Në 10 janar të vitit 1971, Coco Chanel u nda nga jeta në dhomën e saj në Ritz dhe që prej asaj dite, bota e modës nuk është më e njëjta, pasi humbi një prej figurave më të shquara, e cila me kryeneçësinë tipike, ia doli të thyente çdo barrierë dhe të vendoste standarde krejtësisht të reja.
Tashmë e dimë se Coco Chanel e nisi gjithçka nga zeroja, për të ngritur një perandori stili, e cila u pagëzua me emrin “Chanel”. Në kohën tonë, vetëm një person arriti të trashëgonte gjenialitetin e Coco. Bëhet fjalë për Karl Lagerfeld, i cili i udhëhequr prej vizioneve të krijueses së shtëpisë legjendare, i dha shumë frymëzim botës.
Sigurisht, një figurë si Coco Chanel, e cila jetoi një jetë aspak të zakonshme, do të kthehej në inspirim për kinemanë botërore, ndaj Elegance ju sjell 5 filmat më të bukur, të mbështetur në jetën dhe stilin e ikonikes Grande Mademoiselle.
Coco before Chanel (2008)
Ky film sjell jetën sentimentale të Gabrielle Chanel, e cila iu dedikua dashurisë dhe modës me të njëjtin vrull dhe pasion. Audrey Tautou, në rolin e Mademoiselle të stilit, zhvesh trupat e grave nga fustanet tipike, “të mërzitshme” dhe i vesh me rroba revolucionare. Në këtë film, rrekemi ta njohim Coco përtej famës si një prej mendjeve më gjeniale të modës, duke cekur gruan gjeniale që fshihet pas profesionit. Kjo grua e neglizhuar dhe e lënduar nga fëmijëria tragjike dhe dashuritë e humbura, sërish dashurohet çdo ditë me jetën dhe të bukurën.
Coco Chanel & Igor Stravinsky (2009)
Ngjarjet zhvillohen në Parisin e 1920-ës, kur emri i Coco Chanel ishte më i lakuari. Ndërkohë që karriera ishte në ditët më të mira, jeta personale ishte një dramë e vërtëtë, pasi në dhjetor të vitit 1919, i dashuri i Gabrielle ishte zhdukur në një aksident automobilistik. Jeta e Coco ndryshoi kur u njoh me Igor Stravinsky, personaliteti i të cilit, e mahniti brilanten Gabrielle. Kështu, ajo vendosi ta akomodonte Igor në shtëpinë e saj, së bashku me familjen e tij, e pëbërë nga gruaja dhe fëmijët e revolucionerit rus. Lindi një lidhje shumë pasionante, e cila përmes aktrimit të jashtëzakonshëm të Anna Mouglalis dhe Mads Mikkelsen, na rrëfen gjenialitetin dhe egon e shfrenuar të një çifti mbresëlënës.
The Return (2013)
Në fundin e vitit 2013, e shohim Karl Lagerfeld si regjisor në një film i cili i dedikohet pikërisht muzës së industrisë së modës, Coco Chanel. Nën kamerën dhe syrit absolutisht kritik të gjeniut Lagerfeld, aktorja Geraldine Chaplin në një mënyë tërësisht brilante kthen rrotën e historisë dhe na dërgon në epokën e evolucionit të modës, nën emrin e Chanel.
Thashethemet, vizionet, pasionet dhe dëshirat e Coco Chanel, mund të shijohen në një film mahnitës, me metrazh të shkurtër.
Once Upon A Time (2013)
Në 9 maj të vitit 2013, Chanel prezantoi një koleksion fantastik në Singapor, 1 shekull pas inaugurimit të butikut të parë të Gabrielle Chanel në Deauville. Për këtë jubilar të jashtëzakonshëm, Karl Lagerfeld na solli një tjetër film të mrekullueshëm mbi jetën dhe karrierën e Gabrielle.
Coco Chanel (2008)
Në 2008-ën, një film shumë i bukur, njëkohësisht shumë i kritikuar na sjell biografinë e Chanel, që prej fëmijërisë, deri në ditët e saj të fundit. Ndërkohë që jeta e saj mbulohet nga muzgu, Coco rikujton lavditë, dështimet, dashuritë dhe pengjet, duke na rrëfyer disa aspekte krejtësisht të panjohura të jetës së saj private.