Të rinj dhe të sukseshëm: Ledia Sulaj, Balerinë në TKOB

20 minuta duartrokitje të gjata, dhe spektatorët që ngritën në këmbë sallën e performancave në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, ishin konfirmim i suksesit të radhës së balerinës Ledia Sulaj! Interpretimi artistik i saj i jashtëzakonshëm në shfaqjen “Carmina Burana”, bashkë me një kastë të përzgjedhur artistësh, i dhanë meritën dhe vlerat e dëshiruara gjithë spektrit të saj artistik dhe profesional, si një balerinë e re, me karrierë premtuese. “Shkolla e baletit, dhe më pas Akademia e Arteve, kohë gjatë të cilës unë isha e angazhuar edhe me shfaqje të ndryshme në TKOB, besoj se ia kanë vlejtur për çdo pikë mundi dhe përkushtimi që kam dhënë e vijoj të jap në skenat shqiptare. Kam punuar me mish e me shpirt që të arrija rezultate maksimale, që të plotësoja synimin dhe ëndrrën time për të qenë soliste pranë institucionit të artit siç është TKOB. Ka vetëm një “barkë shpëtimi”  dhe një rrugë të vetme që të garanton suksesin në çdo fushë të jetës…Kjo është Puna”, thotë Sulaj. Në rrugëtimin e bukur të baletit ajo është përfshirë që në moshën pesë vjeçare. Teksa dëgjonte muzikë, niste të kërcente, kudo të ishte…pa kokëçarje, lëvizjet e para ishin konfirmim që bota e baletit, do të ishte angazhimi i ardhshëm  profesional i saj. “Le të themi që nisi si lojë, por përfundoi në dashurinë time më të madhe”, thekson balerina. I mëshon idesë se qysh në fëmijëri vulosen çështje kryesore të formimit, edukimit, kjo për të kuptuar vlerën e gjërave me kalimin e kohës. “Të rritesh me punën, edukimin mbi të bukurën, të kuptosh vlerën e sakrificës, vullnetin dhe pasionin, të jep frytet e saj në kohën e duhur. Vetëm prekja e skenës të transmeton ndjenjën e sigurisë dhe përgjegjësisë. Mandej është dëshira për të përshfaqur artistikisht dashurinë, teknikën dhe repertorin e çdo vepre shtysa kryesore për çdo artist profesionist”, cilëson Ledia Sulaj.