Pop Princess Era Istrefi

Këngët e saj janë hite muzikore absolute, ndërsa “loja” me ndryshimet e imazhit dhe aspektin estetik e ka shndërruar në ikonë frymëzuese të modës dhe stilit. Miliona ndjekës virtual në rrjetet sociale, koncerte të shumta në shtete të ndryshme të botës, ndërsa kohët e fundit është protagoniste në media dhe revista të huaja prestigjioze. Është momenti të njiheni me detaje të reja dhe interesante të rrëfyera nga vet Era Istrefi, në këtë intervistë ekskluzive për Elegance!

 Tashmë, ajo është një Pop Princess! I ka fituar të gjitha atributet e një artisteje të re, mjaft të talentuar dhe me një karrierë premtuese. Këngët e saj dëgjohen në metro, në makinë, në rrugë, kudo! Është pa asnjë mëdyshje, këngëtarja e re, super e talentuar dhe me një imazh unik që vetëm ajo di ta përcjell mjeshtërisht përpara fansave të saj, në daljet publike, rrjetet sociale, por jo vetëm! Këngëtarja kosovare, Era Istrefi, është “pinjollja” më e re në familjen Istrefi, ku muzika më herët është lëvruar nga motra e saj, Nora. Por, vet Era ka zgjedhur të ketë një identitet vetjak profesional dhe artistik, të pa ndikuar nga komercialiteti apo nevoja për të ndjekur rrymën. E thotë edhe në këngën e fundit, shkurt edhe shqip: “Unë jam Era”! Thotë se ndihet mjaft mirë nën lëkurën e saj, në çdo aspekt që e rrethon në jetën personale apo atë artistike dhe kaq i mjafton. Projektet e fundit muzikore, shumë shpejt do të jenë pranë fansave dhe adhuruesve të muzikës së saj, ndërsa vet protagonistja nuk e fsheh padurimin për t’u njohur sa më parë me komentet apo reagimet e shumta. Flet për shumëçka në këtë intervistë të sajën, duke nisur nga muzika, kontratën e fundit muzikore me Sony Music, raportin me suksesin, me familjen, me të motrat, etj. Një rrëfim i veçantë, përmes të cilit do të zbuloni një profil ndryshe të princeshës së pop-it, tashmë një emër i njohur edhe në industrinë botërore të muzikës.

Supports text, HTML tags, JS code and video embed code

Era, suksesi juaj tashmë është ndërkombëtar. Si ndiheni për këtë fakt?
Ëndrra e kthyer në realitet! Shkurt dhe Shqip! Po ndihem shumë mirë, vërtet!

Është shkruar në media, që keni nënshkruar një kontratë bashkëpunimi me shtëpinë muzikore Sony Music. Si arritët në këtë marrëveshje kaq dinjitoze për karrierën e një artisti të ri?
Interesimi i kompanive të ndryshme muzikore ka qenë i madh, sidomos pas suksesit të këngës “Bon Bon”. Ndërkohë që, menaxheri im Faton Shoshi ka bërë zgjedhjen e tij të kujdesshme në raport me këto kompani. Përfundimisht, zgjodhëm Sony/Ultramusic dhe jemi shumë të kënaqur të gjithë.

Këngët tuaja mësohen përmendësh, këndohen kudo dhe janë kthyer në super hite muzikore. Një dimension zëri unik, përpos saj edhe një performancë e goditur. Çfarë mendoni se ju bën një artiste kaq të kompletuar?
Po është e vërtetë dhe ky fakt më lumturon! Mbi të gjitha më motivon të vazhdoj dhe më tej. Mendoj se mjafton të shprehësh veten përmes dhuntive dhe t’i perfeksionosh ato. Është punë në zhvillim gjithmonë, por jam shumë e kënaqur me rezultatet e mia(qesh).

Vetëm 22 vjeçe, dhe jeni kthyer në fenomen muzikor. Deri ku mendon se mund t’ju çoj muzika juaj?
E konsideroj veten të bekuar dhe me shumë fat. Por, njëherësh kam punuar vërtet shumë për të arritur deri këtu. Askush nuk më ka thënë që do të jetë e lehtë. Mbi gjithçka, më mban dashuria për punën dhe fansat.

E dije që në krye të herës, në fillimet e muzikës, se kjo ishte gjithçka doje të bëje në aspektin profesional?
Gjithmonë kam ëndërruar të jem këtu ku ndodhem sot. Mendoj se pikërisht për këtë arsye, përgatitjet e mia të hershme janë drejtuar në këtë kah. Si përfundim, kur puna dhe shansi takohen mes tyre, aty shpërthen i ashtuquajturi “fat”.

Po të shohësh profilin tënd në instagram, postoni herë pas herë portrete, foto tuajat. Të interesojnë komentet, përshtypjet e fansave dhe ndjekësve të faqes tënde?
Me ëndje do t’i ndiqja thuajse të gjitha komentet dhe përshtypjet e fansave të mi në rrjetet sociale, madje edhe t’i falenderoja këta të fundit për komentet pozitive që më bëjnë. Por, jo gjithnjë më lejon koha që t’i përkushtohem të gjithëve një nga një, sepse janë aq të shumtë(qesh).

Çfarë ndikimi kanë thashethemet tek ju dhe a të interferojnë ato në përditshmërinë e jetës tënde?
Janë pjesë e ndarë nga unë. Nuk merrem aspak me to.

Natyrisht, që ndjekësit fanatik të profilit tuaj kanë interes për fotot që postoni kohë pas kohe. Po ju vet çfarë lidhje keni me rrjetet sociale, në përgjithësi?
Jam aktive në rrjetet sociale, i kam pëlqyer gjithmonë. Mundohem të jem aktive, varësisht edhe nga koha që kam në dispozicion.

Njëherësh komentet janë të shumta, për faktin se personazhet publik “manipulojnë” shpesh imazhet e tyre me editime dhe efekte speciale. Je e të njëjtit mendim?
Njerëzit ndonjëherë tregojnë vetëm atë që dëshirojnë të tregojnë nga vetja e tyre. Nuk kam asgjë kundër kësaj. Po të duash veten 100%, kjo është vet mrekullia!

Thuhet se femrat e bukura, kanë edhe personalitete të mahnitshme. Si e shikoni aspektin tuaj estetik, marrëdhënia jote me imazhin?
Marrëdhënia ime me imazhin është e kënaqshme. Ndihem mirë nën lëkurën time. Por, ma ka ënda të punoj deri në versionin më të mirë të vetes, sepse është kënaqësi edhe kjo pjesë.

Mendoni se një pamje e kuruar e evoluon karrierën e një artisti?
Ka raste kur një pamje e kuruar, e zhvillon karrierën e artistit në aspektin pozitiv, negativ ose nuk e lëviz fare. Askujt nuk ia ndjen. Them se asgjë nuk është absolute në këtë rast.

A ka ndonjë pjesë në veçanti në tiparet tuaja, pas të cilave jeni e fiksuar?
Më shumë se në aspektin e jashtëm dhe estetik, do të veçoja tipare të karakterit dhe botës sime të brendshme. Jam këmbëgulëse, dhe besoj se ky fakt më ka shpërblyer me sukses.

Jeni kthyer gjithashtu edhe në një ikonë stili. Jeni ndjekëse e rregullt e trendeve të fundit të modës?
Nuk e ndjek modën! Moda më ndjek mua! Kështu ndihem shpesh.

Duket se për ju moda është po aq e rëndësishme sa edhe muzika. Për një artist të ri, talenti është ai që dominon, apo duhet një paketë e plotë për të bërë art?
Përveç muzikës, pasioni im për ta krijuar dhe rikrijuar imazhin tim nuk ka reshtur në asnjë moment…Është një faktor pozitiv, dhe një plus i madh në industrinë e muzikës.

Si do ta përshkruaje stilin tënd në pak fjalë?
Argëtues, special dhe të shumëllojshëm.

Çfarë markash të përshtaten më së miri me karakterin tënd?
Të gjitha nga pak. Nga Chanel-i tek Urban Outfitters.

Është dikush që kujdeset për stilin tuaj, në veçanti?
Nuk kam akoma ndokënd të punësuar, që të kujdeset në mënyrë të vazhdueshme për stilin tim. Por, pranoj sugjerime nga stilistë të ndryshëm, vendas dhe botëror, si edhe nga motra ime Nita, e cila gjithmonë ka pasur nuhatjen dhe qasjen e duhur në këtë fushë.

Cila artiste femër është frymëzuese për ty?
Rihanna dhe Lana Del Rey.

Era, cili është raporti që keni me dy motrat e tjera?
Tepër i mirë! Po më mungojnë shumë kohëve të fundit, kjo për shkak të angazhimeve të mia nëpër vende të ndryshme të botës.

E pranoni që jeni më protagoniste se to?
Besoj se jo!

Ç’thonë përgatitjet për albumin e ri muzikor?
Jam duke punuar në mënyrë intensive. Mezi po pres ta përfundoj dhe të shoh reagimin e fansave ndaj krijimeve të reja muzikore.

Do të ketë ndonjë bashkëpunim surprizë me emra të famshëm të muzikës botërore?
Nuk ka asgjë konkrete ende.

Në gjithë këngët që keni publikuar deri më tani, keni ndonjërën më të preferuar, me të cilën ju lidh një emocion ose histori specifike?
“Bon Bon” përmban kujtimet e mia më të mira deri më tash.

Era, si ka qenë fëmijëria juaj?
E lumtur, e gjallë dhe me plot ëndrra të bukura, të cilat tashmë po i jetoj.

Beson tek sekreti/tek dëshira për t’i mbajtur gjërat për vete?
Po!

Cili është mësimi më i çmuar që ke marrë në jetë deri tani?
Se jeta është gjëja më e bukur që na është dhuruar! Dhe se jemi vet ne që zgjedhim se si ta “pikturojmë” atë!

Cilat janë projektet e reja muzikore tuajat?
Ai që do të dal këto ditë, në periudhën tetor/nëntor 2016-të! Po e pres me padurim!