E sofistikuar, me stil

Ardita Luca
Sipërmarrëse ambientesh shërbimi, bare & night club

Pasi e ke njohur nga afër, e kupton që instinkti nuk tradhton kurrë… Ka diçka tek ajo që tërheq si magnet. Stili i saj e ka bazën tek genet, ndërsa pamja e jashtme, nuk është tipari sipërfaqësor që të ndjell për ta takuar sy më sy, e për t’i shprehur kureshtinë, se si një femër si ajo, plot energji, nënë e dy fëmijëve dhe një grua në biznes, dallon mbi të gjitha edhe për pamjen pa moshë që të frymëzon në çdo kohë. Stili i Ardita Lucës ndryshon nga viti në vit, dhe kjo është përkatësi e zgjedhje personale. Mund të ndodhë që për 12 muaj të vitit ajo të fiksohet me xhinset, dhe të mos i ndaj nga trupi, sikundër vitin pasues mund të afeksionohet pas minifundeve duke i praktikuar ato pa stinë, dimër e verë. Por, një i vetëm është detaji që spikat në tërësi: 100% casual, sepse ashtu ndihet Ardita! “Jam fanatike e këtij stili, sepse cilido angazhim të jetë gjatë ditës në punë, secili nga ne mund ta sajojë një mënyrë për t’u veshur casual. Mënyra si vishemi dhe kombinohemi dëshmon imazhin tonë. Unë kam një sekret timin që përpiqem ta ndjek çdo herë, e dalloj veshjen e javës nga fundjava, pasi kjo e fundit është më e llastuar, më glam. Të jesh stylish nuk ka nevojë për cytje ose ndikime të jashtme, është thjesht frymëzim që të vjen së brendshmi, krejt natyrshëm”, thotë Luca. Dashuron nuancën e zezë dhe linjat e drejta dhe beson se çdo femër duhet të kuptojë limitet për të mos i kapërcyer ato. Tek Ardita përveç veshjeve, janë detajet ato që bëjnë diferencën, si edhe kombinimet e veçanta që i japin pamjes së saj moshën e një çupëline. Dhe kjo është dhunti vetjake për të nxjerrë në sipërfaqe të bukurën, atë që vjen me ndjesitë e një pamjeje të kuruar në çdo detaj. Aksesorët, çanta, këpucët dhe gjithçka tjetër ndryshon në raport me veshjen, përveç flokëve… Thuajse në gjithë jetën e saj, Ardita i ka mbajtur të verdha e të shkurtra, pa luajtur me ngjyrat apo frizurën. Në nocionin e saj, stili duhet të vijë bashkë me prurjet moderne të kohës, por pa tepri të cilat të tjetërsojnë dukjen e jashtme. “Kombinimi midis klasikes dhe casual-it, modernes dhe vintage, së thjeshtës dhe glamit, të gjitha të vendosura bashkë në mënyrë harmonike, krijojnë atë gjë të mrekullueshme që quhet stil”, përfundon ajo.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code