Mira Meksi: Me ngjyrat e Meksikës

Pas suksesit të dy novelave të fundit, shkrimtarja e njohur vjen në një rrëfim të veçantë për veten, gjërat e çmuara që rrethojnë jetën e saj, për dashuritë e pa kushtëzuara, dhe doemos për letërsinë. Një botim i ri, së shpejti në duart e lexuesve që me endje qëmtojnë krijimet e saj ndër vite, por jo vetëm! Të shkruarit është prehja e sigurt, ku ajo ulet pa asnjë mëdyshje për të jetësuar qasje të saj letrare, histori ose ngjarje njerëzore. Gjithmonë ka ditur të flasë mjeshtërisht përmes penës, botës së krijimtarisë letrare, e sakaq lexuesit besnikë shtohen dita ditës. Këtë herë, Mira Meksi, shkrimtarja e njohur e shumë librave e novelave të suksesshme, fituese e çmimeve letrare prestigjioze, vjen në një rrëfim të rrallë që cek jo vetëm letërsinë dhe aspektin e krijimtarisë, por edhe pasionet, dashuritë, përditshmërinë e vërtetë prej shkrimtareje, etj. Plot elemente të sërës tjetër që “ngjyrosin” stilin e saj të jetesës dalin në pah, të tilla si ngjyra e kuqe një ndjesi dashurie e përjetshme, apo një skrivani e tejmbushur me libra, shkresa, copëza letrash ku fiksohen detaje që nuk duhen anashkaluar. Ka fatin që përmes letërsisë të prek realitetet tona, nga ato më ulëritëset tek problemet e shoqërisë sonë, si kriza të mëdha të vlerave morale, frikërat apo revoltat të cilat shndërrohen në përsiatje që ushqejnë sprovat e saj të të shkruarit. Ndërsa, dy novelat e fundit “Vrasje në Venecia” dhe “Pa zemër në kraharor”, sjellin në këndvështrimin e lexuesit, hyjnizimin e dashurisë, thelbin e qenies njerëzore, apo aventurat fatkeqe të refugjatëve shqiptarë nëpër botë, etj. E një libër i ri po ravijëzohet në horizont dhe është duke u “mbrujtur” këto kohë, në vazhdën e botimeve të reja të shkrimtares. Do të mbajë titullin “Profili i fluturës japoneze”…