“Një mendje e shëndoshë ka nevojë për një trup të shëndoshë” është një shprehje e vjetër, e cila është tejet e gjetur, kjo për shkak se mund ta pranojmë se aktiviteti fizik është një element kyç në mirëqenien tonë. Çdo ditë e më shumë, palestra dhe stërvitja e vazhdueshme na ndihmojnë të ndryshojmë fizikun tonë, të marrim energji pozitive, por edhe të “shfryjmë” stresin e një dite të lodhshme.
Elegance ka shkëputur pak nga koha e Ardian Tafajt, personal trainer shumë i suksesshëm i cili na rrëfen karrierën e tij, por njëkohësisht na tregon edhe rëndësinë esenciale të një jete aktive.
Si nisi karriera jote si instruktor palestre?
Gjithçka nisi në një moshë fare të vogël, kur një film me Sylvester Stallone më stimuloi vizionin në lidhje me sportin. Në oborrin e shtëpisë mblidhja të gjithë fëmijët e lagjes dhe duke organizuar aktivitete të ndryshme fizike, nisi kështu një stil sportiv jetese.
Cilat janë vështirësitë që ke hasur gjatë të gjithë karrierës tënde?
Mendoj se në çdo fillim hasen problematika dhe në thelb, çdo punë ka vështirësinë e saj.
Vështirësia thelbësore ka qenë thyerja e mentalitetit të dikurshëm që kishin personat që ushtronin këtë veprimtari, por edhe i gjithë rrethi im i afërt. Askush nuk besonte se ky profesion do të kishte një të ardhme dhe dukej se i gjithë investimi im, mund të fashitej nga momenti në moment. Vizioni sportiv më ka mësuar se nëse ti e sheh diçka të realizuar në mendjen tënde, mund ta arrish atë.
Si arrin të gjesh balancën mes punës me orare të ndryshme dhe jetës personale dhe sociale?
Çdo njeri, sado i zënë të jetë, e gjen kohën për gjithçka, edhe pse përgjithësisht e nis punën në 6:30 në mëngjes dhe e përfundoj atë në 21:30, sërish arrij të shfrytëzoj çdo hapësirë që mund të kem përgjatë ditës për familjen dhe shoqërinë. Mendoj se me disiplinën e duhur, gjehet edhe balanca mes punës dhe jetës, thjesht duhet të vlerësojmë kohën dhe më pas të jemi të aftë ta menaxhojmë atë.
Sa e vështirë është të përmbushen kërkesat e klientëve, edhe pse ato mund të kërkojnë një afat të shkurtër kohor, i referohem humbjes së peshës apo adaptimit të një stili jetese të shëndetshme?
Klientët kanë kërkesa dhe qëllime të ndryshme, sigurisht që çdokush do të dëshironte të kishte rezultate të shpejta, por për këtë ndikojnë shumë faktorë.
Nëse një klient dëshiron të arrijë rezultate të dukshme në një kohë të shkurtër, duhet të marrë parasysh se po aq e shkurtër është edhe koha e rënies së performancës së tij fizike, nese nuk e kthen stërvitjen në stil jetese. Pra, një vazhdimësi do të ishte një rezultat jetësor.
Do ju jap një shembull konkret se si dy klientë që kam, ndajnë të njëjtin profesion, janë avokatë, por kanë qëllime të ndryshme: njeri dëshiron të humbasë peshë dhe të tonifikohet dhe tjetri të shkarkojë stresin e zyrës dhe të marrë energjinë pozitive që të dhuron aktiviteti fizik, i cili është i vetmi medikament pa efekte anësore dhe ky është një fakt i vërtetuar në literaturë shkencore.
Cilat janë disa prej ushtrimeve që duhet t’i bëjmë edhe nëse nuk shkojmë në palestër?
Aktiviteti fizik është mjaft i rëndësishëm, çdokush duhet të lërë pak hapësirë për shëndetin e vet, pasi është investimi më i mirë që mund të bëjmë për jetën tonë. Madje, do të shtoja se të jesh afër palestrës, je larg doktorit. Ushtrimet që sugjeroj janë: sa më shumë ecje, vrap, not dhe biçikletë.
Si ka ndikuar periudha e pandemisë në aktivitetin fizik?
Periudha e pandemisë na ka rënduar disi në aspektin mendor, por është edhe një sinjal i fortë për të menduar seriozisht në të ardhmen. Një fizik i fortë mundet të na ndihmojë të përballojmë situata te tilla. Shumica e klientëve janë ushtruar nëpërmjet video call dhe pas përfundimit së seancës stërvitore, kanë treguar ulje të nivelit të stresit.
Me të gjithë impenjimin brenda ambientit të palestrës, vijon e njëjta rutinë edhe jashtë saj, ushtrime të thjeshta, vrap, apo një dietë e shëndetshme?
Sigurisht që po, vijon e njëjta rutinë edhe pse është opsionale. E mira është vazhdimi i rutinës edhe jashtë palestrës, me aktivitet të moderuar. Por kjo duhet të vijë shumë natyrshëm, pasi çdo gjë e shpejtë është dritëshkurtër. Adaptimi në kohë i aktivitetit fizik do të sjellë edhe jetëgjatësinë, si dhe ndryshimin në stilin tonë të jetesës. Duke mos anashkaluar pjesën e të ushqyerit në mënyrë të shëndetshme, që është po kaq e rëndësishme meqë ushqimi është furnizuesi kryesor i trupit me energji dhe vitalitet. Nëse tejkalohet masa normale ushqimore, trupi do tejkalojë edhe masën e tij normale. Por në rasti se ndjekim një jetë ushqimore e stërvitore të shëndetshme, atëherë do kemi arritur qëllimet fizike.
Disa nga klientët e tu mbajnë pozicione të rëndësishme si CEO në kompani të mëdha dhe normalisht, koha e tyre është e kufizuar. Cilat janë këshillat që u jep për një jetë aktive, pavarësisht axhendës së ngjeshur?
Performanca e një Personal Trainer është e njëjtë me atë të një aktori apo këngëtari në skenë. Përcjellja emocionale, si dhe motivimi janë pikat e mia të forta në çdo seancë stërvitore. Është shumë e rëndësishme që një lider apo drejtues të jetë në formën më të mirë, pasi kjo transmetohet drejtpërdrejt në punën apo në komunitetin që ai drejton. Energjia pozitive furnizon çdokënd.
Cilat janë planet e tua për të ardhmen?
Vizioni im është që për çdo person që merret me aktivitet fizik, ta kthejë këtë të fundit në stil jetese, le të themi që të përjetojë një kthesë apo ndryshim në rutinën e përditshme. Nuk përjashtoj edhe një plan që kam për kinematografinë, në zhanrin e aksionit, ku ndërthurja me sportin dhe aktrimin, mund të ndërthuren dhe përjetësohen në një film.
















