Kur mendojmë për dashurinë nuk gjejmë dot një definicion të saktë, dimë vetëm që është ndjenja më sublime dhe konsiston me ta pranosh dikë pa kushte, por padyshim në kokë na shfaqet një imazh: Venera Lumani dhe Lind Islami, të buzëqeshur, të përqafuar dhe të dashuruar.
Në një rrugëtim të gjatë, Venera dhe Lindi kanë dëshmuar se dashuria nuk është një temë librash dhe term i panjohur në jetën reale, sepse ata e kanë njëri-tjetrin dhe kanë dashurinë! Janë njohur vite më parë në “The Voice of Albania” dhe që asokohe shkëndija mes tyre ka qëndruar e ndezur dhe kjo është reflektuar si në marrëdhënien e tyre, edhe në karrierën si artistë. Së fundmi, bashkëpunimi “Betohem” solli një duet të ëmbël, plot thjeshtësi dhe performancë magjike, ashtu siç dashuria vetë është.
Elegance ka shkëputur pak nga jeta e të dyve, në një intervistë ekskluzive për të zbuluar pak më shumë mbi fejesën, planet e tyre dhe karrierën.

Ju jeni një prej çifteve më të ëmbël dhe të preferuar prej publikut shqiptar. Cili është sekreti i një raporti të tillë, jo vetëm me njëri-tjetrin, por edhe me publikun?
Çelësi është dashuria, dashuria pa kushte! Marrëdhënia jonë karakterizohet nga besimi i fortë ndaj njëri-tjetrit, mbështetja në çdo iniciative që gjithsecili nga ne ndërmerr dhe absolutisht fokusi tek jeta dhe puna jonë. Toleranca dhe komunikimi është gjthashtu një pikë kyçe. Nuk ka asgjë që nuk diskutohet dhe kjo ndikon shumë në një marrëdhënie të shëndoshë. Duke mos harruar dhe atë çka na bashkon: dashurinë, Siç duket, të gjitha këto reflektojnë deri tek publiku me të cilin gjithmonë kemi zgjedhur të jemi shumë të sinqertë dhe ta bëjmë pjesë të marrëdhënies sonë, duke ndarë me ta nga jeta profesionale dhe pak nga ajo personale.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Fejesa juaj bëri shumë bujë në media dhe u përfol për një kohë relativisht të gjatë. Ishte i pritshëm një propozim prej Lindit, duke marrë në konsideratë edhe kohëzgjatjen e lidhjes suaj?
Është evidente që ne të dy nuk kemi ecur kurrë në bazë të rregullave dhe nuk kemi pasur kurrë diçka të planifikuar, ndaj edhe fejesa nuk mund të ishte një hap që ishte menduar më parë. Në e kemi lënë çdo gjë në dorë të fatit, i cili duket se na ka buzëqeshur gjithmonë; kjo sepse në një lidhje të vërtetë, dashuria të udhëzon vetë. Ne i besojmë ndjenjës dhe buzullës së zemrës dhe këto formësohen në një propozim që finalizon një dashuri të madhe.
Lindin ka kohë që e ndjej pjesë të trupit dhe shpirtit tim, kështu që fejesa apo martesa nuk do të ndryshonte asgjë, por duhet pranuar që propozimi ka shënuar momentin më të lumtur të jetëve tona…paçka se unë u hutova totalisht nga kjo surprizë totalisht e papritur!

Ju jeni partnerë jo vetëm në jetë, por edhe në art dhe bashkëpunimi i fundit ishte një premtim i ndjerë dhe një betim mbi dashurinë e përjetshme. A planifikoni të tjera bashkëpunime të tilla?
Derisa ta ndjejmë dhe të na pëlqejë të vijmë te publiku në duet, gjithmonë do ketë bashkëpunime mes ne te dyve. Është diçka që buron lehtësisht, zërat tanë përshtaten dhe bashkëpunojmë shumë mirë me njëri-tjetrin. Kur ke fatin ta kesh partnerin artist, është një kënaqësi e dyfishtë e cila manifestohet edhe në muzikën që ne bëjmë. E, derisa ditët tona janë të jetuara së bashku, lind natyrshëm gërshetimi i muzikës sonë, fundja ky është edhe qëllimi: t’i këndojmë asaj që ndjejmë dhe këtë ndjesi ta transmetojmë te publiku.

Kënga “Betohem” është një prej dhuratave më të bukura që artistët mund t’i dedikojnë partnerit. Cilat janë ndjesitë e bashkëpunimit dashurinë e jetës?
Është sikurse të ulesh e të bashkëbisedosh duke shfletuar zemrën. Ne zgjedhim ta themi me këngë, ta kthejmë ndjesinë në tinguj, në mënyrë që gjuha e zemrës sonë të kuptohet e të universalizohet. Muzika përcjell emocionet tona, ndaj “Betohem” është sikur ta marrësh zemrën dhe shpirtin tonë dhe ta dëgjosh. Çdo gjë që dëgjohet në këngë, buron nga zemra dhe brendia jonë. “Betohem” është këngë shumë e dashur për ne, reale dhe tregon marrëdhënien tonë në formën e saj. Besoj se është pritur mirë nga publiku për thjeshtësinë dhe për faktin se thuajse çdo çift ka të njëjtat ndjesi në marrëdhënien e tyre.

Përmes një postimi në Instagram ju keni shprehur dëshirën që të gjithë ndjekësit tuaj të bëhen pjesë e një dasme madhështore. Është evidente se dasma shihet në horizont, por është koha të zbuloni momentin se kur do të kurorëzoni dashurinë tuaj.
Dëshira është super e madhe! Duam shumë që të kemi dëshmitarë të gjithë ata njerëz që na duan dhe që frymëzohen nga dashuria dhe muzika jonë. Nuk ka asgjë më të bukur se në ditën më speciale të rrethohesh nga njerëz që të duan dhe të simpatizojnë. Ndjekësit tanë na kanë ndjekur në të gjitha hapat e karrierës dhe lidhjes sonë, ndaj janë një pjesë shumë e rëndësishme për ne. Dashuria dhe vlerësimi që marrim prej tyre është një shtysë shumë e madhe për të krijuar të tjera këngë dhe për të transmetuar artin tonë. Uroj dhe dashtë Zoti të ndodhë kështu, t’i ftojmë të gjithë në ditën më të rëndësishme të jetës sonë, pasi ne po punojmë dhe po bëjmë pjesën tonë në këtë drejtim.
Sa i përket dasmës, së shpejti…

Ju keni marrë edhe nënshtetësinë shqiptare dhe kjo ju ka bërë shumë të lumtur. Kjo do të thotë se keni menduar të jetoni përfundimisht në Tiranë, apo planet tuaja afatgjate mund të realizohen diku tjetër?
Nënshtetësia erdhi si rrjedhojë e qëndrimit tonë të gjatë në Tiranë, si dhe dëshirës së madhe që edhe në letra e dokumenta të mbanim emrin “shqiptar”, kudo që ne të shkonim. Është një krenari e tjetër lloji të identifikohesh me kombin tënd, me gjuhën dhe identitetin tënd dhe kur lexojmë “shqiptar” në pasaportë, nuk ka lumturi më të madhe!
Por, sa i përket shtëpisë, ne e kemi një në Tiranë, ndërsa për të ardhmen nuk kemi një planifikim fiks. Nuk i dihet, shtëpia jonë mund të jetë kudo në botë, varet nga karriera dhe komoditeti jonë. Përmbushja profesionale dhe ajo vetjake është primare për ne, ndaj nuk mund ta parashikojmë ku do të na ofrohen lehtësirat që të ndihemi sa më rehat në të gjitha drejtimet, qoftë profesional, qoftë personal.

Venera:

Ti ia del gjithmonë të surprizosh Lindin, qoftë për ditëlindje, ose pa asnjë rast special dhe kjo na bën të mendojmë se je romantike dhe shumë spontane. A i gëzon edhe Lindi këto cilësi?
Mendoj se të dy i gëzojmë këto cilësi, por jemi me periudha, secili bën pjesën e tij, kontribuon për ta kënaqur tjetrin; kush bën njëherë më shumë e kush herën tjetër. Shpesh ne largohemi nga stresi i punës, monotonia dhe mundohemi të gjejmë kohë për të vizituar vende të reja, por edhe për njëri-tjetrin. Koha jonë është e limituar dhe zakonisht impenjimet janë të shumta, por gjithmonë mundohemi të surprizohemi këndshëm. Kompromisi është sekreti! Gjithsesi, natyra ime altruiste ka treguar se më pëlqen më shumë të bëj dhe të jap se sa të marr.

Lindi duket gjithmonë i butë dhe i matur, por vetëm ti i di anët e gjitha të medaljes. Si është të ndash jetën me Lindin?
Ka zonja që më thonë se të dëshironin shumë të kishin një djalë si Lindi, ka vajza që thonë do doja të isha aq fatlume sa ti dhe të kisha edhe unë një njeri Lindi në krahë. Unë jam me fat dhe e kam një Lind që do të bëhet baba shumë i përgjegjshëm dhe një bashkëshort shumë i dashur, i mrekullueshëm. Ne e kemi në plan krijimin e një familje të shëndoshë, të rrethuar me dashuri dhe shumë mundësi e ndjesi pozitive, ndaj Lindi është ai që ia besoj veten dhe frytin tonë të dashurisë.
E vetmja gjë që nuk ja dua fare Lindit, po fare është se ndonjëherë e ka pak të vështirë të dalë nga zona e komfortit.

Cilat janë cilësitë që vlerëson më shumë te Lindi?
Te Lindi vlerësoj shumë cilësi, por ato që do të veçoja janë: maturia, butësia, krenaria, talenti etj. Lindi është i matur në çdo situatë, mund fare mirë të përshtatet dhe të mos i lëndojë të tjerët. Gjithmonë mendon fjalët dhe mundohet të jetë sa më i butë. Butësia në fakt reflektohet edhe në pamje, edhe në muzikë, të ndërthurura edhe me cilësitë që përmenda më sipër. Unë e vlerësoj në tërësi, në çdo veçanti dhe tipar që personaliteti i tij ka, ndaj këto janë arsye shumë të forta pse e dua.

Karriera jote identifikohet me performancat live, ku ti je tejet shpërthyese dhe energjike. Si e përjeton performancën para publikut, emocionohesh prej saj si herët e para dhe cilat janë benefitet që një artist përfiton nga “përballja” me publikun?
Artistët krijojnë për publikun! Forma me të cilën unë preferoj të jem prane tij është performanca live, e cila mundëson një lidhje të konsoliduar artist-publik, lidhje që të mundëson të marrësh në formën më të pastër të gjitha emocionet, madje edhe t’i servirësh ato. Performanca live është një simbiozë që i shërben shumë shpirtit të artistit dhe shpirtit të publikut. Aty rreh zemra, aty përjeton gjithmonë emocione të reja, aty gjen vetveten, dhe për mendimin tim, aty prek magjinë e këtij profesioni. Për mua, kjo është e vetmja mënyrë ku ti ndërton një lidhje mes teje, artit e shpirtit tënd dhe publikut.
E, në fund duartrokitjet dhe përgëzimet s’kanë të krahasuar me asgjë. Atje është arritja më e madhe profesionale, ta dish që i ke hyrë në zemër, e kanë kuptuar artin tënd dhe të kanë vlerësuar, janë inspiruar prej teje. Nuk ka asgjë që një artist dëshiron më shumë në aspektin profesional!

Së fundmi do të shikojmë edhe në rolin e një mentoreje në akademinë “Muza”. Si është raporti yt me studentët dhe si është të transmetosh eksperiencën tënde te talentet e reja?
Mendoj se kjo është një anë tjetër e fortë e imja. Që në vegjëli më ka pëlqyer që atë që e bëj mirë, ta shpjegoj apo përcjell tek të tjerët. Me pak fjalë, kur dikush më thoshte “këtë këngën e këndon shumë bukur”, menjëherë në mënyrë instiktive dëshiroja t’ua mësoja dhe t’ua tregoja sesi e kam ushtruar unë. Plus, ndërtimi im akademik apo studimi me profesorë shumë të kualifikuar, mund të them ndër më të mirët në solo këndim, më ka dhënë një shkollë dhe regjim tejet të dobishëm, që sot unë dua ta përçoj tek studentët e mi. Është kënaqësi e tjetër dimensioni fakti i të qenurit mentore, pasi të bën të ndihesh shumë humane, gëzon për arritjet e tua, të studentëve dhe kështu krijon një rreth që sa vjen e zgjerohet, duke përcjellë dije dhe marrë si mirënjohje dhe arritje suksesin e studentëve të tu.

Lindi

Ti dhe Venera jeni njohur në kompeticionin “The Voice of Albania”, ku Venera ia doli të rrëmbente trofeun e madh. Si ishte vazhdimësia e lidhjes suaj nga rivaliteti në fejesë?
Nuk mund të them që kemi ndjerë ndonjëherë rivalitet, përtej kësaj, unë isha fans i Veneës dhe zërit të saj që në momentin e parë që e kam dëgjuar. E gjithë kjo periudhë dhe rrugëtim nga “The Voice of Albania” e deri tek fejesa mund të them se ka qenë periudha më e bukur e jetës, e mbushur plot jetë, me shumë aventura, udhëtime, sakrifica për karrierën, e mbi të gjitha e tejmbushur me dashuri. Venera dhe unë nuk ishim aspak rivalë, gëzoheshim për sukseset respective dhe njëjtë bëjmë edhe sot, gëzohemi pafundësisht për njëri-tjetrin, pasi suksesi im është edhe i Venerës dhe anasjelltas.

Cilat janë tiparet që vlerëson më tepër te Venera?
Unë vlerësoj Venerën, me të gjitha tiparet e saj! Venera është e çiltër, e mençur, e embël dhe e mprehtë. Ka të gjitha cilësisë e bashkëshortes perfekte dhe mbi të gjitha, mban zemrën time. Kur e do dikë, të gjitha tiparet që ti vlerëson, shkrihen natyrshëm tek ai person.

Thjeshtësia është ajo që e karakterizon lidhjen tuaj dhe ndoshta kjo është arsyeja që publiku ju ka kaq afër zemrës. Këtë thjeshtësi e përcillni edhe në këngë, pasi klipet janë të thjeshta, të realizuara bukur dhe dëgjuesi fokusohet te zëri dhe teksti. Kjo është një “strategji” që publiku të vlerësojë talentin tuaj, apo buron natyrshëm si pjesë e karakterit tuaj?
Mund të them se “strategjia” e vetme që kemi vendosur të përdorim është që të qëndrojmë gjithmonë të vertetë, realë me ndjekësit e muzikës sonë. Kjo na vjen natyrshëm, pa asnjë filtër dhe shtirje. Ne jemi pranë publikut sepse paraqitemi kështu siç jemi, pa u fshehur pas asgjëje, pa asnjë strategjie të mirëmenduar. Mund të mos kemi qënë përherë të njejtët, normalisht, zhvillohemi si njerëz dhe si artistë, ndoshta edhe kemi eksperimentuar me këngët tona sespe një artist dëshiron të provojë dhe të gjejë vetveten dhe pasione të reja, por mund të them padyshim se tek çdo këngë ka copëza nga jeta, shpirti dhe arti jonë, të cilat ndërthuren dhe japin një rezultat final.

Të kemi parë në projekte me Venerën së fundmi. Kjo do të thotë se ke hequr dorë nga karriera solo dhe e ndjen veten më mirë në bashkëpunimet me partneren tënde? Cilat janë planet dhe pritshmëritë në karrierën tënde?
Së fundmi, pothuajse gjithë kohën e kam investuar në studion time te re muzikore duke punuar këngë për vete dhe për artist të tjerë. Është një punë që e bëj me shumë pasion, përpos asaj të kantautorit dhe performuesit në mbrëmje live. Plan ndoshta pak më afatgjatë është albumi, të cilin po e përgatisim bashkë me Venerën dhe disa këngë prej tij (albumit) janë pothuajse gati dhe realisht me shumë dëshirë pres që të ndahen me publikun.

Leave A Comment

Your email address will not be published.

error: Content is protected !!