Tek Elvana në SCAN!

E kemi njohur si drejtuese e “Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetesor” dhe në poste të një natyre publike, por Elvana Hana, është një figurë suprizuese me shumë dimensione . Prej 5 vitesh drejton televizioin e vetëm ekonomik në vend “SCAN”, një eksperiencë shumë interesante që siç edhe Elvana na rrëfen është shumë stimuluese dhe kreative. Një zonjë me shumë pasione dhe mbi të gjitha një grua që ka vendosur të sjellë ndryshime në punën që merr përsipër.

Ndërkaq përtej kësaj interviste Elvana Hana ishte një personazh shumë i dashur, e përkushtuar për të realizuar punë të bukura dhe të vlefshme duke dhuruar shumë buzëqeshje dhe mbi të gjitha shumë grintë për bashkëpunëtorët e saj. Ne jemi munduar ta zbulojmë në shumë dimensione, kemi provuar të kuptojmë më shumë rreth profesionit të saj të ri, televizionit, familjes dhe pasioneve përtej shkëlqimit të syve të gjallë dhe të shkruar. E në fund të kësaj interviste jemi ndalur sërish tek pasioni më i madh Elvanës, ekonomia. Vetëm disa muaj më parë ajo së bashku me “SCAN Media Group” organizuan për herë të parë një prej forumeve më të rëndësishme të mbajtur në shqipëri për zhvillimin e ekonomisë dhe bashkëpunimit rajonal ballkans, “Future Balkans: Towards a Global Inclusion”, një hap shumë i rëndëishëm ky për sektorin monetar dhe atë të biznesit në vend.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

PROFESIONI DHE TELEVIZIONI

Si do të jetë ky sezon i ri në Scan TV?
Ky sezon në tv SCAN do të jetë shumë interesant. Do të ketë emisione të reja të natyrës ekonomike si për shembull, emisione që lidhen me tregun imobiliar, emisione që lidhen me natyrën ekonomike të bujqësisë apo turizmit, të cilat janë edhe sektorët kryesorë ekonomik të vendit tonë, emisione për financat publike e financat individuale. Ndërkohë do të vazhdojmë me emisionet e tjera, që sezonin e kaluar kanë qënë shumë të ndjekura sidomos nga profesionistet por edhe nga e gjithë audienca.

Fokusi ekonomik do të vijoj të jetë në qendër të vëmendjes?
Patjetër, SCAN është i vetmi “media group” në rajon, i cili ka në qendër të programacionit të tij ekonominë. Kjo na bën të veçantë dhe shumë objektivë, për t?i trajtuar çështjet ekonomike me shumë kujdes e me vërtetësi, pasi shpesh herë na referojnë jo vetëm mediat tona por edhe ato të huaja. Kështu që padyshim ne do te vazhdojmë të ngulmojmë fort tek ekonomia, sepse besojmë që një vend me ekonomi të fortë është një vënd më pranë Evropës.

Për ju si ka qenë si eksperiencë, megjithëse vini nga bota e financës, puna në një TV ndryshon shumë?
Puna në televizion është shumë e bukur, kreative dhe shumë komplekse. Ka të papriturat e saj. Fakti që unë vij nga bota e financës më bën më të organizuar dhe më konsekuente për objektivat që kemi, megjithatë nuk mund të them që liria dhe kreativiteti i mediave në këtë periudhë 5 vjeçare të drejtimit të SCAN, nuk më ka ndikuar.

Çfarë ju tërheq më shumë rreth botë së medias?
Kompleksiteti dhe larmishmëria e saj! Lajmi natyrisht është në qendër, por mua më pëlqejnë shumë ekspertizat e gazetarëve tanë të specializuar me vite në fusha të veçanta të gazetarisë ekonomike dhe që janë njohës shumë të mirë të problematikave të tregut.

E keni menduar të drejtoni një program ju vetë?
Po e kam menduar, por kjo periudhë ka qënë e ngarkuar me punë në pjesën e drejtimit të televizionit, prandaj nuk kam marrë ndonjë hap konkret në këtë drejtim.

Megjithëse një TV me drejtim të përcaktuar, ju keni edhe një program dedikuar artit dhe kulturës, çfarë ju lidh juve personalisht dhe programacionin që bëni me artin?
Arti e kultura përfshihen në programacionin tonë dy ditë në javë, të shtunën e të dielën. Në këto ditë ne përpiqemi të promovojmë elitat e kombit, ata që vërtetë, i kanë dhënë jetë kulturës dhe artit shqiptar. Duke qënë një konsumatore mjaft përzgjedhëse, kërkoj që të kemi programet më të bukura për teleshikuesit tanë.

Po në raport me punojësit si është Elvana Hana?
Përpiqem të jem korrekte me të gjithë dhe t?i motivoj, por natyrisht edhe t?i nxis, të nxjerrin më të mirën e tyre në punë, pasi ajo çfarë del ne ekran është rezultat i punës së përbashkët dhe duhet të jetë sa më cilësore.

E shihni veten për një kohë të gjatë në këtë fushë apo do t?i riktheheni profesionit tuaj?
Në fakt unë vazhdoj të jem në profesionin tim pasi merrem me çështje financiare çdo ditë.

Sa ju ka ndryshuar Televizioni?
Në televizon vihen më në pah marrëdhëniet me njerëzit. Komunikimi është shumë i rëndësishëm e më shpenzon më shumë kohë. Kjo është e ndryshme krahasuar me punen analitike që bëja më parë.

FËMIJËRIA DHE FAMILJA

Si ka qenë fëmijëria juaj?
E bukur! Mes njerëzve që të duan e përpiqen të ta tregojnë këtë gjatë gjithë kohës, natyrisht ndjehesh shumë mirë. Babai inxhinier dhe nëna mjeke kishin mundësi të na rrisnin me vëmendje të veçantë mua, motrën e vëllain e vogël, pavarësisht deprivimeve të kohës. Gjyshërit i kishim pranë e shumë të angazhuar me përkujdesjen tonë, gjë që ia shtonte edhe më shumë dashurinë ambjentit ku unë jam rritur.

Cila është figura që ju ka frymëzuar gjatë rinisë së hershme?
Kam një lidhje shumë të veçantë me mamin tim, besoj si shumica e vajzave shqipëtare. Nëna ime Drita, një kirurge mjaft e zonja, ka qenë që kur kam filluar të kuptoj, frymëzimi im. Nuk e di si ia dilte atëherë me operacionet e gjata që kryente, rojet 24 orëshe dhe problemet e një pune me shumë stres, të ishte gjithmonë pranë meje edhe për problemet më të vogla të jetës së përditshme, duke biseduar dhe duke qenë e gatshme për të më dhënë mendim.

Po raportet në familje si kanë qenë, si e keni konsideruar veten; një vajzë të përkëdhelur apo ajo që merrte iniciativa?
Jo nuk mund të them se kam qënë e përkëdhelur, atëherë i vihej shumë rëndësi edukimit sesa përkëdheljes. Duhet të bëheshe e zonja për veten e të mësoje sa më shumë. Më ka pëlqyer gjithmonë të marr iniciativa që e vogël kur ndërroja modelin e mobilieve të shtëpisë çdo muaj, por edhe më vonë kur besoja se reforma e nisur në sigurimet shëndetësore do të bënte ndryshimin aq të mirëpritur nga e gjithë shoqëria jonë.

Nga gjimnazi dhe adoleshenca juaj çfarë do të veçonit, si e kujtoni?
E kujtoj me nostalgji atë kohë. Mësuesit e shkëlqyer të gjimnazit “Andon Zako Çajupi”, të cilët na e kushtonin kohën e tyre gjithë përkushtim e dashuri kanë qënë një frymëzim për mua. Edhe sot e kësaj dite më kanë mbetur në mend marrdhëniet e thjeshta e të sinqerta me shokët e shoqet e klasës.

Po shoqëria dhe miqtë çfarë vendi zënë në jetën tuaj, prireni të keni miqësi afatgjata?
Miqësitë janë si vera, sa më të vjetra aq më të mira, disa prej shoqeve të mia të vjetra nuk jane në shqipëri e më vjen keq për këtë, por sidoqoftë mbajmë kontakte me “njëra- tjetrën”.

Le të ndalemi pak në vitet e fakultetit, si e bëtë ju zgjedhjen dhe a e konsideroni tani si një vendim të mirë?
Atëherë fakulteti nuk ishte me zgjedhje, ti kishe të drejtë të shkruaje tre dege e pastaj ta zgjidhte lagjja drejtimin që duhej të merrje. Mua më dhanë ekonomine, të cilën unë e kisha vendosur të tretën. Megjithatë kur fillova studimet në Vjenë kisha mundësi të zgjidhja dhe degë tjetër, por përsëri studiova për ekonomi financë. Tani është dega ime e preferuar!

Mesa duket nga karriera juaj edhe si drejtuese e “Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor”, keni një ndjeshmëri të veçantë për mirëqenien e njerëzve, a ka ndikuar ky pozicion në këndvështrimin që ju keni për situatat sociale në Shqipëri?
Patjetër gjithmonë kam patur një vokacion për t?u marrë me çështje sociale, mendoj që asnjë shoqëri nuk mund të ndihet mirë dhe të zhvillohet nëse njerëzit që jetojnë në të nuk marrin përgjegjësi sociale. Megjithatë këto përgjegjësi sociale duhet të jenë të qarta, të kuptuara e të pranuara nga të gjithë bashkëqytetarët në mënyrë që të funksionojë mirë një shoqëri. Shqipëria ka shumë për të bërë në këtë drejtim.

Midis karrierës dhe familjes ju kë do të vendosnit në vend të parë?
E para për mua është gjithmonë familja, por nëse flasim për kohën që i kushtojmë secilës situata bëhet më e komplikuar. Që të ecesh përpara në karrierë duhet të balancosh shumë mirë kohën midis punës dhe shtëpisë.

Po raportin me shtëpinë dhe kuzhinën si e keni, si është Elvana në shtëpi?
Kam një raport te shkëlqyer, kryesisht më pëlqen të gatuaj ëmbelsira me fruta.

Cilat janë pasionet tuaja, përtej asaj që njohim ne si imazh publik?
Më pëlqen shumë leximi, noti por edhe piano, të cilës kam shumë dëshirë t’i bie kur kam kohë. Ama nuk marr pjesë vetëm në aktivitete individualiste por edhe në ato me natyrë sociale. Natyrisht edhe momentet që shpenzoj me vajzat dhe familjen hyjnë tek pasionet e mia.

Elvana Hana mbi forumin ekonomik “FUTURE BALKANS: TOWARDS A GLOBAL INCLUSION”, (Ballkani i së ardhmes: Drejt një përfshirje globale).

“Tirana Economic Forum” është një forum rajonal i cili u zhvillua për herë të parë gjatë këtij viti në tiranë.

“FUTURE BALKANS: TOWARDS A GLOBAL INCLUSION (Ballkani i së ardhmes: Drejt një përfshirje globale), ishte tema e këtij edicioni. Qëllimi i kësaj konference mundësoji një platformë diskutimi e propozimesh konkrete për përfshirjen e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor në agjenden globale të zhvillimit.

Kjo është një iniciativë e “SCAN Media Group”, që së bashku me partnerët, organizon këtë event që mund të konsiderohet si më i madhi i kësaj natyre i organizuar nga ndonjë media shqiptare. Diskutimi u bazua tek “Integrimi Financiar” që mbetet një nga burimet më të mira të rritjes ekonomike. Ndërkohë që të gjithë këto vende duhet të përafrojnë legjislacionet e tyre nacionale me atë Europian, kjo gjeneron patjetër një nevojë të bashkëpunimit të institucioneve e tregjeve financiare në Ballkan.

Në fjalën hapëse të këtij forumi Zonja Hana citon:
“Iniciativa për krijimin e një forumi mbi ekonominë dhe zhvillimet e ardhshme ekonomike në Ballkanin Perëndimor, vjen si një nevojë e pa shmangshme për t’iu paraprirë eventeve ekonomike dhe për të mos qenë vetëm vendimmarrës pasivë atëherë kur ngjarjet ekonomike ndodhin. Të gjithë ne duam t’i shohim vendet tona më të begatuara, por vonojmë të investojmë në asetet e duhura për të arritur këtë prosperitet. “Scan Media Group” është një media e fokusuar totalisht në ekonomi. Prej afro 10 vjetësh operon profesionalisht në tregun shqiptar. Në këtë kontekst vjen natyrshëm iniciativa jonë, për krijimin e një forumi ekonomik. Në këtë iniciativë na janë bashkuar edhe Bursa shqiptare e Unioni Kombëtar i Dhomave të Tregtisë, si dhe një pjesë e elitës ekonomike kombëtare e rajonale.”