Në mes të një krize dhe pandemie globale, sezoni i pranverës dhe verës të këtij viti është fokusuar te veshjet komode dhe shumë të veçanta. Në këtë epokë të re, e cila na imponon respektin për natyrën dhe për individualitetin, gjigantët e modës sjellin disa propozime shumë interesante dhe speciale, duke miksuar stilet dhe gjeneratat e ndryshme.
Sezoni i ri na gjen me veshje harmonike, të cilat përpos funksionit estetik, kanë edhe atë praktik.
Vitet ‘90
Rikthimi te një vitet ’90 është pa dyshim një prej “veprimeve” më të preferuara të dizajnerëve të talentuar. Një look i pastër, vija grafike, pak transparencë, energji pozitive, liri dhe shumë joshje, të gjitha në krijimet e reja të Acne Studios, Jacquemus dhe Givenchy.
Maskat
Që prej pothuajse 1 viti, maskat në mënyrë integrale, janë bërë pjesë e përditshmërisë sonë, andaj kjo “tendencë”, me dëshirë ose jo, ka vënë në punë dizajnerat e Rick Owens, Balenciaga apo Marine Serre, të cilët përpos funksionit mbrojtës, iu shtojnë maskave dhe shumë stil.
Ëmbëlsi
Pranvera nuk vjen me një lule, por me ngjyrën pink. Tone vibrante, vib-e pozitive dhe një frymëmarrje e re plot stil, nga Chloé, Prada dhe Chanel.
Argjend
Krijimet e fundit nga Burberry, Louis Vuitton dhe Paco Rabanne kanë një të përbashkët: ngjyrën e argjendtë. Një look aerodinamik, kristale dhe dizenjo shumë interesante, duket se do ta bëjnë këtë sezon të paharrueshëm.
Lëkurë
Gjithmonë kryefjala e modës, materiali i lëkurës vijon të mbajë stafetën dhe krijimet e Chanel, Celine dhe qasja futuristike e Louis Vuitton e provojnë më së miri.
Minimalizëm
Linja të buta dhe materiale shumë të rehatshëm në prurjet minimaliste të Chloé, Prada dhe Sportmax.
Fishnet
Një stil shumë rinor dhe fleksibël, fishnet është një prej tendencave të vitit. Mos e ndalni ritmin e modës dhe hidhuni një sy krijimeve të Balenciaga, Hermes dhe Rick Owens.
Neon
Po, viti që lamë pas u dashurua me ngjyrat neon dhe duket se këtë pasion e trashëgoi edhe në 2021-in. Louis Vuitton, Chanel dhe Dolce Gabana luajnë me ngjyrat, guximin dhe komoditetin e street style.
Veshjet e zyrës
Një trend i pakohë, gjithmonë i përqafuar nga të gjithë! Veshjet e zyrës, veçanërisht në kombinime monochrome janë pa dyshim në majë të piramidës së stilit. Hermes, Louis Vuitton dhe Fendi na propozojnë këto kombo.