Vera ofron gjithçka duhet për argëtim pa limit…Diell, det, rërë e nxehtë, dëshirë për t’u kredhur në ujërat e kaltra të plazheve, bashkë me nevojën për pushime ideale. Po në shoqërinë e kujt?! Me partnerin, familjen apo shoqërinë… Pushimet perfekte, që çdokush i mban mend gjatë, bashkë me aventurat personale të tri protagonistëve tanë, vijnë në brendësi të Elegance.
Ndër emrat e rinj të botës së stilimit, ajo i është shtuar gamës së profesionistëve që me duart e arta dhe idetë e goditura, munden të realizojnë krijimeve veshjesh dhe aksesorësh të dedikuar për një stil dhe pamje të kuruar. Stiliste dhe administratore e “Stella Sallaku Atelier” pas përditshmërisë së saj mes krijimesh në letra, prerje dhe stilime sipas porosive të klientëve, nevoja për t’u arratisur në pushime verore është një nga gjërat që me ëndje do dëshironte ta përsëriste disa herë gjatë vitit, por që kjo është e pamundur për shkak të profilit të saj të punës. Por, thotë se pushimet ideale për të janë ato me familjen, ku ka mundësi që të shfrytëzoj të tilla ditë për të qëndruar të gjithë bashkë, e për të diskutuar ato çështje që ndofta në përditshmëri edhe mund t’i humbas për shkak të kohës së ngjeshur dhe projekte në atelier. “Një nga elementët më të rëndësishëm në jetën time është familja. Përpiqem që të jem sa më pranë saj dhe shpesh marr frymëzim nga ngrohtësia dhe dashuria që secili prej anëtarëve më jep. Ndaj, pushimet me familjen janë zgjedhja ime. Dhe kryesisht ato kanë qenë të fokusuara brenda vendit, me momente të paharrueshme dhe destinacione fantastike duke ditur resurset natyrore që ka Shqipëria. Pushimet brenda vendit të japin një lloj fleksibiliteti dhe familjariteti duke qenë se je ende në Shqipëri në vendin tënd. Ndërsa në lidhje me pushimet jashtë vendit do të preferoja të isha shumë selektive…”, shprehet ajo. Koha më e çmuar në pushime, duket të jetë ajo pranë njerëzve të dashur, pranë familjarëve të saj me cilën përpiqet të kaloj cilësisht ditët e sezonit veror, duke u argëtuar dhe duke vjelë kujtimet më të bukura të këtyre ditëve. “Edhe pse gjithkush do donte që ditët e pushimeve të mos mbaronin kurrë, fatkeqësisht duhet t’i gëzohemi atyre pak ditëve që janë. Pushimet me familjen forcojnë marrëdhëniet me njëri-tjetrin. Mendoj se kjo është një praktikë që të gjithë duhet ta bëjnë pasi familja mbetet komponenti kryesor në jetën e njeriut. Unë i shijoj shumë këto ditë pasi përpiqemi të jemi sa më qeshur dhe shakaxhinj e ta kalojmë kohën duke alternuar aktivitete të ndryshme. Luajmë me letra, diskutojmë çështje të familjes, plotësojmë fjalëkryqe dhe preferojmë që kafetë t’i shpenzojmë të gjithë së bashku, pse jo duke bërë edhe foto të bukura dhe gazmore”, vijon Sallaku. E rritur pranë një qyteti bregdetar, Stela ka nostalgji për detin jo vetëm gjatë sezonit veror, por edhe gjatë stinëve të tjera të vitit, sepse deti mbetet gjithnjë i bukur dhe qetësues për të. Por, edhe këtë vit duket se planifikimet e pushimeve do të jenë tipike nga ato të minutave të fundit, për shkak të prioritetit të saj, klientëve pra që trokasin në atelienë e Stelës për të marrë veshjet e stiluara nga ajo. “Me shumë mundësi do të gjejmë një vend intim me familjen, pasi të na përputhen të gjithëve axhendat. Me siguri do të jenë pushime brenda Shqipërisë duke eksploruar ndonjë destinacion të ri, i cili ofron qetësi dhe intimitet”.