Të punosh si skuadër me Eris Kasmin

Çelësi i suksesit të një kompanie, nuk është vetëm shpirti i liderit, por kryesorja funksionimi i skuadrës dhe punës në grup. Mes të tjerash, komunikimi i vazhdueshëm me prirjen e gjetjes së zgjidhjeve, tolerancës, vëmendjes dhe mbështetjes së vazhdueshme janë faktorë të jashtëzakonshëm në suksesin e një kompanie. “Në kushtet e sotme kur puna është shumë më kërkuese dhe impenjative, ndarja e prioriteteve dhe përgjegjësive bën të mundur kategorizimin e punës, duke mundësuar kështu kryerjen e detyrave. Unë besoj shumë në faktin se ndarja e roleve dhe detyrave është mënyra më e mirë për të pasur harmoni. Sakaq, performanca e një skuadre varet shumë nga fakti se si pjesëtarët ndërveprojnë dhe performojnë bashkarish. Suksesi duhet nxjerrë në pah, po në formën e individualizuar, pra duke përgëzuar individin në grup, por dhe duke i dhënë forcën e duhur skuadrës”, cilëson Eris Kasmi. Por, mes të tjerash, diskutimi konstuktiv, dhe prirja drejt situatave të zgjidhje, janë faktorë të rëndësishëm në mbarëvajtjen dhe funksionimin e hallkave të njëpasnjëshme në një kompani. “Sa i përket komunikimit mendoj që mund të jetë konçiz në disa raste, por dhe i detajuar dhe i elaboruar në raste të tjera në varësi të informacionit që kërkohet për të dalë tek rezultati përfundimtar. Dhe në raste konfliktesh ose problematikash të ndryshme, unë jam për zgjidhje konstruktive nisur nga fakti që gabimet jane njerëzore. Ajo që kërkoj është vëmendje dhe përqendrim, përkushtim dhe dëshirë. Nëse këta elementë aplikohen çdo gjë mund të tejkalohet. Përpiqem që t’i zgjidh konfliktet nëpërmjet gjetjes së zgjidhjes si dhe ballafaqimit të fakteve. Nuk jam për masa drastike, pasi besoj në forcën e arsyes dhe zgjidhjes brenda saj”, vijon ai. Shpesh, dalja në sipërfaqe, përtej angazhimit profesional, i jep një tjetër profil natyrës së përditshmërisë në ambientin e punës. Ndarja e historive interesante në rrafshin personal, pse jo dhe ato pikantet nga aspekti shoqëror e shtojnë larmishmërinë në ambientin ku gjithsecili prej nesh ndërvepron çdo ditë. E pikërisht, kjo duket se shton edhe dozat e frymëzimit e bashkëpunimit të punës në grup. “Këto qasje japin një dimension tjetër, duke reduktuar tërësisht nivelin profesional, ndërkohë shtojnë edhe elementin emocional deri diku. Ato shërbejnë si ura komunikimi, të cilat mund të thyejnë barrierat që mund të krijohen për arsye profesioni apo pozicioni të caktuar të personave në skuadër dhe njëkohësisht kontribuon dukshëm në frymën e bashkëpunimit dhe funksionimit të punës në grup”. Në profilin e punës së tij, krahas shembujve praktikë, Erisi i mëshon disa piketave motivuese, pse jo edhe sfiduese që i shërbejnë qëllimit final: suksesit të kompanisë në treg. “Komunikimi i hapur dhe transparent adreson nevojën e punonjësve të ndiejnë që ajo çka ata thonë ka vlerë duke i bërë ata të  ndjehen pjesë e grupit. Vlerësim për punën e pa lodhur.  Shpirt i lartë skuadre dhe një garë-kompeticioni konstruktiv brenda organizatës gjeneron një ambient më pozitiv dhe jep rezultatet e duhura”, përfundon ai.