Të rinj dhe të suksesshëm

Prezantuesi i Top Select Mishel Rrena është sot  një prej fytyrave të reja në listën e prezantuesve interesante, në Top Channel, ndërsa ai shkon edhe më tej duke e kthyer televizionin, medien në përgjithësi, në zgjedhje profesionale, për shkak të studimeve të tij në degën e gazetarisë. “Televizioni dhe media kanë qenë dhe janë fusha që kanë tërhequr vëmendjen time që në fëmijëri. Pa dashur të tingëllojë klishe, është diçka që e kam dashur për vite me radhë, që në fëmijëri.  Përgjatë viteve të fundit isha gjithmonë dhe më shumë i interesuar të bëhesha pjesë e një formati televiziv, duke qenë se edhe studimet i vazhdoj në degën e gazetarisë. Për sa  i takon rrugëtimit tim në Top Channel, gjithçka erdhi në mënyrë organike, shumë natyrshëm. Si shumë të rinj, u paraqita në audicionet e zhvilluara dhe gjithçka nisi aty. Ndryshe nga audicionet që kisha marrë pjesë më parë, këtë radhë ndihesha më i sigurt dhe pozitiv dhe me sa duket, kisha pasur të drejtë”, thotë ai.