Me një karrierë jashtëzakonisht të gjatë dhe të suksesshme,dhe gjithmonë në memorien dhe simpatinë e publikut, Jonida Maliqi triumfon edhe njëherë tjetër në Festivalin e Radio Televizionit Shqiptar, duke përfaqësuar denjësisht Shqipërinë në “Eurosong”. Shumë prezente me stilin që kthen koka dhe po aq me thjeshtësinë që e karakterizon, Jonida ka rrëmbyer përherë zemrat e publikut dashamirës. Së fundmi, kënga “Ktheju Tokës” me një tekst drithërues dhe tejet aktual, i cili nuk mbyllet vetëm në kornizat e vendit tonë, por universalizohet, ia ka dalë të këtë vëmendjen e një audience shumë të madhe. Kënga ka pasur impakt epik, me dimensione gjigande dhe shtetet fqinje dhe të largëta e kanë pëlqyer pa masë. Tema e prekur është ajo e emigrimit për shkak të rrethanave dhe një “klithje” që pavarësisht ku individi gjendet të mos harrojë zanafillën, të mos harrojë rrënjët dhe gjakun në deje. Më poshtë kemi marrë pak nga koha e Jonida Maliqit për t’ju transmetuar emocionet e saj rreth këngës, pritshmëritë dhe ndjesitë personale që e kanë kapluar pjesëmarrësen në “Eurosong”.
Jonidë së fundmi të kemi parë shumë aktive, sigurisht për shkak të angazhimeve me këngën “Ktheju Tokës”, me të cilën ti përfaqëson Shqipërinë në “Eurosong”. Si po e përjeton këtë periudhë?
Kjo periudhë mund të jetë një ndër më intenset të karrierës sime artistike. Kam nisur të këndoj që në moshën 9 vjecare dhe gjithmonë i kam marrë shumë seriozisht të gjitha kompeticionet, aktivitetet, eventet, por të prekësh një skenë europiane nuk e kisha menduar ndonjëherë. Ishte thjesht një ëndërr e cila u bë realitet në një moment krejtësisht të papritur dhe që është shumë impenjative. Është shumë e bukur, por mbi të gjitha ka një energji shumë të mirë, plot besim. Uroj që si nisi të finalizohet, sa më mbarë.
Si lindi kjo këngë, kur u njohe ti me të dhe si ishte impakti fillestar me këngën?
Mund të them që ndër vite më janë ofruar shumë këngë për në festival dhe gjithmonë i kam neglizhuar dhe kam gjetur justifikime që as mos të dëgjoja materialet që mos të përfshihesha, Por këtë herë më së shumti kisha një ndjesi tjetër, një energji, dëshira për ta takuar zyshën pas shumë vitesh. U ritakuam, dëgjova këngën në variantin demo (pa tekst), për 2 minuta, e kënduar nga Erjona. Ndërkohë që e dëgjoja emocionohesha dhe e përjetova si asnjë këngë tjetër. Të emocionohesh vetëm me melodinë është një rast shumë i rrallë. Iu luta ta ma jepte mua këtë material, ta shfrytëzoja për një klip, ose ta kisha një këngë timen, pa u përfshirë në festival. Zysha më tha se i kishte idetë e qarta dhe se këngën e kishte krijuar enkas për festival, sepse është një këngë epike, madje edhe teksti nuk është i një kënge dashurie, sic është bërë klishe, por është një tekst me temë sociale, me peshë.E dëgjova shumë herë, shkoi gjithçka mbarë. Më pas u ritakuam, më dha një tekst të parë të cilin unë nuk e parapëlqeva, sepse kishte shumë fjalë dhe humbisnin frazat, ndërkohë që gjithë madhështia e këngës është te frazat e gjata, frymëmarrja. Mund të them që nga ana teknike kjo këngë është realitivisht e vështirë, jo vetëm nga trajtimi që i bëhet. Unë këndoj non-stop, kam vetëm një rast ku pushoj, ndaj frymëmarrja është shumë teknike, sepse ndryshe nuk ia del dot.
Le të ndalemi pak tek bashkëpunëtorët e këngës. Si ka lindur marrëdhënia me Eriona Rushitin? Duket se jeni gjendur shumë mirë në vargjet dhe muzikën e këtij projekti, a është ky bashkëpunimi juaj i parë?
Me Erjonën jam njohur që në liceun artistik, gjatë shkollës së mesme. Edhe pse ka qënë një brez tjetër, ajo ka qënë nga ato vajzat e akademisë që binin menjëherë në sy. Duke qënë më e vogël, gjithmonë këto vajzat që ishin jo vetëm të bukura, por edhe insturmentiste të mira dhe ashtu si i ndodh çdo adoleshenteje, i memorizojnë fort. Gjithmonë jemi përshëndetur, më pas jëmi bashkuar në disa orë ku zysha më ka dhënë mësim në universitet. Pastaj patëm një shkëputje, rrethanat; nuk ishim takuar as në Tiranë, ndodhi që një ditë gushti më shkruan në Instagram dhe më kërkon numrin e telefonit, duke u prezantuar. Kisha kureshtje të madhe dhe nuk hezitova, menjëherë i dhashë numrin dhe komunikuam në WhatsApp. Më tha se kishte një material muzikor enkas për Radio Televizionin Shqiptar. I thashë së nuk dua të bëhem pjesë e festivalit sepse kisha vite që isha shkëputur nga kompeticionet, pasi mendoj se e kisha ezauruar atë fazë. Më sugjeroi që të paktën të dëgjoja këngën dhe më pas ta diskutonim nga afër. Shkuam në studio dhe atje kam improvizuar të gjitha melizmat. Më lanë dorë të lirë, ashtu si nuk të lihet në asnjë bashkëpunim.Teksti i dytë ishte i duhuri dhe për një orë kemi regjistruar, jam emocionuar dhe kur kam dalë nga studioja i thashë “Faleminderit!” për këtë energji. Ndjesia ishte ajo e lumturisë më të madhe në botë që po bëhesha pjesë e kësaj kënge. Më pas gjithçka ka shkuar mrekullisht dhe pa stres, por vetëm me dashurinë dhe pasionin e një skuadre të vërtetë që isha unë, Erjona Rushiti dhe Enis Mullahi, orkestruesi.
Pjesëmarrja në festival e cila ju solli edhe fitoren, ishte një projekt që e parashikoi triumfin, apo ky i fundit ishte rastësor?
Ishte krejtësisht rastësor. Kisha 11 vjet pa qënë pjesë e Festivalit të RTSH, ndoshta edhe prej faktit të “Eurovizion”, të cilin nuk e kam paragjykuar, por duke parë prej vitesh kolegët e mi sesa impenjative ishte e gjithë situata dhe sa e madhe ishte përgjegjësia e përfaqësimit të vendit tënd dhe sa përkrahje do të kishe nga publiku shqiptar që ndonjëherë të shënjestron. Ndoshta edhe për faktin që sa herë arrin sukses, gjithmonë ka një “por..” dhe kam dashur që të shmangesha sa më shumë kundrejt këtij emocioni jo fort të mirë. Ndonjëherë ty të duket sikur punon fort, për një kohë relativisht të gjatë, madje edhe 1 vit për një këngë e më pas për 3 minuta që ti ke një emocion shumë të madh, të shkelësh në atë skenë, të marrësh duartrokitjet e publikut, por papritur gjithçka zbehet nga disa komente. Ndonjëherë komentet janë shumë të bukura dhe kjo dominance gjithmonë është shumë e bukur; ndonjëherë ti pezmatohesh për faktin që nuk arrin të kesh një kritikë të mirëfilltë artistike sot në Shqipëri.
Duket se kënga është pritur shumë mirë jashtë, janë të shumtë ata të cilët reagojnë në You Tube e rrjet sociale. Si është marrëdhënia jote e re me këtë publik të ri, i cili të ka pritur me shumë dashamirësi?
E dija që kënga ishte shumë e mirë, që do të kishtë impakt sepse ashtu sikurse ndodh me çdo këngëtar, ose çdo individ që kur ka një projekt menjëherë ia tregon familjarëve, ashut ndodh edhe me mua. Këngën ia tregova motrës sime, e cila është një prej kritikuesve më të mira dhe të ashpra ndër vite dhe shpesh më ka thënë: “Ke vokal të mirë, por asnjëherë nuk ke qëlluar në shenjë me këngën e duhur” dhe këtë herë ajo ishte tejet e emocionuar. E habitur më tha se kjo këngë ishte e imja dhe më përkiste. Patjetër që pati një influencë të madhe, Reagimin më të bukur e kam përjetuar në provën e parë live që e kam kaluar me orkestrën e Festivalit të RTSH-së. Prova e parë është gjithmonë shumë domethënësë për mua, ndryshe nga ato provat e skenës, sepse në momentin që ti ekzekuton live para një audience profesionale emocioni është shumë i fortë dhe duhet të tregosh anën më të mirë të mundshme. Pasi përfundova këngën isha shumë e emocionuar dhe reagimi më i bukur, ishte ai i instrumentistëve të cilët filluan t’i binin harqeve në leggio dhe kjo tregon se ky është vertetë suksesi dhe duartrokitja profesionale. Instrumentistëve nuk u lejohet të duartrokasin me shuplaka, si publiku dhe kjo është mënyra e tyre e duartrokitjes. Aty u frymëzova dhe u sigurova që gjithçka po shkonte mbarë dhe triumfova. Përsa i përket pjesës së publikut nuk ma kishte marrë mendja kurrë se do të kishte një reaksion të tillë, nga ndërkombëtarët. Ishte një surprizë marramendëse. Pas 48 orësh që unë fillova të preceptoja që do të isha pjesëmarrëse në “Eurovizion” menjëherë u bëra përfshvia në këto reaksione komente dhe kritka kaq pozitive. Çdo ditë inbox-i im është i mbushur me fansa të cilët më kërkojnë t’u dërgoj foto me autografin tim, më janë ofruar njerëz të cilët kanë fituar kompeticione të rëndësishme, njerëz të cilët duan të bashkëpunojnë, këngë nga të huaj etj. Nuk e kisha menduar këtë impakt, ndaj është një ëndërr e cila po bëhet realitet. Do doja shumë që në këtë periudhë të kisha mundësinë që të klonohesha, që ta menaxhojë situatën dhe sot po e ndjej vështirësinë e vetë-menaxhimit. Nga ana tjetër jam më e lumtura në botë sepse fansat e Eurovizionit janë të shumtë dhe kanë një dashamirësi të jashtëzakonshmë që ma mbushin shpirtin plot. Mezi pres të filloj turin dhe të shkel skenën.
Cilat janë pritshmëritë e tua në “Eurosong”?
Unë jam rritur me festivalet, jam zhgënjyer shumë, sidomos gjatë periudhës që kam qënë fëmijë. Nuk mendoj se më kanë zhvlerësuar, përkundrazi prej vitesh jam nderë e vlerësuar. Gjithmonë kam kërkuar maksimumin, por ama edhe kur kam qënë e vetëdijshme që nuk kam pasur një këngë të mirë, apo nuk kam dhënë më të mirën time nëpër festival, sigurisht nuk kam pasur as hatërmbetje. Asnjëherë nuk ia kam stimuluar vetes, ndoshta zhgënjimet e fëmijërisë që mendoj se te secili prej nesh kanë lënë shenjë, i shoh këto kompeticionet me një tjetër sy. Dua të jap maksimumin tim, dua ta shijoj, dua që kur të shoh veten pas transmetimit të jem e lumtur me atë që kam dhënë e më pas të mobilizohem fort. Më pas cfarë më rezervon e ardhmja. Synimi i vetëm që kam në “Eurosong” është të mundem të kaloj në finale, më pas e sata nuk e di, nuk dua ta di, le të mbetet surprizë. Uroj të jetë surprizë e këndshme. Ajo që kam më së shumti frikë, edhe më parë hezitoja, edhe për kolegët e mi që nëse nuk kualifikohesha, është se në këtë vendin tonë do t’i paragjykonin e do t’i shënjestronin negativisht. Unë jam e vetëdijshme se për sa kohë unë kam një biznes timin, kënga është dashuria e parë, mund të jetë pasioni im më i madh, por nuk e ushtroj si profesion, kështuqë sido të shkojë situate nuk do të ketë anë negative. Marr gjithmonë në konsideratë të keqen e pastaj të mirën.
A ndjen ndonjënjë lloj presioni nga publiku dhe kritika vendase për këngëtarët që përfaqësojnë Shqipërinë?
Publiku shqiptar është një publik pa të cilin nuk do të ekzistoja sot. Jam rritur, më ka frymëzuar dhe mbështetur, megjithëse kam pasur hera-herës shkëputje relativisht të gjatë. E dua fort! Sigurisht që ne si një popull i vogël me gjithë problematikat tona, me pjesën e tranzicionit kemi ende disbalancime të tipit artistik e kulturor; ende nuk kemi diferencime e kategorizime, por kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet ballkanase. Megjithatë hap pas hapi po evolojmë, edhe në aspektin e shijeve. Është media ajo që duhet ta stimulojë publikun dhe mendoj që këtu një peshë të madhe ka media. Është shumë e rëndësishme që vlerave t’u japësh një mbështetje të madhe, ndërsa antivlerat të shfrytëzohen për të tjera gjë. Larg analizave, për sa kohë impaktin e pata shumë të mirë te ndërkombëtarët, kjo ka shërbyer edhe si shtysë edhe te publiku shqiptar. Nëse ti pëlqehesh jashtë, nëse një artist shqiptar është i suksesshëm jashtë, menjëherë në publikun shqiptar merr vlera. Për mendimin tim nuk duhet të ndodhë kjo. Kemi artistë shqiptarë shumë të mirë që jetojnë në vendin, japin maksimumin dhe mbijetojnë dhe ne duhet t’i mbështesim.
Cili është turi i parashikuar për promovimin e kësaj kënge?
Turi është marramëndës. Për gjatë gjithë muajit Prill do të shkoj në disa shtete ku organizohen koncerte masive që tashmë janë bërë pjesë rutine e “Eurosong”. Do të takohem me të gjithë pjesëmarrësit, me mediat, në konferenca shtypi, në festa të mëdha. Mezi po pres sepse më kanë thënë të gjithë, edhe kolegët e mi ndër vite, edhe ata që më shkruajnë vazhdimisht më kanë thënë se do të jetë një eksperiencë e mrekullueshme, është si një festë e madhe, me energji shumë pozitive dhe pikërisht këtu do të nisë rrugëtimi dhe do ta kuptoj pak a shumë atmosferën që më pret më pas në Tel Aviv. Turi nis me Amsterdamin, një koncert masiv atje, gjithashtu konferenca shtypi. Kthehem në Tiranë për punë dy ditësh e pastaj nisem për Tel Aviv, ku do të realizoj kartolinën për vendin tonë. Eshtë një vend i magjik të cilin me padurim pres ta vizitoj, pas inga fotot dukej një mrekulli e vërtetë natyrore. Më pas kthehem sërish në Tiranë për 2-3 ditë, do të nisem për në Londër. Më pas do të shkoj në Madrid. Pas Madridit do të shkoj në Prishtinë e Maqedoni, do të kthehem për 2 javë në Tiranë e më pas nisem në Tel Aviv, dhe atje do të fillojë dhe finalizohet cikli i Eurovizionit. Jam shumë e lumtur kem pranë familjen; mamin, motrën dhe mbesën e vogël. Sikleti i vetëm që kam është se nuk do e marr Dan me vete, pasi dua të jem e përkushtuar 100% dhe fëmijët e vegjël nuk kanë shumë akses në këtë festival. Ky 15 ditësh është hera e parë që largohem kaq gjatë nga im bir.
Le të ndalemi pak tek klipi, si erdhët tek ky skenar dhe kush punoi për realizimin e tij?
RTSH që është producent eksekutiv i këngës dhe pjesëmarrjes në “Eurosong” më la hapësira që unë të zgjidhja bashkëpunëtorët e mi. Në këtë rast janë “Triangle Production”, i përbërë nga Genci Gjineci (regjisor) dhe nga Andi Kodri, të cilët realizuan klipin. Ata punojnë me shumë pasion. Kemi punuar fort, gjithë ideologjitë e tyre kanë përkuar. Është e mira që në këtë profesion të mos bëjmë gjithçka vetë. Ne pretendojmë ta bëjmë këtë, duke marrë parasysh që nuk kemi një staf të gjerë, por unë nuk jam dakord. Unë di të kujdesem për imazhin tim, të bëj atë që di të bëj më mirë; të këndoj, por kurrsesi nuk mund të luaj rolin e regjisores, stilistes. Ndaj i besova “Triangle Production” të cilët e zgjidhën në një mënyrë perfekte. Është ideuar dhe realizuar një fole me përmasa reale, ku kemi futur disa fëmijë që simbolizojnë gjenezën e njerëzimit dhe papritur ajo fole digjet. Ashtu si mund t’i ndodhë çdokujt, nëse ty të prishet foleja do të shkosh ta ndërtosh diku gjetkë. Është një situatë shqiptare, por edhe globale. Unë e kam përjetuar edhe personalisht, sepse ime motër jeton jashtë dhe ka krijuar familjen e saj jashtë Shqipërisë për 1001 arsye. Së pari për hir të dashurisë për partnerin e saj dhe për një jetesë më të mirë. “Ktheju Tokës” i themi të gjithë individëve, mos harroni rrënjët, kthehu në gjendjen tënde; mos harro origjinën, por nuk do të thotë domosdoshmërisht të kthehesh këtu. Nëse ti përjeton një jetesë më të mirë diku tjetër, mos harro gjenezën sepse ashtu si ne na përthith toka, jemi pjesë e saj, ashtu janë edhe popujt pjesë e tokës së tyre. Jam gjendur shumë mirë edhe me Ardi Asllanin, me të cilin kam bashkëpunuar prej vitesh dhe më njeh shumë mirë edhe fizikisht. I kam lënë dorë të lirë për shkak se kam shumë besim. Është shumë e rëndësishme që në një skuadër të kesh besim të plotë të njerëzve që të rrethojnë, sepse në fund të gjithë punojmë për një qëllim; të realizojmë një performancë sa më të mirë, të realizojmë një vepër artistike dhe të përfaqësojmë vendin tonë denjësisht.
Në bisedën tonë më the se këtë këngë e ndjen shumë dhe se mund ta këndosh edhe po të të zgjojnë nga gjumi në tre të mëngjesit, si është raporti që një këngëtar krijon me këngën? Çfarë e bën një këngë më të dashur edhe më pranë zemrës së të tjerat?
Kur kam kënduar këngën “Thesar pa emër” ka qënë pothuajse e njëjta ndjesi. Mund të them që ka qënë një ndjesi krejtësisht e ndryshme nga këngët e tjera ndër vite, ndoshta vjen edhe si pasojë e një pjekurie artistike dhe maturie personale. E lidh me “Thesar pa emër” sepse unë në trupin tim kisha një zemër tjetër që rrihte fort. Ishte im bir, ishte ajo që dëshiron çdo femër dhe pikërisht këtë lumturi doja ta ndaja me të gjithë publikun, me nënat që kishin përjetuar një ndjesi të tillë, gjithashtu edhe nënat që janë në pritje të një fëmije, të cilat shpesh më thonë se kënga është kthyer në kolonën zanore të femrave shtatëzanë. Ka qënë një emocion shumë i bukur, të cilin mendoja se do të përfundonte aty, pra si kënga “Thesar pa emër” nuk do të gjeja një material muzikor, aq personal, aq të dashur dhe emocionues sa hera-herës e shmag për ta riparë ose dëgjuar veten sepse emocionohem edhe sot e kësaj dite. “Ktheju Tokës” ka të njëjtat dimensione në emocion sepse është tejet personale sepse e lidh me Xhildën, gjysmën time, mungesën e së cilës e ndjej shumë, por sigurisht është më ndryshe. Është një këngë që më përshtatet mirë vokalisht, të emocionon sa herë që e këndon dhe vjen aq bukur dhe natyrshëm. Kur luhen harqet dhe jepet tema kryesore e këngës për mua është sikur fluturoj dhe prek një copëz qielli dhe rikthehem në tokë. Është një këngë që ka shumë pathos dhe më bën të mendoj gjithë rrugëtimin tim në këtë tokë, gjithë përjetimet e mira dhe të këqija dhe më bën të ndihem gjallë.
Dua të ndalem pak tani jashtë muzikës, si është dita jote, të shohim shumë aktive në rrjete sociale?
Jonida: Ditët e mia nuk janë të jashtëzakonshme, ashtu si çdo nënë. Duhet të zgjohem herët, në mëngjes, rreth orës 7:45 ku bëj gati Danushin me përkedhelje sepse duhet të zgjohet, ta përgatis për në parashkollor, pres të më lajmërojnë, e zbres poshtë te mikrobusi dhe e lë të vazhdojë ditën. E më pas ngjitem lart në shtëpi, pi kafen dhe bëhem gati për ditën që më pret. Në fakt, ditët e mia nuk janë asnjëherë të njejta, pasi përvec biznesit dhe punët që duhet të merrem atje, kam edhe aktivitetet ekstra, si Instagrami ku unë shpesh promovoj biznese dhe produkte të ndryshme të cilat i konsumoj vetë. Asnjëherë nuk kam promovuar produkte që nuk i përdor. Gjithashtu kam takime të vazhdueshme; mundohem të jem e kujdesshme për fizikun tim, sa herë më jepet mundësia shkoj në palestër. Kryesisht drekat e mia hahen në zyrë, pasi edhe Dan e ka aktivitetin e tij të ngjedhur dhe shkon në basketball. Mundohem të mbaroj gjithçka brenda drekës dhe pasdites që pastaj të jem me kohë të plotë mami i Dan-it.
Po aspektin e Jonidës si “business woman”, ke patur gjithnjë një sy për sipërmarrjen apo ky është një profesion përtej muzikës që të bën më racionale?
Biznesin e kam krijuar që para 10 vitesh, pothuajse një dekade. Ishte një sipërmarrje të cilën e doja fort, ishte një gjë që mendoja se kisha aftësi dhe rezultoi i suksesshëm. Ka qënë një punë që nisi “just for fun”, por pastaj sigurisht në momentin që ti fiton të ardhura investon më shumë, punon më fort, mëson sekretet e kësaj pune. Më është dashur që të angazhohem më shumë në biznes se në muzikë, pasi të ardhurat vijnë kryesisht prej këtij biznesi; më është dashur të lëviz shumë shpesh jashtë vendit. Ka qënë shumë impenjativ, ndaj në këtë fazë të jetës unë vendosa ta ndaj këtë biznes bashkë me partneren time, Arminën. Kështu gjeta edhe mënyrën për t’u fokusuar më shumë te kënga, te pasioni dhe dashuria për muzikën. Mua më pëlqen gjithnjë që të kem risi në punë, të kem ndryshime të vazhdueshme dhe në momentin që dicka më kthehet në rutinë, dua ta zhvilloj në një tjetër formë, ndaj mendoj se forma e një biznesi duke shfrytëzuar edhe imazhin tim do të jetë në rritje e sipër. Për sa kohë kam shumë energji, më pëlqen puna, pasi nuk shquhem për një person që mund të rrijë në një zyrë administrate për shumë kohë, por më pëlqen të jem në terren, kam gjetur këtë formë profesionale, me të cilën ndihem shumë e lumtur. Mendoj se një individ ndihet i lumtur kur ka paqe në shtëpi, kur zgjohet i qetë, i lumtur pranë njerëzve të dashur dhe sigurisht, kur gjen vetveten në profesion.
Duket se ke një lidhje speciale me familjen me motrën, mamin që e shohim edhe në story dhe me djalin tend. Nisur nga kjo, si e përkufijëzon Jonida familjen?
Që në fëmijëri jam rritur me shumë dashuri dhe përkushtim nga familja ime. Prindërit e mi janë munduar maksimalisht me mundësitë e tyre të më plotësojnë gjithçka pa lejuar që unë të bëja kompromise, megjithëse para disa vitesh të gjithë kemi qënë të barabartë dhe Shqipëria ka qënë në një tjetër nivel. Ata më drejtuan drejt ëndrrës sime dhe në mënyrë absolute nuk më kufizuan, por më ndihmuan që unë ta dilja dhe kanë qënë mbështetja ime kryesore. Kam dy prindër të mrekullueshëm, të cilët më kanë mësuar se dashuria e vërtëtë ekziston, ndaj mos mendoj që me kalimin e viteve gjërat mund të ndryshojnë. Jam idealiste kundrejt këtij fakti.
Kam një motër të cilën e kam adhuruar, ka qënë muza ime dhe femra perfekte para syve të mi. Kam pastaj qershinë mbi tortë, tim bir, pa të cilin nuk e mendoj fare ekzistencën time. Është ai që më lumturon në mëngjes, është ai që më bën të ndihem e qetë dhe e lumtur në darkë. Kam një raport shumë special me të. E di që hera-herës ndoshta gaboj sepse e llastoj shumë, por edhe unë e tillë kam qënë, shumë e lidhur me familjen time, ashtu sikurse është edhe edhe Danushi, por mendoj se në fund të ditës të gjithë duam shumë dashuri që të falim shumë dashuri. E gjitha të përmbush dhe të bën të jesh në paqe me vetveten, mos të kesh energji negative. Mendoj se e gjitha vjen nga vetvetja dhe në mënyrë absolute nga familja.
Si e imagjinon të ardhmen tënde, e ka një dashuri të madhe së cilës po i dedikohesh?
Dashuria më e madhe për mua është dhe do të mbetet Dan. Është fryma, qënia dhe gjaku im. Mendoj se dashuritë e mëdha përjetohen në një moshë të caktuar, i referohem asaj në cift; në një moshë kur ti idealizon dhe adhuron në një formë tjetër. Në këtë fazë të jetës ku unë tashmë jam një grua 36 vjecare, mendoj që mund të dua në një tjetër formë. Dashuria absolute dhe e padiskutueshme mbetet epiqendra e botës sime, edhe pse nuk dua të tingëlloj klishe, por ashtu si çdo nënë, edhe unë bëj pjesë te kjo kategori, e gatshme për të dhënë jetën për fëmijën tim. Kur mendoj fjalën “dashuri” para syve të mi del Dan.
Kur do kemi një koncert recital me krijimtarinë tënde ndër vite?
Këtu më ke prekur në tela. Është ëndrra ime dhe uroj shumë të bëhet realitet, pasi kërkon shumë punë, përkushtim, një përzgjedhje të mirë stafi dhe një skuadër të fortë. Le të mbarojë njëherë “Eurovizion-i” sepse u bënë tashmë pothuajse 5 muaj që unë po gdhihem dhe ngrysem me “Eurosong”. Nuk e di cfarë do të më rezervojë e ardhmja, por sigurisht që e kam synim një koncert recital me materialet e mia më të mira ndër vite, me covera dhe bashkëpunëtorë. Uroj ta realizoj sa më shpejt të jetë e mundur.
Në fund, çilat janë planet e tua profesionale si në biznes po ashtu në muzikë?
Paralelisht po punoj edhe për një këngë tjetër verore, produksionin e së cilës mendoja se do e mbaroja gjatë kësaj periudhe, por e kisha të pamundur nga intesiteti i punës që më ka kërkuar “Eurosong”. Gjithashtu në biznes mendoj se përpos “Delirum” kam disa plane të tjera, të cilat ende janë në fazë zhvillimi, asgjë konkrete. Më janë ofruar shumë gjëra të cilat do tingëllojnë pak cuditshëm. Jam shumë e kujdesshme për zgjedhjet që bëj, pasi kur arrin një fazë pjekurie dhe ke përgjegjësi jo vetëm për veten, por edhe për krijesën tënde, tim bir në këtë rast, më duhet të punoj fort për të mbajtur standartin e jetesës me të cilin jam mësuar të jetoj. Është e lodhshme kur je e vetme, njëkohësisht e bukur dhe stresuese, por edhe një arritje, realizim dhe vetëbesim që mendoj çdo femër e ka brenda vetes. Ndonjëherë nuk e kuptojmë energjinë që kemi, sepse jemi krijesa shumë të brishta dhe përshtatemi, por mendoj se çdo femër mbart në vetvete një energji të jashtëzakonshme dhe unë besoj shumë te kjo qënie kaq e jashtëzakonshme dhe kaq perfekte.