjetër instrument, në kontrabas. Studimet vazhduan në Liceun Artiskti “Jordan Misja” dhe përpos njohurive, liceu mundësoi edhe njohjen e Ronaldit me pjesën tjetër të grupit. Dëshira e përbashkët për Jazz-in, por edhe shijet e ndryshme personale të secilit anëtar u bashkuan në një bandë të mirëfilltë, e cila u quajt “All In Band”. Banda përfshin dhe përfaqëson secilin prej artistëve të rinj, duke i bashkuar në Jazz dhe duke i diferencuar në rrymat e ndryshme muzikore. Frytet e punës së djemve u manifestuan në dy kompozime të suksesshme, të cilat ishin rezultat i frymëzimit dhe vizionit të ri të muzikës së viteve ’30-’40. “Energji” dhe “Kundër Rrymës” u emëruan projektet, e më pas u pasuan me “Të mirësjellshmit”, një projekt për edukimin e fëmijëve nëpërmjet tingujve muzikorë, projekt i cili u paraqit në Teatrin Metropol.
Por pasionet e Ronaldit aspak nuk kufizohen me njohjen e dy instrumentave, përkundrazi repertorit të tij i shtohet edhe kitara bass e cila shumë shpejt u kthye në një dashuri dhe frymëzim i madh për artistin. Instrumentët muzikorë dhe një numër i madh artistësh si: Marcus Miller, Esperanza Spalding, Ray Brown, Oscar Peterson, Joe Pass e Mile Davis kontribuojnë në artin e Ronaldit.
Sipas artistit të ri, muzika Jazz të jep mundësinë të shprehesh në një mënyrë të re dhe krejt origjinale, nëpërmjet improvizimit dhe interpretimit, andaj Ronaldi dëshironte të provonte veten dhe ta paraqiste në një tjetër nivel, atë të kompozimit. Pavarësisht se karriera e tij startoi me muzikë moderne, sërish muzika klasike mbeti një dëshirë shumë e madhe, e cila merr një vend të rëndësishëm në punët e tij kompozicionale.
Cilat janë pritshmëritë tuaja në muzikë?
Momentalisht jam duke punuar për projektin tim të parë me këngë Cover të arranxhuar dhe të sjellë në një formë tjetër. Në këtë mënyrëpo përpiqem të sjell kitarën bass në një formë më evidentuese se thjesht shoqëruese, si jemi mësuar ta shohim shpesh. Kështu mbetet akoma në vizionin e së ardhmes një projekt i ri, i kësaj forme, me punë të kompozuara nga unë.