Janë disa profesione në jetë, që nuk vijnë vetëm si zgjedhje personale! Ndonjëherë, është edhe çështje e fatit! Kush nuk e dëshiron një punë pa orare fikse, jo brenda mureve të zyrës, por pse jo duke lundruar në hapësirat detare ose duke fluturuar në qiell. Amarda Logu na tregon se pse e do pa kushte punën që ka zgjedhur të bëjë çdo ditë të jetës…

Të pasurit e profesioni grishës jo gjithmonë është diçka e lehtë dhe e arritshme! Një punë që i ka të gjitha ndjesitë të përfshira në të…Pasionin, dëshirën për udhëtime të radhës, por shpesh edhe pasiguri, frikë. Por, ajo ka mjaftueshëm motivim për të qëndruar lart në “qiell”, ajo që në fakt është përditshmëria e stilit të punës së saj. Amarda Logu është një vajzë plot ambicie, që nuk u mjaftua me diplomën e universitetit dhe orientimin drejt atij profili. Përkundrazi, ndoqi pas pasionet më të mëdha në jetën e saj, çka e kanë pozicionuar aty ku është sot. Një nga stjuardesat shqiptare më të paguara, ajo rrëfen se është e përmbushur në aspektin profesional, pasi bën punën e ëndrrave, ndoshta atë që çdo femër tjetër do e dëshironte. Të qenit në udhëtime të vazhdueshme, kapërcimi i kontinenteve të ndryshëm brenda ditës, mundësia e të shijuarit të çdo vendi ku ajo shkon jo vetëm me punën, e përmbush Amardën me eksperienca të reja. Megjithatë, kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Pasi siç rrëfehet ajo, nuk është vetëm jeta prej stjuardese në përshkrim të destinacioneve të reja. “Shpesh neve kemi edhe ndërlikime në punën tonë, situata të papritura. Duhet të jemi ndonjëherë mjek, pse jo edhe psikolog. Të përballurit me klient që i takojnë origjinave nga më diverset, na përball edhe me situata të papritura të cilat duhet t’i kapërcejmë me shumë maturi dhe zgjuarsi. Megjithatë, përtej çdo sprove të tillë, unë e dua punën që bëj”, thotë ajo. Ka fatin e madh që krahas punës edhe të pushoj, sepse varësisht vendeve transit, apo atyre të qëndrimit, ajo mund të shfrytëzojë kohën e lirë për të bërë shopping, për të njohur nga afër një qytet, për të parë vende të bukura, plazhe të mrekullueshme me ujëra të kaltra dhe rërë të bardhë, etj. Dhe kjo është një nga gjërat më të bukura në profesionin e saj si stjuardesë.

Jo çdokush mund ta sprovojë veten në një profil pune të tillë, që është krejt ndryshe nga ai i të punuarit në tokë. Një punë në zyrë, apo në terren, është krejt ndryshe nga stili i punës së Amardës, e cila duhet të qëndrojë më shumë në ajër. Aty ku përballja me kënaqësinë, emocionin, bashkë me frikën dhe pasiguritë është kaq e pranishme në çdo fluturim. Asnjë punë tjetër nuk mundet të të dhurojë kaq adrenalinë në vetëm pak orë. “Të punosh, ndërkohë që argëtohesh është vërtet diçka e bukur. Jo të gjithë e kanë fatin ta provojnë. Ana më e bukur e punës si stjuardesë është mundësia për të vizituar vende nga më të ndryshmet, që më parë ndoshta as e kishe menduar se mund t’i shihje. Kjo punë të hap shumë dyer, të jep mundësinë të njohësh njerëz të ndryshëm, të mësosh nga kultura të reja, etj”, vijon ajo. Deri tani, ka pasur mundësinë të vizitoj vende si Egjipti, Turqia, Dubai, Bahrain, e disa qytete të Arabisë Saudite. Destinacionet e pritshme? “Këtë verë mendoj që do të shijoj vende si Filipinet, Tajlanda dhe Sharm el Sheikh. Do i prek nga afër këto destinacione, përmes punës, por pse jo edhe si gjetje e artë për të shijuar disa ditë pushimesh në plazhet e mrekullueshme të tyre”.















