Shpirti Bohem i Florence Welch

Ju prezantojmë fytyrën më të re të linjës së bizhuterive të gjigandit Gucci! Po aq sa është e adhuruar për muzikën, Florence Welch adhurohet edhe për sensin dhe stilin tejet bohemian dhe retro. Nuk çuditemi aspak që kjo u pikas edhe nga Gucci, duke vlerësuar shpirtin shumë origjinal dhe retrospektivën kohore që Florence transmeton në videoklipe dhe në stilin e përditshëm.

Jeta

E lindur në 28 gusht të vitit 1986, Florence Welch është një këngëtare, producente dhe muzikante angleze, e cila kontributin e saj në art e ka dhënë në grupin indie rock “Florence and the Machine”. Për herë të parë banda debutoi me albumin “Lungs” në 2009 duke arritur një sukses të jashtëzakonshëm jo vetëm në klasifikimet angleze, por edhe në ato botërore. Shumë shpejt zëri i Florence dhe talenti i instrumentistëve kumbuan kudo dhe arritën të rrëmbenin vëmendjen e çdo admiruesi të muzikës. Ajo që vihet re në të gjitha projektet dhe videoklipet e Florence është stili melankolik, tejet unik dhe shpirti “old” që transmeton jo vetëm në muzikë, por edhe në aparencë dhe zgjedhjet e saj në fushën e modës.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code


“Lakuriq” pa bizhuteri

Karriera e ambasadores më të re të Gucci-t është një ndarje në copëza arti, kaosi dhe ndjesish të ndryshme dhe të përziera. Dashuria për stilin vintage dhe për të vjetrën filloi në turet që Florence dhe grupi zhvillonte dhe si një nevojë për të mbajtur një suvenir nga të gjitha vendet që vizitonte. Shumë e dashuruar me botën, natyrën dhe udhëtimet, Florence filloi të koleksiononte bizhuteri të vjetra, si copëza kujtimesh dhe ngadalë kjo u bë një pjesë shumë e rëndësishme e saj, e trupit të saj dhe filloi të ndihej “lakuriq” dhe e paplotësuar nëse nuk i kishte këto bizhuteri. “Nëse prek duart dhe nuk kam një unazë ndihem shumë e çuditshme dhe e pambrojtur” do të shprehej në një intervistë. Edhe kur është shumë e zënë me krijimin e muzikës ose artit, Florence shprehet se nuk shpenzon aspak kohë për t’u veshur, sepse look-u kërkon art, imagjinatë dhe ndjesi. Në këtë periudhë zgjedh të vishet shumë thjeshtë, por bizhuteritë nuk mungojnë kurrë. Për të, ndjesia se një unazë është në gishtat e saj dhe një bizhuteri ka kontakt me lëkurën, është tejet e fuqishme dhe e mrekullueshme.

Ambasadorja e Gucci

2016 ishte padyshim viti i Florence Welch! Një sukses i pritshëm dhe i merituar rezultoi projekti “Big Gods” me referenca paganizmi dhe arti, e më pas edhe përzgjedhja si fytyra e fushatës së bizhuterive të një prej shtëpive më të suksesshme të modës në botë, gjigandi Gucci. Duke e kthyer stilin vintage në një mënyrë jetese, Welch ka qenë tejet e surprizuar me titullin dhe besimin që Gucci i dhuroi, kjo sepse mendimi i saj është se thjesht stili retro i përshtatej gardërrobës së saj në mënyrë shumë natyrale. Takimi me Alessandro Michele, sipas Welch ishte një destinacion final, i cili definoi sensin e stilit që dëshironte të ndiqte.
Duo-ja shumë kreative kishte punuar edhe më parë në kostumografinë e tureve të Welch dhe sipas këngëtares ndanin një dashuri “makabre” dhe romantike për të shkuarën, primitiven, të egrën dhe objektet në formë të pandryshuar; kjo është edhe arsyeja pse krijimi i preferuar nga koleksioni i Florence është një unazë me një tigër që përdridhet në bishtin e një sirene. Në koleksionin e krijuar nga ambasadorja më e re e Gucci-t dhe Michele, bashkëveprojnë fantazia dhe inspirimi, kjo vjen nga periudha viktoriane duke sjellë një memorial të bizhuterive që anglezët mbanin në këtë periudhë. Lulet e famshme të Gucci-t, kreativiteti dhe idetë e Michele janë gjithmonë një kombinim “vdekjeprurës” që merr vëmendjen kudo.

Këtyre simboleve themelore që i përbëjnë bizhuteritë e Gucci-t i shtohet edhe këndvështrimi i errët dhe i trishtuar i Florence. Sipas saj kur krijon diçka të bukur është shumë e rëndësishme të ndjesh se pas krijimit ka një histori e cila duhet zbuluar hap pas hapi.
Me një rrymë romanticiteti dhe frymë bohemiane, lulet dhe imazhet e kafshëve ose motiveve vintage, bizhuteritë janë shumë të dashura për këdo. Duke qenë se lulet për britanikët janë një kombinim unik paradoksesh, nga njëra anë një bukuri delikate dhe shumë e butë dhe nga ana tjetër trishtim dhe melankoli, edhe për Florence kjo përzierje ndjesish është një eksperiencë e jashtëzakonshme që shërben si katalizator mjaft efikas në krijimin e bizhuterive shumë fine dhe të veçanta. Në imagjinatën e dizenjuesve është shfaqur imazhi i një funerali plot me lule, por në aspektin festiv dhe kjo i bën bizhuteritë e dyshes Welch dhe Michele një mrekulli artistike. Bashkëpunimi i magjisë, delikatesës dhe artit në formën më të pastër krijojnë punime realisht të arrira, kryevepra të vërteta.