Roma antike mirëpriti koleksionin magjik të Valentino. Nën lojën e errësirës dhe prekjes digjitale, Valentino na prezanton me 16 veshje shumë të gjata, super elegante.
Koncepti i sfilatës, e cila u ndoq online nga publiku, u frymëzua nga magjia e evolucionit të kinemasë, duke sjellë në mënyrë fantastike evokuimin e heshtjes dhe suspancës, që bashkëvepronin me hologramat digjitale. Sekuencat e ujëvarave, zhurma relaksuese e ujit dhe krijimet mahnitëse pluskonin në errësirën e mrekullueshme të Valentino.
Mistikja, misteriozja dhe surrealja gjeti vend në qytetin e pagëzuar si “fabrika e ëndrrave”, ku dëshira dhe pasionet ngjizen dhe marrin formë,
Në një konferencë nëpërmjet platformës Zoom, Pierpaolo Piccioli shprehet se ky koleksion është “një përgjigje ekstreme” ndaj pasojave të vështira të vetëizolimit, gjithashtu përmbledh dëshirën e përbashkët për të zgjidhur problemet teknike me të cilat u përball stafi i Valentino, njëkohësisht e gjithë bota. Piçioli shprehet se: “Nuk dua të ndiej asnjë limit. Koleksioni është krijuar nga emocionet dhe ndjenjat. Mund të them se triumfi ndaj kësaj sfide ishte shumë emocionuese për të gjithë ne. Ishte një çast që nuk do ta harroj kurrë”.
Sigurisht, Roma nuk ishte një përzgjedhje rastësore, ishte një zgjedhje simbolike për të ringritur shpresën dhe për të dhënë mesazhin se njerëzimi do t’ia dalë!
Elegance ju sjell 16 krijimet surreale, të cilat mahnitën të gjithë industrinë e modës.