Yorgos Lanthimos provokuesi i shqisave!

Drithërues, tronditës dhe thellësisht psikologjik! Këto etiketime shoqërojnë karrierën kinematografike të Yorgos Lanthimos, i cili në dekadën e fundit ka mbajtur mbi shpinë përgjegjësinë e rikthimit në krye të kinemasë greke. Situata tejet psikologjike, trajtime të problemeve sociale të prekshme dhe shpesh të injoruara janë tematika e filmave të Yorgos. Filmat e tij shprehin një revoltë sociale, e cila nis me protagonistin që kryen krim dhe përfundon me të njëjtin intesitet, me atë që hesht dhe nuk reagon.

Jeta
Yorgos Lanthimos ka lindur në Athinë më 23 shtator të 1973. Ai studioi fillimisht në fushën e marketingut e më pas kinematografinë në shkollën e Artit Filmik në Athinë, ku u shqua menjëherë për talentin e tij. Imagjinata e Yorgos filloi të merrte trajta të absurdit në sajë të ndikimit të kolosëve të letërsisë si Dostojevski, Kafka, Kamy etj, si edhe të koncepteve shumë unike të Tarkovskit e Cassanetes. Fillimisht ishte autor i një numri të madh reklamash, pjesëve teatrale dhe filmave me metrazh të shkurtër. Yorgos u bë shpejt protagonist i kinemasë greke dhe u vlerësua pozitivisht nga kritika, kjo në sajë të imagjinatës së tij tejet guximtare dhe rikthimit në vëmendjen e publikut të disa nga temave më të ndjeshme në jetën sociale.

Fillimet

Yorgos nisi ta investonte kreativitetin e tij në kinematografi dhe puna e tij e parë u realizua me një buxhet relativisht të vogël dhe shumë pak skena filmike. Më pas numri i vogël i skenave do të rrënjosej në konceptin e tij dhe do të ishte i pranishëm në shumë prej filmave të Lanthimos.
“Kinetta” do të titullohej filmi i parë i regjisorit grek dhe menjëherë do të merrte vëmendjen e botës dhe kritikës së kinemasë. Pavarësisht buxhetit minimal, filmi rezultoi një sukses mëse i merituar. 30 vite më parë Yorgos i dhuroi kinemasë një film drithërues, me stilin e vet aspak të zakontë. Pak dialog, pak gjestikulacion dhe shumë skena që të lënë pa frymë, e bënë “Kinetta” një film vërtët të arrirë.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Dhembet e qenit

Karriera
2009 do të ishtë rikthimi i Lanthimos me filmin “Dhëmbët e qenit”, ku mori një lumë kritikash pozitive dhe publiku ndoqi me kërshëri një kryevepër. “Dhëmbët e qenit” ka një subjekt tronditës për abuzimin e fëmijëve dhe ndikimin e madh të prindërve egoistë në psikikën e tyre. Që prej këtij filmi, Yorgos u konsiderua si një regjisor i cili ka një imazh të ri sa i përket absurdit dhe shpesh e shfaq në një formë tepër unike dhe agresive.
Në qendër të filmit është një baba i cili i mban të burgosur fëmijët e tij, duke mos i lejuar asnjë kontakt me botën e jashtme, si rrjedhojë i detyron ta imagjinojnë realitetin e jashtëm në mënyra të ndryshme dhe të çuditshme. Si një film shumë domethënës dhe me simbole tepër të gjetura, “Dhëmbët e qenit” u vlerësua me çmimin “Un Certain Regard Prize” në festivalin filmik të Cannes.

Karavidhja

“Karavidhja” do të ishte një tjetër film shumë i vlerësuar si nga publiku, ashtu edhe nga kritika. Situata të çuditshme vendosin një grup njerëzish në një hotel, i cili ka rregulla shumë strikte. Nëse “klientët” nuk gjejnë dashurinë e vërtëtë për 45 ditë, do të kthehen në kafshë. David, personazhi kryesor zgjedh të kthehet në një gaforre për shkak të dashurisë së tij për detin dhe ciklit jetësor. Gjërat ndërlikohen kur ai bie në dashuri me një grua jashtë hotelit, veprim që bie ndesh me rregullat strikte. “Karavidhja” është një komedi e zezë, e mbushur me situata dhe veprime absurde, ndjesi të pazakonta dhe imazhe të dhunshme e agresive. I nominuar për Oscar dhe fitues i disa çmimeve, “Karavidhja” provon edhe njëherë se Yorgos është një prej regjisorëve më të mirë të dekadës së fundit.

Vrasja e drerit të shenjtë

Ndikimi i mitologjisë greke dhe i babait të tragjedisë moderne, Euripidit, ndihet në kryeveprën “Vrasja e drerit të shenjtë”. Tragjedia përcjell mallkimin në ditët e sotme dhe djali i quajtur Martin vendos në lojë jetën e një familje. Martin ka fuqi të errëta e të mistershme, paralelisht si perëndesha Artemis. Që prej sukseseve të njëpasnjëshme, Lanthimos u kthye në një magnet për yjet Hollywood-ianë, ndaj “Vrasja e drerit të shenjtë” ka si protagonist aktorë të një kalibri tejet të lartë si: Nicole Kidman, Colin Farell, Bill Camp etj. Edhe ky film rezultoi një sukses i madh dhe u nderua në festivalin e ’70 të Cannes.

Një vit më vonë, më 2018, Lanthimos do të servirte një tjetër kryevepër filmike, “E preferuara”, dramë historike, e cila na zhvendos në shek.XVII në Britaninë e Madhe. Mbretëresha Ana humbet 17 fëmijë dhe “i zëvendëson” me lepuj, për të kaluar dhimbjen. Filmi paraqet një marrëdhënie të çuditshme mes kushurinjve, prek temën e incestit, paqëndrueshmërisë mendore dhe ndjesive shumë të vrullshme. Në ndryshim nga filmat e tjerë të Lanthimos, ku kemi parë një aktrim irreal dhe me mimikë të ngrirë, të “E preferuara” Emma Stone në rolin e kushurirës, aktron me një gjestikulacion të theksuar dhe shumë prezent gjatë gjithë filmit. “E preferuara” është etiketuar si një film tejet feminist, ku roli i femrës është i dukshëm dhe i pazakontë.

Yorgos Lanthimos synon të provokojë jo vetëm shqisat, të mos ndalet vetëm te tronditja mendore që i shkakton shikuesit, por të depërtojë edhe në shpirtin e tij, duke tundur nga themelet botëkuptimin njerëzor. Me anë të origjinalitetit, situatave anormale që trajtohen si normale dhe problemeve themelore që prek, regjizori grek risjell në ndërgjegjjen e publikut, me metoda të ndryshme filmike probleme ekzistente, të errëta dhe tejet tronditëse. Ato janë prezente, por ne i injorojmë. Lanthimos qartëson faktin që tronditja e shikuesit vjen si pasojë e subkoshiencës së këtij të fundit, pasi ai e di se i injoron këto probleme kaq reale. Regjisori nuk do aspak të trondisë në mënyrë direkte, këtë e arrin në mënyrë të tërthortë. Yorgos e provokon këtë tronditje, e cila merr përmasa madhore nga ndërgjegjja njerëzore. Synimi bazik është që shikuesi të fillojë t’i mendojë gjërat më ndryshe, në mes kaosit të arrijë të perceptojë që absurditeti është pjesë e jona dhe çmenduria mund të thyejë në çdo çast muret e karakterit tonë.